2016-08-16 13:34:00

Mesazh ngushëllimi i Papës për viktimat e zjarrit në Portugali


Mbetet i lartë alarmi në Portugali, ku që prej disa ditësh, zjarre të shumta po shkaktojnë dëme të rënda, veçanërisht në veri të vendit. Vetëm në Ishullin e Madeirës, tre vetë kanë humbur jetën, ndërsa qindra shtëpi janë djegur krejtësisht, duke shkaktuar mijëra të shpërngulur. Viktimave dhe familjarëve të tyre u arriti solidariteti i Papës Françesku, i cili dërgoi një mesazh me firmën e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin.

Solidariteti dhe afërsia shpirtërore e Papës

Në tekstin, që i drejtohet ipeshkvit të Funchal-it, Antonio Carrilho, Ati i Shenjtë thekson se “është tronditur thellë nga lajmi i trishtuar i zjarreve të tmerrshme, që e kanë përfshirë Ishullin e Madeirës” dhe shpreh “ngushëllimet, duke marrë pjesë në dhimbjen” e të gjithë atyre, që janë goditur nga kjo fatkeqësi. Papa tregon solidaritet dhe afërsi shpirtërore me të shpërngulurit, siguron lutje për shërimin e të plagosurve dhe ua beson shpresës së krishterë viktimat e kësaj tragjedie. Gjithashtu, Ati i Shenjtë shpreh mirënjohje për ata, që luftojnë kundër zjarrit.

Të mos harrojmë viktimat

Mesazhi i Papës Françesku u lexua dje, më 15 gusht, gjatë kremtimeve për Zojën e Malit, Pajtore e Funchal-it. Nuk u bë festë e madhe si zakonisht, pikërisht për të respektuar viktimat. Në homelinë e tij, imzot Carrilho theksoi: “Nuk mund të mos kujtojmë të vdekurit dhe të mos shprehim solidaritetin tonë më të thellë për të gjithë ata, që kanë provuar ankthin dhe vuajtjen, në veçanti ata, që kanë humbur shtëpitë dhe gjithçka kishin”.








All the contents on this site are copyrighted ©.