2016-08-22 12:57:00

Papa: falja e Zotit nuk duhet të jetë vetëngushëlluese, por të fitojë mbi mllefet e njerëzimit


“Gjithë të krishterët janë të thirrur të jenë dëshmitarë të mëshirës, duke fituar mbi mllefin, që e trondit botën”: këtë uron Papa Françesku në një mesazh, nënshkruar nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, me rastin e Javës së 67-të Liturgjike Italiane, që u hap sot në Gubbio. Tema e takimit, “Liturgjia, si shteg i Mëshirës”.

Gjithçka nis nga vetëdija se je i falur. Është kjo vetëdije - kujton Papa  Bergoglio-  që të shtyn të falësh. Je i pajtuar, për të pajtuar. Mëshira e Atit nuk mund të mbyllet brenda vetes, nuk mund të kufizohet me vetëngushëllimin. Ajo e tregon forcën, kur i përtërin njerëzit e i bën të aftë t’u ofrojnë të tjerëve përvojën e gjallë të së njëjtës dhuratë.

Duhet, prandaj, të jemi dëshmitarë të mëshirës në çdo ambient, duke ngjallur dëshirën dhe aftësinë e faljes. E kjo është detyrë, që duhet kryer nga të gjithë - nënvizon Papa - posaçërisht përballë mllefit, që i pushton shumë njerëz, të cilët kanë nevojë ta rigjejnë gëzimin e humbur, ta rifitojnë qetësinë shpirtërore e ta riprovojnë shijen e paqes.

Papa uron që kuptimi i liturgjisë të fitojë pjekuri gjithnjë më të madhe, si fons et culmen (burim e kulm) i jetës kishtare e personale, plot me mëshirë e mirëkuptim, sepse e formuar vazhdimisht në shkollën e Ungjillit.

Kur përpiqemi ta jetojmë çdo ngjarje liturgjike me sytë e ngulur tek Jezusi  e fytyra e Tij e mëshirshme - pohon Papa Françesku - mund ta kuptojmë dashurinë e së Shenjtnueshmes Trini. Kjo dashuri tashmë është e dukshme dhe e prekshme në të gjithë jetën e Jezusit. Në Të, gjithçka flet për mëshirë. Asgjë në Të nuk është pa dhembshuri.

Siç thoshte Papa Shën Leoni i Madh: “Ajo, që ishte e dukshme edhe e prekshme në Shëlbuesin tonë, kaloi në sakramentet”. E kjo na ndihmon ta perceptojmë gjithë liturgjinë si udhë të mëshirës, të cilën e takojmë dhe e pranojmë, për ta dhuruar, udhë ku misteri i madh i pajtimit bëhet i pranishëm, kumtohet, kremtohet, komunikohet.

“Dhurata e mëshirës - lexojmë në mesazh - shkëlqen në mënyrë krejt të veçantë në Sakramentin e Rrëfimit, Sakrament pendese e pajtimi. Riti i Pendesës sakramentore - përfundon Papa Françesku - duhet perceptuar si shprehje e një ‘Kishe në dalje’, si portë jo vetëm për të rihyrë pas largimit, por kryesisht si prag i hapur drejt periferive të ndryshme të njerëzimit, gjithnjë më nevojtar për mëshirë. Në të kryhet takimi me mëshirën rikrijuese të Zotit, prej nga dalin gra e burra të rinj, për të kumtuar jetën e mirë të Ungjillit, përmes një jete të pajtuar e pajtuese”.








All the contents on this site are copyrighted ©.