2016-08-23 13:41:00

Papa, tweet: trafiku i qenieve njerëzore është krim kundër njerëzimit


“Trafiku i qenieve njerëzore, i organeve, puna e detyruar, prostitucioni, janë skllavëri moderne dhe krime kundër njerëzimit”. Në Ditën kundër trafikut dhe skllavërive të reja si dhe të zhdukjes së tyre, Papa Françesku u kundërvihet, përmes një tweet-i, fenomeneve dhe të gjitha pasojave të tyre të tmerrshme, dënuar shumë herë, që nga fillimi i papnisë. Sot kremtohet, në saje të nismës së OKB-së, Dita Ndërkombëtare kundër trafikut të qenieve njerëzore dhe formave të reja të skllavërisë.

“Krime kundër njerëzimit!”. Nuk mund ta quajë ndryshe Françesku, fenomenin e turpshëm, që ushqen tregun me mish njeriu, pa marrë parasysh moshë as vend, e që buron vetëm e vetëm nga etja për fitime. E ky, më shumë se dënim, është kushtrim. Kushtrim, që Papa e lëshon për të satën herë, ashtu si e lëshoi edhe të “Premten e kaluar të Mëshirës”, duke përqafuar disa viktima të trafikut e duke e quajtur fenomenin: “Plagë në korpin e njerëzimit  bashkëkohor e plagë në korpin e Krishtit”.

Krime për t’u dënuar

Qershorin e kaluar, duke marrë fjalën në takimin mbi këtë temë, organizuar në Vatikan, Papa u qe drejtuar gjykatësve të pranishëm duke u kujtuar se drejtësia duhet të ndjekë rrugën e vet, e lirë nga çdo presion, që mund ta kushtëzojë, që skllavëritë e reja të ndiqen si krime tejet të rënda e të shëmtuara, siç edhe janë.

Ndërgjegjja, kundër indiferencës

Edhe Kisha, pati pohuar, duhet të merret me “politikën e madhe”, atë, “që ka të bëjë me temat e mëdha të njerëzimit”, e të japë ndihmesën e vet për krijimin në shoqëri të një motoje të tërthortë, të valëzuar, nga periferitë, në qendër e anasjelltas, që i shkund ndërgjegjet, viktima edhe ato, të këtij “globalizimi të indiferencës”, që nuk të bën më as të indinjohesh e as të prekesh para tmerrit të heshtur të një vajze të vogël, e cila detyrohet të shitet ose të një foshnje, që përdoret si “rezervuar” organesh, për t’u blerë nga ai, që paguan më shumë!








All the contents on this site are copyrighted ©.