2016-08-26 00:00:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 22-të gjatë vitit kishtar ‘C’


Ja përsëri në takimin javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku liturgjinë e Fjalës së Zotit të dielës së 22-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit të liturgjisë kishtare. Leximet biblike të kësaj së diele na ftojnë të reflektojmë mbi një temë të çmueshme për kohën në të cilën jetojmë: mikpritjen, në mënyrë të veçantë si formë të pritjes e pranimit të atij që është në nevojë e ngushticë. Pastaj, për përvujtërinë, shërbimin dhe shpërblimin si virtyte, si vlera fisnike të njeriut. 

Më tepër këtu mund të dëgjoni Liturgjinë e Fjalës Hyjnore të dielës së 22-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë......

Në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele, Jezusi përmes një shëmbëlltyre na mëson disa të vërteta të cilat vlejnë për çdo kohë, deri edhe sot. Në pjesën e Ungjilli me një rast kur Jezusi ishte ftuar për drekë. Aty Ai vuri re se shumë njerëz zgjidhnin vendet e para. Dhe atëherë Jezusi na mëson domethënien e tre gjërave të rëndësishme: përvujtërisë, shërbimit e shpërblimit. Bota, shoqëria është e ngjashme me një tryezë të shtruar për drektë. Njerëzit janë të ngjashëm me ata të ftuar, të cilët përpiqen të zgjedhin vendet e para për drekë, duke treguar kështu se, shpesh herë, njerëzit dëshirojnë e synojnë vende të rëndësishme, të jenë superiorë me të tjerët, të urdhërojnë e të kenë nën vete të tjerët, pra dëshirojnë nderime, pasuri e pushtet, shpesh edhe me mënyra të padrejta, me mashtrime etj.. dhe kështu ata që nuk qëndrojnë në vendet e para, ata njerëz që janë të pafat, të varfërit, shkelen nga mendjemëdhenjtë e të këqinjtë.

Jo vetëm jeta e njerëzve të rëndomtë, por edhe Religjioziteti, për të qenë i besueshëm, duhet të konkretizohet në dashurinë ndaj Zotit e ndaj të afërmit (njeriut), sepse vetëm atëherë e vërteton dhe dëshmon autenticitetin vet, sepse kështu bashkon e mishëron konkretisht Fjalën e Hyjit dhe fenë në jetën përditshme. Pra, nuk mjafton të jesh ithtar i një feje, dëgjues i Fjalës së Zotit, lypet edhe zbatimi i asaj që ajo kërkon prej nesh.

Në Ungjillin e kësaj së diele (Ungjilli Lk 14,1.7-4), Jezusi merr shkas nga një skenë që ndodhi gjatë një dreke, për t’u ofruar një mësim të çmueshëm dishepujve të vet: ata duhet të zgjedhin vendin e mbarmë, të fundit, të vihen me të varfrit, të përvuajturit, të përbuzurit, të qëndrojnë në krahun e tyre. Propozimi që na ofron Jezusi, nuk është ndonjë doracak i edukimit të mirë, nuk është ndonjë mësim mirësjelljeje për të na edukuar modestinë. Është pjesëmarrje në stilin e tij të jetës, në misterin e tij pashkor: Ai ka ardhur për të shërbyer, është përulur deri në vdekjen mbi kryq, ua ka kumtuar të varfërve shpëtimin.

Për të qenë mikpritës, na kujton Leximi I nga Fjalët e Siracidit, duhet të mësojmë të jemi të përvujtë, e na përgatisin zemrën tonë për t’i kuptuar qortimet e Jezusit. Hyji lavdërohet vetëm nga të thjeshtët, do të thotë nga ata njerëz që nuk bien në krenari, në mendjemadhësi e nuk ndjehen të vetë realizuar, por duke kërkuar vazhdimisht me uratë shpëtimin e Zotit, fshihen në hijen e krahëve të tij. Të krishterët nuk janë kast e të privilegjuarve apo të arrivistëve që synojnë pushtet e sukses: por vihen në shkollën e Zotit të tyre, për të shërbyer me dashuri, për të mësuar ta hapin zemrën e t’i ndajnë së bashku, e në mënyrë të veçantë me të varfër e nevojtarë, të mirat.

Pra, Fjala e Zotit na fton të përcaktohemi e të zgjedhim vendin e fundit, për të ndenjur në anën e Krishtit. Kjo është lavdia e vërtetë e dishepujve: jo nderimet e botës, por shpërblimi i dashurisë së Atit Qiellor.   

           Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë Sir 3, 17-18. 20. 28-29
Autori i këtij libri të diturisë kujton gjërat që i pëlqejnë Hyjit. Hyji nuk do gjërat e mëdha, por ato të thjeshtat, nuk kërkon njerëz të fuqishëm, por të vegjël, të përvuajtur. Shihet qartë mesazhi i lumturive dhe shpirti i përvuajtur dhe i thjeshtë i Jezusit të Nazaretit.

