2016-08-18 11:17:00

Shën Flori e Lauri, dy shenjtorë që derdhën gjakun për Krishtin në trojet shqiptare


Më 18 gusht, Kisha katolike përkujton dy shenjtorë, që derdhën gjakun për Krishtin në trojet shqiptare: e kemi fjalën për Shën Florin e Shën Laurin, nga qyteti i Ulpianës në tokën e Dardanisë, Kosova e sotme.

Tradita dy mijëvjeçarë e krishterimit ndër shqiptarë, nuk mund të mos i falte banorëve të këtyre trevave në shekuj edhe shenjtorët vendas, e ungjillëzues të trevave ku banojnë sot shqiptaret. Dy prej tyre, Shën Florin e Shën Laurin, Kisha katolike universale i kremton më 18 gusht.

Për t’i njohur më mirë figurat e tyre po kujtojmë se: siç dëshmohet prej burimeve kishtare, Dyrrah-u – Durrësi, pati qysh në vitin 56 një ipeshkëv të shuguruar.
Në kohën kur Shën Pali Apostull shkelte në Durrës, atje nisi shërbimin një ipeshkëv me emrin Cesar, i cili qe një nga martiret e parë të fesë së Krishtit, pra një nga shenjtorët më të hershëm të krishterimit. I dyte nder shenjtoret e botes iliro-shqiptare është shën Ashti (apo shën Asti), gjithashtu peshkop i Durrësit, i martirizuar ne vitin 117.

Shën Jeronimi (Hieronymus), një nga katër dijetarët e mëdhenj të kishës, që në shekullin e 4-të përktheu “Vulgate-n”, duke i dhënë Perëndimit të parin tekst të shkrimit të shenjtë - Biblës në latinisht, ishte nga Stridoni i Dalmacise, vend i banuar nga iliret, gjë që e pohon vetë Shenjti në shkrimet e tij.

Pak a shumë në të njëjtën kohë, shën Niketa, i njohur edhe me emrin “ shën Niketa i Dardanisë “apo “ shën Niketa i Remessiana-s” ( tek sllavet: “sveti Nikita”, kompozoi himnorën e mirënjohur “ Te deum, laudeamus”-“ Ty Zot të lavdërojmë”. Të paktën që nga fillimi i shekullit të kaluar, kur britaniku A. E. Burn botoi në Cambridge (1905) monografinë “Niceta of Remessiana”, dihet botërisht se ky shenjtor doli prej botes iliro-shqiptare. Vetë shën Niketa shkruan me dorën e tij: “Dardanus sum” jam dardan.

Shenjtorët e martirët e tjerë pasuruan traditën e krishterimit ndër shqiptarë duke ardhur prej visesh ku nuk patën mundësi, për shkak të persekutimeve të jashtëzakonshme, të përhapnin Ungjillin e Krishtit.

Flori e Lauri, ose Floriani e Laurini, siç njihen shpesh dy vëllezërit binjakë, erdhën nga vise të largëta në shekullin e 2-të në Dardani, e pikërisht në Ulpiana, afër Prishtinës, ku, me pëlqimin e sundimtarëve vendas, ngritën një Kishë të krishterë, të cilën ia kushtuan Jezu Krishtit. Jetuan në gjysmën e parë të shekullit të 2-të dhe, kur persekutimi ndaj krishterimit u shtri edhe në trevat ilire, në Kosovën e sotme, Flori e Lauri u martirizuan, duke mbrojtur kështu tokën e të parëve tanë me gjak të derdhur për të dëshmuar Krishtin.

Në fillimin e shekullit të pestë, sipas dëshmive të Atë Zef Valentinit ( 1929), shën Gjon Gojarti kaloi dy vite të vështira në brendësi të Ballkanit, saktësisht në tokën ilire. Një dëshmi e paraqitur një shekull më parë nga greko- shqiptari Nikolaos Mystakidis bën të ditur se Kishës së Labovës perandori Justinian i dhuroi një copë nga druri i shenjtë i Kryqit të kryqëzimit të Krishtit dhe një dorëshkrim të artë të shën Gjon Gojartit.

