2016-08-18 12:38:00

Papa imzot Paglia-s: të përkulemi mbi plagët e njeriut, për t’i mjekuar


Përmes një Kirografi, Papa Françesku i drejtohet imzot Vincenzo Paglia-s, duke i folur për drejtimin e përgjithshëm të detyrës së re si Kryetar i Akademisë Papnore për Jetën dhe Kancelar i Madh i Institutit Papnor “Gjon Pali II” për studimet mbi martesën e familjen.

“I dashur vëlla - shkruan Papa - me rastin e Reformës së Kuries Romake, m’u duk e nevojshme që edhe institucionet në shërbim të Selisë së Shenjtë, që zhvillojnë veprimtari kërkimore-shkencore e formuese mbi temat lidhur me martesën, familjen e jetën, të vijojnë përtëritjen dhe zhvillimin, për ta shkruar veprimtarinë e tyre gjithnjë më qartë në horizontin e mëshirës”.

Siç dihet, vijon Papa, nga Koncili Ekumenik II i Vatikanit e deri më sot, magjisteri i Kishës mbi këto tema u zhvillua gjerësish e thellësisht. E sidomos ai i kohëve të fundit kushtuar familjes, me Nxitjen Apostolike Amoris laetitia, e zgjeroi dhe e thelloi më tej përmbajtjen. Dëshiroj  që Institutet, të cilat do t’i kryesoni, të angazhohen më tej në mënyrë të re e të thelluar në përhapjen e Magjisterit, duke u ballafaquar me sfidat e kulturës bashkëkohore. Fushat e reflektimit janë të shumta, por duhet pasur mirë parasysh se edhe në studimin teologjik nuk duhet të mungojë kurrë perspektiva baritore dhe vëmendja ndaj plagëve të njerëzimit.

Papa nxit, pra, për t’u marrë me sfidat e reja të kulturës bashkëkohore, kryesisht aspektet e ndryshme, që kanë të bëjnë me kujdesin për dinjitetin e njeriut gjatë gjithë jetës, me respektin e anasjelltë ndërmjet gjinive dhe breznive të ndryshme, mbrojtjen e dinjitetit të çdo njeriu, promovimin e cilësisë së jetës materiale e shpirtërore të njeriut, perspektivën e një ekologjie të vërtetë njerëzore, që të ndihmojë për rigjetjen e ekulibrit fillestar të Krijimit ndërmjet njeriut e mbarë universit.

Për këtë, nënvizon Papa, është e nevojshme të favorizohet dialogu i përzemërt me qendrat akademike,  edhe në fushën ekumenike e ndërfetare, si atë me frymëzim të krishterë, ashtu edhe atë të traditave të tjera fetare.

Së fundi Papa i kujton imzot Paglias se dy institucionet, që do t’i kryesojë, lidhen me Dikasterin e ri për Laikët, Familjen e Jetën: “Disa argumente - shpjegon - i takojnë edhe Dikasterit, që do të merret me baritorinë e shëndetit. Detyra jote - përfundon Françesku - duhet të jetë zhvillimi në harmoni i të dy Dikastereve, duke respektuar kompetencat  reciproke  e me frymën e bashkëpunimit, që i karakterizon gjithnjë organizmat në shërbim të Selisë së Shenjtë.








All the contents on this site are copyrighted ©.