2016-08-18 17:30:00

Papa: mos ta braktisim kurrë uratën, as atëherë kur duket e padobishme


Mos ta braktisim kurrë uratën, as atëherë kur na duket e kotë të lutemi”. Kështu pohon sot Papa Françesku në një tweet botuar në faqen e internetit @Pontifex.

Lutja bën mrekulli dhe nuk e lejon zemrën të ngurtësohet, duke harruar mëshirën. Kështu pohoi mes tjerash Papa Françesku në homelinë e Meshës së mëngjesit të 12 janarit 2016, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. “Lutja e besimtarëve – pohoi Ati i Shenjtë Bergoglio – e ndryshon Kishën: nuk jemi ne, Papët, ipeshkvijtë, meshtarët” që “e çojnë përpara Kishën”, por “janë Shenjtorët”.

Mund të jemi njerëz me besim e ta kemi humbur domethënien e mëshirës nën hirin e gjykimit, të kritikave  të  pafund. Historia, që tregon faqja e Biblës e komentuar nga Papa Françesku, është një shembull i qartë. Protagonistët janë Ana – një grua plot ankth për shterpësinë (beronjësinë) e saj, e cila i lutet Zotit duke qarë me lot për t’i dhuruar një fëmijë – e një meshtar, Heli, i cili vështronte nga larg, ndërsa rrinte në karrigen e vet në Tempullin e Zotit.

Skena e përshkruar nga libri parë i Samuelit, kreu 1, rreshtat 1 deri 18, së pari bën të dëgjohen fjalët plot pikëllim të Anës e pastaj mendimet e priftit, i cili duke mos dëgjuar asgjë, e interpreton me keqdashje pëshpëritjen e heshtur të gruas: për të ajo është vetëm “e dehur”. E në realitet, siç ndodh zakonisht, ai vaj i pandërprerë nxjerr prej Zotit mrekullinë e kërkuar: “Ana lutej në zemrën e saj dhe  lëvizte vetëm buzët, ndërsa zëri nuk dëgjohej. Ky është guximi i një gruaje besimtare, e cila me dhimbjen e saj, me lotët e saj, kërkon hirin e Zotit. Sa gra të mira e të tilla ka në Kishë, shumë, që shkojnë e luten sikur të ishte për jetë a vdekje.... Po le të mendojmë vetëm një grua të madhe, Shën Monikën, e cila me lotët e saj arriti të kishte hirin e kthimit në udhën e Zotit të djalit të vet, Shën Agostinit. E ka shumë gra të tilla”.

Heli, prift, është “njeri i gjorë” ndaj të cilit, pranon Papa Françesku, “ndjej një lloj simpatie”, sepse “edhe unë kam mangësi, që më bëjnë t’i afrohem atij e ka kuptoj mirë”. “Me sa lehtësi – pohon Papa – ne i gjykojnë njerëzit, me sa lehtësi nuk kemi respektin për të thënë: ‘Po ç'mund të ketë vallë në zemër të vet? Nuk e di, por unë nuk them asgjë....’”. Kur “mungon mëshira e zemrës, gjithmonë mendojmë keq” e nuk e kuptojmë atë që në anën tjetër lutet “me dhimbje e me ankth” e “ia beson Zotit atë dhimbje e ankth”: “Këtë lutje e njohu Jezusi në Kopshtin e Ullinjve, kur kishte kaq shumë dhimbje dhe sprovim, saqë u djersit gjak. E nuk e qortoi Atin: ‘Atë, nëse ti do, largoje këtë prej meje, por u bëftë vullneti yt’. E Jezusi është përgjigjur në të njëjtë mënyrë me këtë grua: me butësi. Nganjëherë, ne lutemi, i kërkojmë Zotit, por shumë herë nuk dimë të arrijmë në atë betejë me Zotin, nuk dimë të arrijmë te lotët, të kërkojmë, ta kërkojmë hirin, mëshirën”.

Papa kujtoi edhe historinë e një njeriu nga Buenos Aires-i, që kishte të bijën 9 vjeç të shtruar në spital në mbarim të jetës. Ai shkon te Virgjëra Mari në Lujàn, e kalon natën i kapur për kangjellat e Shenjtërores, duke kërkuar mëshirën (hirin) e shërimit. E të nesërmen në mëngjes, kur kthehet në spital, e gjen të bijën të shëruar: “Lutja bën mrekulli. E bën mrekulli edhe për ata, që janë të krishterë, që janë besimtarë laikë, që janë meshtarë, ipeshkvij, por që e kanë humbur devocionin e mëshirës. Lutja e besimtarëve e ndryshon Kishën: nuk jemi ne, Papët, ipeshkvijtë, priftërinjtë, murgeshat që e çojnë përpara Kishën, janë shenjtorët! E shenjtorët janë këta, si kjo gruaja. Shenjtorët janë ata, që kanë guximin për të besuar se Hyji është Zot e se mund të bëjë gjithçka”.








All the contents on this site are copyrighted ©.