2016-08-18 13:26:00

Më 31 gusht Papa shkon në Kongresin e Shoqërisë evropiane të kardiologjisë


Papa Françesku do të shkojë në Panairin e Romës, pranë aeroportit të Fiumiçinos, për Kongresin Botëror, në të cilin do të marrin pjesë 35 mijë kardiologë nga mbarë bota. Njoftimin e jep zëdhënësi i Selisë së Shenjtë Greg Burke. Vizitë krejt e veçantë, nënvizohet në një notë të organizatorëve të Kongresit, me të cilën do të mbyllet takimi më i madh  në botë kushtuar sëmundjeve kardiovaskolare, ESC Congess 2016, që sivjet zgjodhi Romën si seli e do të mbahet nga 27 deri më 31 gusht.

Këtu Papa Françesku do t’u drejtojë përshëndetjen e tij 35 mijë mjekëve kardiologë, ardhur nga 144 kombe. Do t’u flasë kardiologëve të mërkurën, më 31 gusht, në orën 12. 15. “Vizita e Papës Françesku është ngjarje që më emocionon thellësisht - pohon administratori i Panairit të Romës. Ky Papë, me ngrohtësinë e tij njerëzore e me empatinë e tij, nuk pushon kurrë së na befasuari. Besoj se ka vendosur t’u sjellë përshëndetjen e tij këtyre mjekëve ardhur nga mbarë bota, njerëz që shpëtojnë jetë e lehtësojnë vuajtje, sepse e ndan me ta misionin e kujdesit për tjetrin. “Është nder i papërshkrueshëm për ne, që në mjediset tona të jehojë fjala e Papës”, nënvizon administatori Piccinetti.








All the contents on this site are copyrighted ©.