2016-08-25 11:35:00

Papa Françesku dhe miqësia vëllazërore me Joseph Ratzinger


Doli nga shtypi në Itali vepra “Shërbëtor i Zotit dhe i njerëzimit. Biografia e Benediktit XVI” me parathënien e Papa Françeskut (Milano, Mondadori, 2016, 542 faqe). Libri është vepër e Elio Guerriero,  përgjegjës i botimeve, për një kohë të gjatë, pranë Jaca Book e Edizioni San Paolo, pastaj për njëzetë vjet drejtor i revistës teologjike “Communio”.  

“Çdo herë që Papa i nderit Benedikti XVI, duke pranuar ftesën time, ka dalur publikisht dhe kam mundur ta përqafoj para të gjithëve, gëzimi e duartrokitja e të pranishmëve ka qenë e sinqertë dhe e stuhishme. I jam mirënjohës Benediktit XVI që deshi të merrte pjesë në hapjen e Jubileut të mëshirës, duke kaluar përmes portën së shenjtë menjëherë pas meje”. Kështu shkruan mes tjerash Papa Françesku në paradhënien e një biografie të re të ‘Joseph Ratzinger-Benedikti XVI’, përgatitur nga teologu Elio Guerriero e botuar nga Mondadori.

Në tekst, Papa Bergoglio citon ndërhyrjen e kohëve të fundit të paraardhësit, i cili “vë në pah si ‘shenjë të kohëve’ faktin që ‘ideja e mëshirës së Zotit, përherë e më shumë duhet të bëhet gjithnjë e më qendrore dhe kryesore për njeriun e sotëm në pritje të mëshirës’, e kjo tregon edhe një herë në mënyrë të qartë se si dashuria përdëllyese e Zotit është fija më e thellë që bashkon papnitë e kohëve fundit, është mesazhi më urgjent që Kisha në dalje sjell deri në periferitë e një bote, të karakterizuar shpesh nga konfliktet, padrejtësitë e përbuzja për qeniet njerëzore”.

“Misioni i Kishës, shërbimi i Pjetrit, përmes ndryshimeve të natyrshme të situatave e të njerëzve – shkruan Ati i Shenjtë Françesku – janë përherë kumtim i dashurisë së mëshirshme të Zotit për botën. Tërë jeta e mendimit dhe veprat e Joseph Ratzinger ka pasur si qëllim këtë cak, e në të njëjtin drejtim, me ndihmën e Zotit, po përpiqem të vazhdoj edhe unë”.

“Kjo biografi e gjerë e paraardhësit tim Benediktit XVI është e mirëseardhur: ofron leximin kompleks të jetës së tij dhe të zhvillimit të mendimit të tij, të besueshëm e të ekuilibruar”. E

sipas Bergoglio-s, “të gjithë në Kishë kemi një borxh të madh mirënjohjeje ndaj Joseph Ratzinger-Benediktit XVI për thellësinë dhe drejtpeshimin e mendimit të tij teologjik, jetuar përherë në shërbim të Kishës deri në përgjegjësitë më të larta, si prefekt i Kongregatës për doktrinën e fesë, gjatë papnisë së gjatë të Gjon Palit II, e së fundi si bari universal”.

“Kontributi i fesë së tij dhe i kulturës së tij dhënë magjisterit të Kishës ka qenë vendimtar për t’iu përgjigjur pritjeve të kohës sonë, - nënvizon Françesku duke folur për paraardhësin e vet – sidomos gjatë tri dekadave të fundit. E pastaj  guximi e vendosmëria me të cilën Ratzinger është ballafaquar me situatat e vështira, na kanë treguar udhën për t’u përgjigjur, me  përvujtëri e vërtetësi, në frymën e ripërtëritjes e të pastrimit, situatave të tilla. Por dua të insistoi mbi faktin se që në vitet e para të papnisë sime, lidhja ime shpirtërore me të mbetët posaçërisht e thellë”.

Papa Bergoglio nënvizon, vërtetë, se “prania e tij diskrete e lutja e tij për Kishën kanë mbështetje e ngushëllim për shërbimin tim”.








All the contents on this site are copyrighted ©.