2016-08-19 10:07:00

“Nënë Tereza, Shenjtja e Mëshirës Hyjnore”- pohimi i dytë i madh.


Në Emisionin e 17-të të rubrikës “Nënë Tereza, Shenjtja e Mëshirës Hyjnore”, marrë nga libri “Njoha një shenjtore” i kardinalit Angelo Komastri,  e ndjekim Terezën në St Mary’s High School, të Kalkutës e në fillim të asaj rruge, që do ta çonte ku as ajo vetë nuk e pati menduar kurrë.

Tereza e re qe caktuar të punonte në St Mary’s High School, drejtuar nga Kongregata e Motrave të Loretos, në Kalkutë: këtu ajo do të jepte për shumë vjet mësimin e gjeografisë dhe të historisë për t’u bërë, pastaj, drejtoreshë e shkollës. Pesëqind nxënëset e kësaj shkolle vinin nga  borgjezia e lartë e qytetit, gjë që u krijonte mundësitë të kalonin një jetë mjaft të rehatshme për kushtet e asokoshme bengaleze. Ishin të gjitha vashëza të shëndetshme, veshur me uniforma të këndshme shkollore.

Tereza, që ndërkohë mësoi të fliste mirë gjuhën hindi e bengali, ishte mësuese shkëlqyer. Më vonë do të thoshte se profesioni i mësueses i kishte pëlqyer gjithnjë, më shumë e çdo tjetër.

Por pas mureve të High School shtrihej një slum vigan me emrin qesharak Moti Jheel, Deti i Margaritarëve. Duhma e qelbur e barakave e kapërcente dendur murin rrethues të kolegjit e hynte në dhomat e rehatshme të konviktit, ku banonin vajzat e pasura. Motër Tereza i merrte shpesh me vete disa nga nxënëset, pajisë me fasha e jod, e përshkonte me to, lagjen e mjerimit. Shkonte tek të varfërit, ndihmonte kë mundte e si mundte, çonte ushqim e veshmbathje në kasollet e mjerimit, jepte ndihmesën e vet në spitalin e pajisur vorfnisht të lagjes. E, kur kthehej në shtëpinë e këndshme, të mobiluar aq mirë, e brente gjithnjë më fort ndërgjegjja.

Zoti donte më shumë prej saj, e ajo e ndjente këtë gjithnjë më fort, gjithnjë më qartë. Lutje, ndonjë vizitë kur kishte kohë… jo, kjo nuk mjaftonte  më. Vizitat e saj në Moti Jheel dukeshin qesharake e krejt pa kuptim!

E ky shqetësim i thellë shpirtëror u bë edhe më i fortë, kur mori një letër nga e ëma. Motër Tereza i kishte shkruar se po i kushtohej me kënaqësinë më të madhe edukimit të vajzave indiane, që e dëgjonin me vëmendje dhe  e donin shumë.

Priste një përgjigje entuziaste. Po Nënë Drandja i shkroi një letër, ku çdo fjalë peshonte më rëndë se guri i mullirit: “Si? U nise t’u shërbesh të varfërve e po u shërbeke të pasurve? A e paske harruar Filen, a? E ke harruar sa vuante? E vuante pikërisht sepse të gjithë e kishin braktisur. Bija ime, të lutem, mos i braktis edhe ti të varfërit!”.

Më 10 shtator 1946 Tereza, në moshën 36 vjeçare,  gjatë një nate krejt pa gjumë, kur udhëtonte me tren, merr vendimin të dalë përsëri, tani nga kuvendi, për të zbritur me guxim në ferrin e të varfërve, që të mund të ringjitej, kështu, në parrizin e dashurisë!

“Duhet të dilja nga kuvendi e t’i ndihmoja të varfërit, duke jetuar si e varfër ndërmjet tyre”. Kështu, me dy fjalë, e përshkruan, më pas, ç’i  ndodhi atë natë vendimtare. “Ndjeva thirrjen për të hequr dorë nga gjithçka e për ta ndjekur Jezusin ndërmjet të varfërve më të varfër. E kuptova se ky ishte vullneti i Tij; kjo, Fjala e Tij, të cilën unë nuk mund ta vija në dyshim. Duhej ta ndiqja, atje ku po më ftonte”.








All the contents on this site are copyrighted ©.