Lexim prej Librit të Siracidit
Biri im, ditën e vështirësisë sate Zotit do t’i bjerë ndër mend për ty, e, sikurse dielli e shkrin akullin, mëkatet e tua do të shkrihen. Se ç’zë të keq i sjell vetes, ai që e braktis babën; i mallkuar prej Hyjit është ai, që e fyen t’ëmën. Sa më i madh të jesh, përule vetveten në çdo gjë, e do të gjesh hir para Hyjit. Ka shumë të mëdhenj e të lavdishëm, por Hyji të thjeshtëve ua zbulon misteret. Zemra që do të hyjë nëpër dy udhë, s’do të ketë sukses, zemërkeqi në to do të rrëzohet. Zemra e keqe do të ngarkohet me dhimbje e mëkatari do të shtojë mëkat mbi mëkat. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Psalmi 68
Ti, o Zot, je Ati i të gjithë popujve

Të drejtët le të gëzohen në praninë e Hyjit,
le të galdojnë e le të brohorisin me hare.
Këndoni Hyjit, madhërojeni Emrin e tij,
“Zot” është Emri i tij;
vallëzoni në praninë e tij!

Ati i bonjakëve, mbrojtësi i të vejave
është Hyji në banesën e vet të shenjtë.
Hyji u siguron banesën të pashtëpive,
u hap të burgosurve derën e lirisë.

Ti, o Hyj, lëshove një shi të madh,
trashëgimin tënd të lodhur e ripërtërive.
Populli yt gjeti strehim
që në mirësinë tënde, o Hyj, e përgatite për të mjerin.

Leximi dytë Heb 12, 18-19.22-24
Në Besëlidhjen e Re, në ndryshim nga Besëlidhja e parë të gjithë të krishterët janë ftuar, pa dallime klasore, të afrohen afër Asamblesë së bijve të Hyjit. Ata jetojnë në familjaritet me Hyjin. Nuk duhet të jemi as profesorë, as shpallës me gojë të së vërtetës së Hyjit, por dëshmitarë. Falë Jezu Krishtit, ndërmjetës i Besëlidhjes së Re, mund të banojmë në botën e Hyjit.

Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve
Vëllezër, ju nuk iu afruat malit të prekshëm, as flakëve të zjarrit, as errësirës, as territ, as stuhisë, as zërit të trompetës, as ushtimës së fjalës; ata që e dëgjuan, u lutën të mos u fliste më. Përkundrazi i jeni afruar malit Sion, qytetit të Hyjit të gjallë, Jerusalemit qiellor: numrit të pamasë të engjëjve të bashkuar në festë, bashkimit të parëlindurve, emrat e të cilëve janë të shkruar në qiell, Hyjit, Gjyqtarit të të gjithëve, shpirtrave të të drejtëve që ia arritën përsosmërisë, Jezusit, Ndërmjetësit të Besëlidhjes së re dhe Gjakut stërpikës që flet më mirë se gjaku i Abelit. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Aleluja, Aleluja
Shpirti i Zotit është mbi mua: Ai më dërgoi t’u kumtoj të vobektëve Ungjillin, t’u shpall robërve çlirimin.
Aleluja.

Ungjilli Lk 14, 1.7-14
Jezusi u jep një mësimi përvujtërie dëgjuesve të tij, që bashkoheshin shpesh në tryeza festive për të diskutuar argumente “serioze”, ndonjëherë edhe fetare, me shumë fjalë të kota. Jezusi, duke marrë pjesë në një tryezë të tillë, flet për një virtyt të ri, i pajetuar nga të pranishmit: përvujtërinë. Ai u kërkon të ndryshojnë mentalitetin e tyre dhe të ftojnë leckamanët e mjerët për drekë.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës
Një të shtunë Jezusi shkoi në shtëpinë e një kryetari farisenjsh për të ngrënë bukë e të pranishmit po e vërenin dijekeqas.
Duke vënë re sesi të grishurit zgjidhnin vendet e para, u tha këtë shëmbëlltyrë: “Kur ndokush të ftojë në dasmë, mos u ul në krye të vendit, pse ndoshta është i grishur ndonjë qe duhet nderuar më tepër se ti, që, kur të vijë ai që të ka thirrur ty dhe atë, të mos të thotë: ‘Lëshoja vendin këtij!’ Atëherë të duhet, plot turp, të shkosh e të zësh vendin e fundit. Përkundrazi, kur të jesh i grishur, shko e rri në vendin e fundit që, kur të vijë ai që të ka grishur, të thotë: ‘Mik, ngjitu më lart!’ Atëherë ke për të qenë i nderuar në sy të të gjithë të grishurve. Vërtet, kushdo e lartëson veten, do të përvujtërohet, e kush e përvujtëron vetveten, do të lartësohet.”
Atëherë iu drejtua edhe atij që e kishte grishur: “Kur shtron drekë ose darkë, mos i thirr miqtë e tu, as vëllezërit e tu, as farefisin tënd, as fqinjët e pasur, sepse mund të ndodhë se edhe ata të thërrasin ty për ta kthyer nderën e kështu ta shpërblejnë. Por, kur të bësh gosti, grish skamnorë, të gjymtë, të çalë e të verbër. Atëherë do të jesh i lum, sepse këta nuk kanë me çka ta kthejnë dhe do të shpërblehet në të ngjallur të të drejtëve.” Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht.

Më tepër këtu mund të dëgjoni Liturgjinë e Fjalës Hyjnore të dielës së 22-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë

Më tepër këtu mund të dëgjoni Liturgjinë e Fjalës Hyjnore të dielës së 22-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë........... 








All the contents on this site are copyrighted ©.