2016-08-17 14:55:00

Papa: Tweet, në Kryqin e Krishtit mund të prekim Mëshirën e Zotit


“Në Kryq mund të prekim mëshirën e Zotit e të lejojmë të prekemi edhe ne nga mëshira e tij!”. Papa Françesku e nënvizoi këtë sot në një tweet të ri botuar në faqen papnore të internetit @Pontifex.

Papa: Jezusi hapi për të gjithë njerëzit kohën e mëshirës!

Secili ka mjerimet e veta, por pushteti i faljes së Krishtit, që i shëlboi mbi kryq, nuk shteron kurrë. E pohoi këtë, në katekizmin e audiencës së përgjithshme të 6 prillit 2016, Papa Françesku, duke nisur një cikël të ri jubilar katekizmi, kushtuar mëshirës në Ungjill.

“Mund ta bënte”.

Jezusi duke u paraqitur si mbret, mund t’i gjykonte të gjithë nga lartësia e një shenjtërie dhe e një urtie të jashtëzakonshme! Mund edhe të zbriste nga Kryqi, ashtu si arriti t’ia propozojë ndokush, duke u tallur keqas me Të. Mund ta bënte si Zot, por nuk e bëri as këtë. Nuk u bë mbret e as gjykatës. U bë njeri, madje më mjerani ndërmjet njerëzve, duke  pranuar një flijim, që i hapi njerëzimit kohën e faljes, kohën e mëshirës, të pajtimit e të shëlbimit!

Në radhë ndërmjet mëkatarëve

Ishte si një afresk i madh i Krishtit, katekizimi i parë i Papës kushtuar Mëshirës në Ungjill, mbajtur më 6 prill 2016. Papa Françesku e  pikturoi duke e gjurmuar Jezusin në pesë veprimet e kryera prej Tij: “Duke takuar turmat, duke kumtuar Ungjillin, duke shëruar të sëmurët, duke iu afruar të fundmëve, duke falur mëkatarët”, me vëmendje të përqendruar posaçërisht mbi mënyrën me të cilën Jezusi e nis misionin e Tij, duke u pagëzuar nga Pagëzuesi: “Në të vërtetë Ai nuk iu paraqit botës në shkëlqimin e tempullit; e mund ta bënte, eh? Nuk kërkoi të kumtohej ardhja e tij me tingujt e borive: mund ta bënte edhe këtë. E nuk erdhi as me pamjen e gjykatësit: ndonëse mund ta bënte. Po nuk e bëri. Krejt përkundra, pas tridhjetë vjet jete të fshehur në Nazaret,  shkoi në lumin Jordan, së bashku me shumë njerëz të popullit të vet e u vu në radhë me mëkatarët. Nuk pati fare turp; ishte atje me të gjithë, edhe me mëkatarët, për t’u pagëzuar”.

Dashuri e pastër, falas, pa kufi

Që në çastin e parë, nënvizoi Françesku, Krishti u shfaq si Mesia, që merr mbi vete barrën e jetës së njeriut e të njerëzimit, i nxitur nga solidariteti e dashuria.  Gjithçka bëri pas pagëzimit, ishte realizim i programit fillestar, i cili synonte t’ua çonte të gjithëve dashurinë e Zotit, që shëlbon: të pastër, falas, pa kufi: “Jezusi nuk solli urrejtjen, nuk solli armiqësinë, solli dashurinë! Një dashuri të madhe, një zemër të hapur për të gjithë, për të gjithë ne! Dashuri, që shpëton! Ai u bë i afërt me më të fundmit, duke u përcjellë dashurinë e Zotit, që është falje, gëzim, jetë e re. Biri i dërguar nga Ati, Jezusi, është vërtet fillim i kohës së mëshirës për mbarë njerëzimin”.

Nga Kryqi, falje përgjithmonë

Mëshirën, që arrin kulmin me mundimet e Golgotës, Papa e kujtoi duke përsëritur fjalët, që ia ndryshuan përgjithmonë rrjedhën jetës njerëzore: “Atë, fali, se nuk e dinë çfarë po bëjnë!”: “Pikërisht mbi kryq, Jezusi i paraqet mëshirës së Atit mëkatin e botës; mëkatin e të gjithëve, mëkatin tim, mëkatin tënd, mëkatet tuaja! Atje, mbi kryq, ia paraqet. E me këtë, të gjitha mëkatet tona shlyhen! Asgjë e askush nuk përjashtohet nga kjo uratë flijuese e Jezusit”.

Nuk duhet të kemi frikë nga mjerimet tona

Mjafton vetëm një gjë, përfundoi Papa: të pendohemi e ta lëshojmë gjithë vetveten në dorë të Zotit, me besim të plotë, përmes Sakramentit të Pajtimit. Duke e shmangur tundimin, që na shtyn të besojmë se na mjafton vetvetja e se nuk kemi nevojë për dhuratën e faljes së Zotit: “Secili nga ne duhet ta pyesë veten: ‘Po, ky është mëkatar. E unë?’. Të gjithë jemi mëkatarë, por të gjithë u falëm; të gjithë kemi mundësi ta marrim këtë falje, që është mëshira e Zotit(…). Nuk duhet të kemi frikë nga mjerimet tona. Secili nesh i ka të vetat. Pushteti i dashurisë së të Kryqëzuarit nuk njeh pengesa e nuk shteron kurrë. E kjo mëshirë i shlyen mjerimet tona!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.