2016-08-18 13:47:00

Rubrika “Nënë Tereza, Shenjtja e Mëshirës Hyjnore”: “Ku po shkon Tereze Bojaxhija?”


Emisioni i 16-të i rubrikës “Nënë Tereza, Shenjtja e Mëshirës Hyjnore”, marrë nga libri “Njoha një shenjtore” i kardinalit Angelo Komastri, i jep përgjigje pyetjes: “Ku po shkon 18 vjeçarja Anjeze Bojaxhija?

Anjeza u nis për Dublin, pranë Rathfarnham, kur është Shtëpia Nënë e Motrave të Loretos.

Pa mbërrijtë mirë, gjëja e parë që mësoi, ishte anglishtja e, vetëm pak kohë më pas, qe gati të nisej për Indi: toka e ëndrrave të saj, toka ku do të dëgjonte zërin e Jezusit, toka ku do të niste një nga mrekullitë më prekëse të bamirësisë në të gjithë historinë dymijëvjeçare të Kishës.

U nis më 1 dhjetor 1928, me anijen Marcha: e kaloi Krishtlindjen me disa motra, që udhëtonin me të, pa Meshë, sepse aty nuk kishte asnjë meshtar.

Në mesnatën e 24 dhjetorit 1928 kënduan së bashku “Lumni i qoftë Zotit në qiell”, para një Shpelle të vogël, sajuar me letra: ishte varfëria e Betlehemit, që do të bëhej shoqe e pandarë e Nënë Terezë së ardhshme.

Më 6 janar 1929 anija hyri në grykën e lumit Gang: Anjeza ishte në shtëpi, kishte arritur në Kalkutën, që do të bëhej një me emrin e saj “Tereza e Kalkutës!”.

U ndalua disa ditë me simotrat në kryeqendrën e Bengalit Lindor, aq sa iu desh për të pushuar paksa e për të rifilluar shtegtimin e lodhshëm. Pastaj u rinis për në Darjeeling, në shpatet e Himalajës, ku do të fillonte rishtarinë. E katapultuar në një tokë plotësisht të panjohur, Anjeza e la Zotin të veprojë mbi të, duke ndjekur vetëm çka i diktonte Shpirti Shenjt.

Rishtaria zgjati disa muaj, e pastaj, edhe dy vjet noviciat, të cilin e nisi më 23 maj 1929, në praninë e kryeipeshkvit të Kalkutës, imzot Fernando Périer, i cili u dorëzoi noviceve simbolet e jetës rregulltare - kryqin, velin, rruzaren - e ua bekoi petkat.

Motër Tereza (ky ishte emri i saj i ri) u shkroi menjëherë familjarëve, duke i njoftuar se ishte fare mirë me shëndet e për më tepër, e lumtur. Bashkë me letrën, nisi edhe një fotografi, ku shkroi: “Dita më e bukur e jetës sime, kur iu kushtova e tëra Krishtit”.

Tani nuk ishte më Anjeza, po Maria Tereza.

Në vitin 1925 qe shpallur Pajtore e misioneve Shën Tereza e Krishtit Fëmijë, që njihej edhe si Tereza e Lisieux, e motra e re kishte mbetur e prekur prej saj aq, sa të zgjidhte pikërisht emrin Terezë.

Vijoi t’u shkruajë të afërmve e miqve. Në letrat e saj vërehet se rruga, që kishte zgjedhur, i falte një qetësi të thellë shpirtërore. Kishte zgjedhur drejt! “Tereza e vogël e Krishtit Fëmijë”, siç nisi të nënshkruajë, u kërkonte të gjithëve afërsi e lutje. Ndërmjet letrave, njëra i drejtohej revistës katolike të Shkupit, Blagovijest, që e botoi me një  paraqitje, në të cilën theksohej sa shumë vlerësohej nga të gjithë kjo vajzë që, në moshën 18 vjeçare, kishte marrë një rrugë të vështirë e kërkuese. Shkruhej: “18-vjeçarja nga Shkupi, me emrin shqiptar Ganxhe, shumë e njohur në të gjithë qytetin, u bë murgeshë dhe mori emrin e Terezës së Krishtit Fëmijë. Deri në vjeshtën e kaluar ishte në Shkup, ku dha një ndihmesë të madhe në organizimin e korit të Kishës, i nxiti shoqet e saj të Kongregatës mariane për t’i ndihmuar misionet, i mësoi vajzat më të  vogla e qe vetë një nga nxënëset më shembullore në gjimnazin femëror të Shkupit. Më 9. 12. 1928, duke lundruar me anije, shkroi një letër për lexuesit e Blagovijest, në të cilën shpreh ndjenjat më të thella të përshpirtërisë, duke shtuar edhe një poezi të shkurtër e të thjeshtë…” .

Shënohej, në fund, edhe adresa e saktë e Motër Terezës, për ata, që dëshironin t’i shkruanin: “M. Terezija Bojaxhija, Novicijat, Loreto konvent, Darjeeling, British India”. Kjo, adresa e përkohshme, para se të merrte një rrugë tjetër, shumë më të gjatë e më të vështirë. E atëherë nuk do të kishte më nevojë për adresë. Adresa e saj do të ishte gjithë bota!








All the contents on this site are copyrighted ©.