2016-08-18 14:34:00

Shpallet viti jubilar për imzot Oscar Romero


U shpall viti jubilar për imzot Oscar Romero, i cili filloi të hënën më 15 gusht me kremtimin e Meshës solemne në Katedralen e San Salvador e do të përfundojë të njëjtën datë më 2017, në përkim me qindvjetorin e lindjes të të Lumit. Njoftimin e dha kryeipeshkvi imzot José Luis Escobar y Alas para mijëra besimtarëve të San Saòvadorit mbledhur para Katedrales ku pushon trupi e gjendet mauzoleu i Ipeshkvit të vrarë më 1980 ndërsa kremtonte Meshën.

Viti jubilar u hap me urimin e ipeshkvit imzot Escobar y Alas: “Shpresojmë që kur të përfundojë viti jubilar imzot Romero të jetë shpallur shenjtë”. Siç dihet çështja e kanonizimit është në Kongregatën e Selisë së Shenjtë për çështjen e Shenjtorëve, në pritje të mrekullisë që të mund të provohet e kështu të shkoi përpara ecja e çështjes së kanonizimit të martirit drejt lartimit në nderimet e altari, pas beatifikimit, që u kremtua në El Salvador, më 23 maj të vitit 2015.

Po kujtojmë se imzot Óscar Arnulfo Romero, u vra nga urrejtja për fenë më 24 mars 1980. Papa Françesku, me rastin e lumturimit të tij më 2015, në një audiencë, në Vatikan, me një delegacion të El Salvador, tha se “martirizimi i imzot Romeros u parapri nga vuajtjet e persekutimet. Por edhe pas vdekjes, shtoi, martirizimi i tij vijoi. Pasi u vra, u përgojua, u mbulua me shpifje, deri nga vetë vëllezërit në meshtari e ipeshkvij. Edhe pasi dhuroi jetën e vet, pohoi Françesku, vijoi ta dhurojë përsëri e përsëri, nësa emri i tij poshtërohej e përndiqej. E pastaj Papa shtoi: “Kjo më jep forcë… Vetëm Zoti e di! Vetëm Zoti e di historinë e njerëzve. Sa e sa herë njerëzit, që dhanë jetën e tyre, që vdiqën, vijuan të gjuhen me gurin më të rëndë, që ekziston në botë: gjuhën!”

Nderi i martirizimit

Imzot Óscar Arnulfo Romero – shpjegoi Papa  Bergoglio – ishte bari i mirë, plot me dashuri për Zotin e afërsi për vëllezërit. Ishte dëshmitar i Ungjillit deri në martirizim. Edhe sot, shtoi Françesku, gjaku i një numri të madh martirësh vijon të derdhet në botë, me shpresën e sigurt se do sjellë fryte të begata shenjtërie e drejtësie. “Duhet të jemi gati – tha Ati i Shenjtë Françesku, duke kujtuar fjalët e shqiptuara nga imzot Romero – të vdesim për fenë tonë, edhe nëse Zoti nuk do të na e japë këtë nder. Sepse të japësh jetën nuk do të thotë vetëm të vritesh: do të thotë të kesh shpirtin e martirizimit, ta japësh jetën në shërbim, në heshtje, në lutje, në kryerjen me nder të detyrës.

Martiri, shok udhe

Martiri nuk lidhet me të kaluarën, nuk është një figure e bukur - vijoi Papa – që stolis kishat tona e që e kujtojmë me mall: “Martiri është vëlla, është motër, që vijon të na shoqërojë në misterin e Shoqërisë së Shenjtorëve e që, i bashkuar me Krishtin, nuk e harron shtegtimin tonë mbi tokë, vuajtjet tona, agonitë tona.








All the contents on this site are copyrighted ©.