2016-08-22 11:30:00

Me 22 gusht kalendari kishtar kremton festën e Shën Marisë Mbretëreshë


Me 22 gusht kalendari kishtar kremton festën e Shën Marisë Mbretëreshë. Maria, pjesëmarrëse në mbretërinë e lavdishme të Krishtit, propozohet nga Kisha si shembull e shenjë shprese për të krishterët, të cilët të pajisur me dinjitetin mbretërore të Zotërisë Jezus në Sakramentin e Pagëzimit, janë të thirrur të mbretërojnë përjetësisht në amshim me Të.

Pra, Festa e sotme e së Lumes Mari Virgjër Mbretëreshë, që përkon me atë të Krishtit Mbret, u themelua nga Piu XII në vitin 1955. Para reformimit të kalendarit liturgjik, kremtohej më 31 maj, si kurorëzim i devocionit të veçantë marian në muajin që i kushtohet Zojës së Bekuar. Ndërsa 22 gushti i takonte Zemrës së Papërlyer të Marisë. Pikërisht në këtë datë u caktua festa e Marisë Mbretëreshë, për t’i afruar pushtetin mbretëror të Virgjërës me lumturimin e saj përmes Ngjitjes në Qiell.

Ky vend krejt i veçantë, pranë Krishtit Mbret, vjen nga një numër i madh titujsh, të cilët shpjegohen nga Papa Piu XII në letrën enciklike ‘Ad Coeli Reginam’ (11 tetor 1954), duke u nisur nga titulli ‘Nëna e Kokës dhe e gjymtyrëve të korpit mistik’, për të vijuar me titullin ‘Perandoreshë e Shenjtë e Mbretëreshë e Kishës’, që e bëjnë pjesëtare jo vetëm të pushtetit mbretëror të Krishtit, por edhe të ndikimit të tij jetik e shenjtërues mbi gjymtyrët e Korpit mistik që është Kisha e populli i Zotit. Në latinisht fjala ‘regina’ (mbretëreshë) ashtu si fjala ‘rex’ (mbret), rrjedhin nga folja ‘regere’ (të mbretërosh, të sundosh).

Po ta shikosh me syrin njerëzor, është e vështirë t’i japësh Marisë një rol sundues. Si mund ta shikosh si sundimtare, Atë që e shpalli veten shërbëtore e Hyjit e që e kaloi gjithë jetën në fshehtësi e në heshtje? Luka, në Veprat e Apostujve, e përshkruan Marinë pas ngjitjes së Krishtit në qiell, në mes të të Njëmbëdhjetëve, gjithnjë duke u lutur. E urdhrat nuk i jep ajo, por Pjetri. Megjithatë në këtë rrethanë, ajo është hallka që i mban këta burra, ende të papërforcuar nga Shpirti Shenjt, të lidhur ngushtë me të Ngjallurin.

Maria është mbretëreshë, sepse është Nëna e Krishtit, Mbret. Është mbretëreshë, sepse shkëlqen mbi të gjitha krijesat në shenjtëri. E kësaj mbretëreshe i falen kombet e popujt, poetët e artistët e të gjitha kohëve, e edhe poeti anonim shqiptar, që i këndon:
“T’ falem, Mbretëreshë, e bukura!
Mbi krye tand ndritë kunora,
Që e popujve edhe e kombeve
Desht me vendue dora,
Kah n’ ahte t’ njëmijë zemrave,
Toka ty t’ thotë se t’ don!”.

“Dhurojani veten Jezusit për të hyrë në pafundësinë e Zemrës së Tij të madhe, që përmban Zemrën e Nënës së tij të Shenjtë e atë të të gjithë shenjtorëve, si edhe për të humbur në këto thellësi dashurie, bamirësie, mëshire, përvujtërie, durimi, nënshtrimi e shenjtërie”. (Papa Benedikti XVI).








All the contents on this site are copyrighted ©.