2016-08-19 00:00:00

Shenjtorët e javës 21-28 gusht


E diel 21 gusht, Kisha katolike kremton të Dielën e 21-të të vitit liturgjik. Gjithnjë më 21 gusht, kalendari kishtar përkujton shën Piun X, papë. Ungjilli i kësaj së diele, përmes shëmbëlltyrës së derës së ngushtë, na kujton cilat janë kushtet për të hyrë në mbretërinë e Hyjit. Nuk mjafton Mesha e së dielës apo një praktikë e përgjithshme fetare: lypet përcaktimi për të jetuar në përkim me mësimin e sipas shembullit të Krishtit, Shpëtimtarit të njerëzimit.

Të hënën më 22 gusht, nga kalendari kishtar përkujtohet Zoja Mbretëreshë, shën Timoteu, martir romak dhe shën Filip Benixi, meshtar.

Të martën më 23 gusht, kalendari përkujton shën Rozën nga Lima, virgjër e terciare domenikane, shën Zakeun, shenjtorët Abondio, Ireneu, Qiriaku dhe Arkelau, të gjithë martirë.

Të mërkurën më 24 gusht, kalendari kishtar përkujton shën Bartolomeun, apostull.

Të enjten më 25 gusht, kalendari kishtar përkujton shën Ludovikun, e shën Jozef Kalasancio-n, meshtar, themelues i rregulltarëve Skollopë.

Të premten më 26 gusht, kalendari kishtar përkujton shën Melkisedekun, shën Anastazin, shën Eleuterin. Po më 26 gusht përkujtohet Zoja e Çestohovës. Thesari më i çmueshëm i Jasna Gorës (Poloni) është Figura e Mrekullueshme e Zojës së Bekuar.

Gjithnjë më 26 gusht, bie përvjetori i lindjes i së Lumes Nënë Terezë, Ganxhe Boajxhiu, më 26 gusht 1910 në Shkup, aso kohe nën sundimin otoman.

Të shtunën më 27 gusht, kalendari kishtar përkujton shën Moniken, nënën e shën Agostinit, ipeshkëvShën Monika na kujton edhe ne, ashtu si i pati kujtuar të birit, se duhet të rrimë gjithnjë zgjuar, duke e jetuar jetën tonë me kujdes, me sytë gjithnjë të ngulur drejt cakut të mbramë të jetës, që është Zoti. Shën Monikën, është model gjithmonë aktual për gratë e shekullit XXI..

Të dielën e ardhshme më 28 gusht, bie e Diela e 22-të gjatë vitit kishtar, gjithnjë më 28 gusht kalendari kishtar përkujton edhe shën Agostinin, ipeshkëv i Iponës e doktor i Kishës, dhe shën Hermetin, martir. Shën Agostini që sundon mbi gjithë mendimin e krishterë, e nisi jetën si njeri i çkujdesur, i shthurur. Lutjet e nënës së tij, Monikës, i nxorën nga Zoti hirin e kthimit, që ia mbushi zemrën me dashuri. E pikërisht kjo dashuri hyjnore përshkon tej e mbanë gjithë veprën e tij teologjike e baritore . Kthehu nga unë o Zot, me vështrim dashurie. “Vonë të kam dashur, Bukuri kaq e lashtë e kaq e re, vonë të kam dashur. E ja që Ti ishe brenda meje e unë isha jashtë e aty Të kërkoja… Më verbove me shkëlqimin tënd, e më në fund e shërove verbërinë time”. Janë këto veprat e mëdha të Zotit që shën Agostini sheh në jetën e vet.








All the contents on this site are copyrighted ©.