2016-08-22 13:45:00

Dom Jeton Thaçi: Jubileu i Mëshirës në bënë të ndjehemi të rëndësishëm


Viti Jubilar i Mëshirës së Zotit në Kosovë, bisedë me dom Jeton Thaçin..

Që në fillim të papnisë, Ati Shenjtë Françesku, ka kërkuar e propozuar një Kishë të përvuajtur dhe të guximshme, që e dëgjon zërin e Shpirtit Shenjt Hyj. Një Kishë, që del nga vetvetja për të shkuar në periferitë e botës. Një Kishë nënë, që ndërton ura e jo mure. Një Kishë me dyer të hapura, që është bashkësi dashurie e jo organizatë jo qeveritare, një Kishë që u ofron njerëzve Mëshirën e pakufishme të Zotit.

Për këtë edhe shpalli Vitin e Mëshirës së Zotit. Me priftin dom Jeton Thaçi, flasim për Jubileun e Mëshirës së Zotit në Kishën e Kosovës, për përgatitjet për shtegtimin për kanonizimin e Nënë Terezës, në Vatikan, Lumturimin e Martirëve të Kishës shqiptare e tema tjera, në kuadrin e Vitit Jubilar.

Si perceptohet Viti jubilar i Mëshirës Hyjnore nga besimtarët në periferinë kishtare të Kosovës?

Çka do të thotë “Mëshira e Zotit” për realitetin njerëzor e shoqërore, siç është Kosova?

Cilat janë nismat, kremtimet që Kisha katolike në Kosovë ka ndërmarrë për Vitin e Mëshirës ?

Përjetimi - dëshmia juaj si meshtar për këtë Vit Jubilar...

Dom Jeton Thaçin e nis reflektimin e tij pikërisht nga Viti Shenjt, aq i dëshiruar nga Papa Françesku, që po i jep botës mbarë një mundësi të pashembullt; mundësinë për të provuar Mëshirën e Zotit. Kisha e Kosovës është pjesë e Kishës universale, e edhe pse është e vogël, ajo është e gjallë, dinamike. Kisha në Kosovë - thotë don Jetoni – është në periferi, por Viti i Mëshirës na bënë të ndjehemi të rëndësishëm.

Përmes Vitit Jubilar të Mëshirës së Zotit, Papa Françesku, i tregon botës mbarë se njerëzit më të preferuar për Kishën, janë pikërisht të përjashtuarit, ata, që shoqëria bashkëkohore mund t’i shikojë si hedhurina, ndërsa Kisha, si thesarin e saj më të çmuar.

E pastaj edhe fakti që Papa zgjodhi kanonizimin e Nënë Terezës, si shembull të jashtëzakonshëm të mishërimit të dashurisë ndaj më nevojtarëve. Kësaj duhet shtuar dekretimin e Lumturimit të Martirëve të Kishës shqiptare, ngjarje që tregon dëshirën për t’u krijuar të gjithëve mundësinë të përfitojnë nga Mëshira e pakufishme e Zotit e të mësojnë nga shembulli i lartë i Ganxhe Bojaxhiut dhe martirëve të shumtë të Kishës ndër shqiptarë. E kjo, sepse, para së gjithash, nënvizon dashurinë e Papës për popullin shqiptar.

Kisha pra, mundohet që çdo njeri të mund ta provojë dashurinë mëshirëplote të Zotit. Ja, qëllimi i Vitit Shenjt. Kisha katolike, përmes Vitit Jubilar të Mëshirës së Hyjit, ofron, forcën dhe pushtetin e dashurisë së Zotit, që e shërojnë njeriun, e ngrenë përsëri në këmbë, e bëjnë të aftë të nisë një jetë të re. Kjo pra, porosia, që u transmetohet besimtarëve katolikë të mbarë botës, në të gjitha periferitë ekzistenciale, edhe këtu në Kosovës, gjatë kremtimit të Vitit të Mëshirës së Zotit, pohon mes tjerash dom Jeton Thaçi.

Po e kujtojmë një lutje të bukur të Papës Françesku, shqiptuar në Bangui, në Afrikën e largët Qendrore, më 11 nëntor 2015 gjatë hapjes së Portës Shenjte të Vitit Jubilar: “O Zot, ti që e dëfton gjithëpushtetin tënd Hyjnor posaçërisht me mëshirën ndaj njerëzve, bëj që të jetojmë një vit hiri, kohë e përshtatshme për të të dashur Ty e vëllezërit, në gëzimin e Ungjillit”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.