2016-08-24 14:00:00

“Nënë Tereza, Shenjtja e Mëshirës Hyjnore”. Çmimi Nobel, me rruzare në dorë!


Emisioni i 21-të i rubrikës “Nënë Tereza, Shenjtja e Mëshirës Hyjnore”, marrë nga libri “Njoha një shenjtore” shkruar nga kardinali Angelo Komastri, të cilin ne e zgjodhëm për ta njohur më nga afër Nënën tonë Terezë, flet për një nga kulmet njerëzore të jetës së Saj. Edhe ky, i çuditshëm si gjithë jeta e Terezës, që shkon ta marrë Çmimin Nobel për Paqen me rruzare në dorë, gjë që nuk ishte parë kurrë! Ky edhe titulli  i emisionit në vijim.

Nënë Tereza del nga kuvendi e veshur me një sari të bardhë: veshja e grave të varfëra, e grave që në Indi nuk vlejnë dy para.

Ecën. E pas çdo hapi që bën motra imcake shqiptare, mbijnë e lulëzojnë mrekulli bamirësie: fëmijë të braktisur, në grahma të vdekjes, lënë në skajet e skutat e rrugëve, të gërbulur e të sëmurë mendorë, të alkoolizuar e të rinj të prekur nga Sida, vajza nëna e rrugaçë… të gjithë nisin ta ndjejnë dorën e palodhur të saj e të motrave të saj që, me shpejtësi të rrufeshme, bëhen njëqind, njëmijë, dymijë, pesëmijë!

Kjo mrekulli nuk mund të kalonte pa u vërejtur: e vuri re mirë edhe Komiteti Nobel për Paqen.

Gjithsesi, më 1979, kur u përhap lajmi se Çmimi Nobel për Paqen do t’i jepej Nënë Terezës, të gjithë u befasuan. Nuk i befasoi fakti se do ta merrte Nënë Tereza. E kush e meritonte në shumë se ajo?

Po befasia lindte nga fakti se Komiteti, rreptësisht luteran,  kishte vendosur t’ia jepte Çmimin një murgeshe katolike: vërtet Shpirti Shenjt frymon atje, ku dëshiron! Duhet thënë menjëherë se Nënë Tereza nuk i donte çmimet. I pranonte vetëm që përmes tyre të njiheshin të vafërit e të ndihmoheshin: asnjë arsye tjetër nuk do ta kishte bindur kurrë ta pranonte!

Në dhjetor 1979, kur po nisej për Oslo, ku do t’i dorëzohej Nobeli për Paqen, disa njerëz deshën t’i jepnin një këshillë që, sipas arsyes njerëzore, ishte më se e vlefshme. I thanë, pra: “ Nënë, Nobeli për Paqen është çmim i lindur në troje luterane. E dorëzimi bëhet në Parlamentin e Oslos, që është edhe ai, luteran. Nuk do të ishte, prandaj, e arsyeshme, që ju të paraqiteshit atje me Rruzare në dorë; ju e dini se luteranët nuk e pranojnë devocionin tonë për Zojën, të cilin madje e shikojnë si bestytni…. Për fat të keq është pikërisht kështu!”.

Nënë Tereza i dëgjoi në heshtje. Si arriti dita, u paraqit duke shtrënguar në duart kockë e lëkurë, Rruzaren më të madhe që kishte. Jo për provokim, natyrisht! Por pse ky ishte identiteti i saj. E nuk e bënte këtë sa për sy e faqe, por për t’u treguar të gjithëve se ishte ajo që ishte e nuk mund të ndryshonte për asnjë çmim në botë.

Shkoi dhe e mori çmimin me gjithë thjeshtësinë, duke mbajtur një fjalim, që i delte nga thellësia e zemrës e që e bëri ndokënd të spërdredhë buzët, duke treguar, edhe një herë, bindjet e thella, që i prinin gjithë veprimtarisë së saj. A donin të çmonin veprën ? Atëhere duhet ta dinin mirë nga nisej. E pikërisht këtu shkëlqen ndershmëria e Nënë Terezës…








All the contents on this site are copyrighted ©.