Tradita e takimit të hapësirës shqiptare vazhdoi me shekuj. Në veri shën Sergji e Baku; në jug shën Gjon Vladimiri, deri tek shën Kozmai, tregojnë se bota shqiptar e jo vetëm nuk ishte e largët për misionaret e shenjtë, por, madje, u krijonte atyre mjedise zhvillimi e lartësimi për misionin e ungjillëzimit dhe përhapjen e kulturës.

Kjo nuk lidhet vetëm me bashkësitë e krishtera, por me bashkësinë shqiptare në tërësi. Për ilustrim po lexojmë të plotë letrën e Ali Pashë Tepelenës drejtuar të bindurve të tij, me porosinë për ringritjen dhe ruajtjen e manastirit të shën Kozmait: “Juve rum te nahijes se Beratit, myzeqare dhe vlleh grabovare, katunde dhe çifliqe. Ju lajmëroj se ja ku vura një epitrop qe te me ndreqe manastirin e plakut Kozma; ndihmova dhe unë me aspra e te ndihmoni dhe ju si t’ju thotë dhespoti, me qellim qe te ndreqet ky manastir. Për ata që nuk do të japin ndihmën e tyre, do të më mbetët hatëri dhe pastaj do të paguajnë dyfish. Sikundër ju urdhëroj ashtu të bëni pas këtij vendimi. (Në Gjirokastër, më 12 shtator 1813” (“Kodikët e Shqipërisë “, bot i DPA § Unesco-s, Tirane 2003, f.48)

Dijetari austriak, Todor Ippen, shkruan se në malet e Shqipërisë së Veriut dikur shiheshin portrete shenjtorësh të kohës së paleokrishterimit. Kjo nuk është provuar dhe as mohuar nga ndonjë studiues i mëvonshëm. Por në një përmendore tjetër të kulturës tradicionale, në të drejtën etnozakonore shqiptare, thuhet rreptë se “shtëpia e shqiptarit është e Zotit, e mikut dhe e shtegtarit”, shprehje kjo e mirënjohur për të gjithë, por, për fat të keq pa shtojcën: “Kujdes, sepse nuk dihet kush troket: shenjti a përderësi”.

Në jetën e tyre të përditshme, Shën Flor e Lauri ditën ta mishëronin e ta dëshmonin idealin e drejtësisë e të lirisë, të solidaritetit e të mirëkuptimit, të besimit e të bindjes ndaj Zotit, të shërbimit e të vëllazërimit ndaj të afërmit.

Që shembulli i këtyre dy martirëve të mos humbet, madje që jeta e dëshmia e tyre të ringjallen e të kthehen në kujtesën e besimtarëve të krishterë e të vëllezërve të tyre në gjak, në vitin 1989-1990 në fshatin Grazhdanik, afër Prizrenit, është ndërtuar një Kishë e vogël, kushtuar pikërisht këtyre dy martirëve të Ulpianës, Florit e Laurit. Kjo nismë e vepër u ideua e realizua nga prifti famullitar i Kishës Katedrale të Prizrenit, mons. Nikollë Mini. I përjetshëm qoftë kujtimi tij.

Me kremtimin e shën Florit e Laurit, edhe Kisha katolike shqiptare e posaçërisht ajo në Kosovë, e radhitë popullin shqiptar me ata popuj të mëdhenj që dhuruar shenjtorë e martirë, duke kontribuar jo vetëm në zhdukjen e idhujve, po edhe në cilësimin e vlerave të vërteta shpirtërore e njerëzore, vlera të cilat në një mënyrë krejt të veçantë u mishëruan në jetën e veprën e martirëve dardanë. Prandaj, mund të themi se jeta dhe martirizimi i tyre, janë një thesar i çmueshëm shpirtëror, njerëzor e kombëtar.








All the contents on this site are copyrighted ©.