2016-08-22 13:53:00

Françesku valdezëve: ndryshimet të mos na pengojnë të punojmë së bashku për të varfërit


Papa Françesku, në shenjë afërsie shpirtërore, u dërgoi urimet dhe përshëndetjet më të përzemërta pjesëmarrësve të Sinodit të Kishave metodiste e valdeze, që u hap dje, në Torre Pellice, në provincën e Torinos.

Në një letër, nënshkruar nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, Françesku “i siguron pjesëmarrësit e Sinodit për një kujtim të veçantë në lutje, duke i kërkuar Zotit dhuratën të ecet me sinqeritetin e zemrës drejt bashkimit të plotë, për t’ia dëshmuar sa më me forcë Krishtin mbarë njerëzimit, duke ecur së bashku drejt burrave e grave të sotme, për t’u transmetuar zemrën e Ungjillit”.

Papa uron që ndryshimet ndërmjet katolikëve e valdezëve të mos bëhen pengesë për gjetjen e formave të bashkëpunimit në fushën e ungjillëzimit, të shërbimit ndaj të varfërve, të sëmurëve, të emigrantëve si dhe në mbrojtjen e Krijimit. Së fundi i lutet Shpirtit Shenjt “të na ndihmojë për ta jetuar atë bashkim, që na nxjerr nga Zoti hirin  e mëshirës e të paqes”.

Marsin e kaluar, për herë të parë në histori, një delegacion zyrtar i Kishave metodiste e valdeze u prit në Vatikan nga Papa. Ndërsa më 22 qershor 2015, Françesku, Papa i parë në histori, shkoi për vizitë në tempullin valdez, në Torino.     








All the contents on this site are copyrighted ©.