2016-08-25 06:00:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: Abrahami


Sot, të dashur lexues e dëgjues, ndalemi tek një shembull mikpritjeje në Shkrimin Shenjt - Bibël. Gjithnjë, duke folur për veprën e mëshirës “të përbujmë shtegtarët”, do t’ju japim shembullin e Abrahamit.

“Shtëpia e Abrahamit ishte e hapur për çdo krijesë njerëzore: për kalimtarët dhe për të riatdhesuarit e, çdo ditë, vinte dikush për të ngrënë e për të pirë në tryezën e tij. Kujt kishte uri, i jepte bukë e i ftuari hante, pinte e ngopej. Kush vinte i zhveshur në atë shtëpi, vishej prej tij e po prej tij mësonte ta njihte Zotin, Krijuesin e të gjitha gjërave” (Midrash).

Ky protret i mrekullueshëm i Abrahamit na tregon se ai ishte shumë mikpritës me të gjithë e të gjithëve u mësonte ta njihnin Zotin, sepse i bënte të shijonin atë mikpritje, që imitonte mikpritjen e Hyjit për njeriun. Në Midrashin e lashtë rabinik (tekst interpretimi i Shkrimit Shenjt) pyetet pse Zoti e nxorri Abrahamin nga toka e vet. Përgjigjet teksti se Abrahami ishte si enë me vaj të parfumuar e se Zoti donte ta nxirrte prej andej, që aty ku të mbërrinte, të gjithë ta ndjenin erën e mirë. Ky parfum arrin në lisat e Mambres, që dikush, i cili pritet të vijë aty, të dehej nga era e mirë: “Zoti iu duk Abrahamit te Qarret e Mambres, ndërsa po rrinte në derë të tendës. Ishte pika e zhegut. Si i çoi sytë përpjetë, i pa tre burra në këmbë pranë tij. Si i shikoi, vrapoi t’u dalë para prej derës së tendës dhe u përkul në nderim e tha: “Imzot, nëse kam ndonjë farë rëndësie para syve të tu, mos kalo pa hyrë te shërbëtori yt” (Zan 18,1-3). Në atë ditë plot diell e vapë, megjithëse akoma i dhimbte shtati nga rrethprerja, Abrahami, në vend që të rrinte brenda në tendë, ishte ulur në prag, vigjilent, në pritje për dikë, të cilit të mund t’i tregonte mikpritjen.

Rabini Huna tregon se Abrahami ishte njeri kaq mikpritës saqë: “sa herë ulej për të ngrënë, hapte dyert dhe thërriste: ‘Kushdo ka nevojë, le të hyjë e të hajë’”. Atë ditë, Abrahami pa tre burra, që afroheshin. Shkoi drejt tyre e u përkul, duke i ftuar të ndaleshin në tendën e tij. Në ata tre shtegtarë, njohu Zotin, që shkonte për ta vizituar e për t’u kujdesur për jetën e tij e, edhe për të ardhmen e tij, sepse nuk kishte fëmijë. Vërtet, fryti i mikpritjes do të ishte dhurata e një djali, i cili do të kishte pasardhës që do “të shtohen porsi yjet e qiellit, porsi rëra në bregun e detit” (Zan 22,17).

Shpirti i këtij takimi është buzëqeshja. Ajo është shenjë e mikpritjes dhe e dashurisë, shprehur në fytyrë. Buzëqeshja shoqërohet me hapjen e krahëve të Abrahamit, në shenjë përqafimi. Goja e shtegtarëve hapet në buzëqeshje kur shohin gatishmërinë e Abrahamit e buzët e tyre mbushen me gëzim, kur e lajmërojnë për të birin. E nga tenda, një zë: e qeshura e Sarës, që i del nga zemra kur mendon se kraharori (barku) i saj i tharë do të sjellë fryte. Edhe fryti do të jetë “i qeshur”: Isaku. Më vonë, Abrahami “mbolli një tamariskë në Bersabè” (Zan 21,33). Në hebraisht, tamariskës i thonë “eshel”. Talmudi (tekst i shenjtë i hebrenjve, pas Biblës) e interpreton kështu këtë verset: “Eshel tregon një pemë, nën të cilën Abrahami e kishte zakon të priste udhëtarët; pasi kishin grënë e pirë, u thoshte: ‘Rrini edhe natën e bekoni Zotin’”. Shtëpia-bujtinë kishtë katër dyer gjithnjë të hapura, për t’i ftuar njerëzit të hynin nga çdo drejtim të vinin. Kështu, çdo udhëtar i lodhur mirëpritej e ushqehej.

U përhap fjala se një njeri i vetëm kishte hapur një bujtinë falas në shkretëtirë e priste këdo. Njerëzit rrahnin nga të gjitha anët e, pasi kishin grënë, falenderonin të zotin e përgatiteshin për t’u nisur, por Abrahami i ndalonte dhe i nxiste të falenderonin Zotin për të gjitha të mirat, që kishin gjetur aty. Nëse refuzonin, duke thënë se nuk e njihin atë Zot, Abrahami u kërkonte një çmim tepër të madh për gjithçka kishin grënë e pirë. Udhëtarët kundërshtonin, sepse çmimi ishte i jashtëzakonshëm, por Abrahami diskutonte me ta, duke u thënë se ishte e pamundur të gjeje kaq ushqim në shkretëtirë, prandaj, pa dyshim që kjo ishte vepër e Hyjit. Në këtë mënyrë, Abrahami, falë mikpritjes e mësimeve të tij, i bëri qindra vetë të njihnin Zotin.

Shkruan shën Maksim Rrëfyestari: “Abrahami i madh e meritoi të shihte Zotin në formë njerëzore dhe ta priste si mik, sepse ia kishte ofruar vetveten Hyjit dhe e kishte pranuar Atë. U lartua deri tek Zoti, sepse për të, njeriu nuk duhej t’i nënshtrohej njeriut, por secili ishte njëlloj si të tjerët e të gjithë si një i vetëm”.








All the contents on this site are copyrighted ©.