2016-08-15 09:29:00

“Nënë Tereza, Shenjtja e Mëshirës Hyjnore”. Tetëmbëdhjetë vjeçe, “pohimi” i parë i madh


Vijojmë shfletimin e librit “Njoha një Shenjtore”, shkruar nga kardinali Angelo Komastri, zgjedhur në atmosferën e përgatitjes për shenjtërimin e së Lumes Ganxhe Bojaxhiu. Në emisionin e 13-të pohimi i parë i madh i vashës 18-vjeçare, që nis udhën drejt misionit.

Në fotografitë rinore të Nënë Terezës shihet një vajzë e bukur, me sy të ndritshëm, që të ngulen thellë në zemër. Është Anjeza që, gjë krejt e rrallë për vajzat shqiptare të Shkupit, vijoi edhe shkollën e mesme, ku spikati prirja e saj për muzikë. Kishte një zë të pastër sopranoje e, kur këndonte në korin e famullisë dhe në një kor rinor katolik, zëri i saj i këndshëm tërhiqte menjëherë vëmendjen e të gjithëve. Po kështu edhe kur këndonte duet me të motrën. E kur shkonte të shëtiste me shoqet, merrte gjithnjë me vete fizarmonikën ose violinën.

Ishin vitet e papnisë së Piut XI, që i dhanë Kishës një hov të  madh misionar. Në famullinë e Anjezes vinin letra plot entuziazëm nga jezuitët, misionarë në deltën e Gangut, në Indi e në shpatet e Himalajës.

Anjeza, Nënë Tereza e ardhshme, ndjeu se zemra e saj po rrihte flatrat: filloi të ëndërrojë misionin, nisjen, dëshirën ta çojë Jezusin në tokat më të largëta, mes njerëzve më të varfër e më nevojtarë për dritën e Krishtit.

18 vjeçe, pas një lufte të rreptë shpirtërore, vendosi: “Do të bëhem misionare e do të nisem për në Indi!”. Ia tregoi ëndrrën s’ëmës, por ajo, në fillim, u çorientua, u habit, gati-gati u hidhërua. E natyrshme.

Gruaja shkoi te famullitari; “Ime bijë dëshiron të bëhet misionare”…

E famullitari e thirri menjëherë vajzën dhe e pyeti: “A je e sigurt se po të thërret vetë Zoti?”.

E njëjta pyetje, që Anjeza ia bënte vazhdimisht vetvetes: “A është kjo rruga? A është?”. Përgjigjen e gjeti me ndihmën e atit Jambrekoviç: “Do ta dish, kur ta ndjesh veten plotësisht të lumtur. Nëse ideja e ftesës së Zotit që ti t’i shërbesh, duke i shërbyer të afërmit, do të të bëjë të ndjehesh e lumtur, është prova më e mirë e thirrjes sate”.

E ajo: “E kam ëndërruar që kur isha 12 vjeçe. Tani besoj se Zoti po më thërret të jem motër misionare për të bashkëpunuar në ungjillëzim, duke u shërbyer të varfërve. Dëshroj që njerëzia ta duan Jezu Krishtin me gjithë mend e me gjithë zemër”.

“Bija ime - i kujtoi në fund famullitari - ta thashë se do ta provosh vetëm nëse ndjehesh e lumtur, duke menduar se Zoti po të thërret për t’i shërbyer Atij e të afërmit. Kjo është prova më e mirë për thirrjen tënde. E kjo ka vlerë për çdo thirrje. Nëse ndjehesh e mjerë, nuk është zëri i Zotit, që po të thërret”. Kështu, atë Jambrekoviç, për të cilin Nënë Tereza do të thoshte, më vonë: “Ishte meshtar i zellshëm e i flaktë. E atje ku ka meshtarë të mirë, rriten e fitojnë pjekurinë edhe thirrjet meshtarake e rregulltare”.

 Po familjarët? Ç’thanë?

Nëna, pavarësisht se zemra po i pikonte gjak, i pranoi fjalët ndriçuese të meshtarit, sepse ishte grua me fe të gjallë. E kur e kuptoi se plani i së bijës ishte plan i vetë Zotit, pranoi qetësisht.

I vëllai, Lazri, në këtë periudhë ndiqte Akademinë Ushtarake e ëndërronte të bëhej oficer në shërbim të Mbretërisë së Shqipërisë, që sapo ishte shpallur.

Kur e mori vesh vendimin e së motrës, i shkroi një letër e i tha: “A e ke menduar mirë atë që po bën? A nuk  e kupton se duhet të flijohesh për gjithë jetën? Unë, për vete, jam krenar të vihem në shërbim të mbretërisë së Shqipërisë”.

Anjeza, e vendosur, si do të ishte  gjithnjë, iu përgjigj  të vëllait: “I dashtun Lazër, ti ke vendosë me i shërbye nji mbreti të vogël, me dy milion nënshtetas. Unë po vehem në shërbim të Mbretit të Mbretënve, që asht Zot i botës”

E kështu, arriti edhe ora e nisjes. Drejtimi, Dublin. Për të hyrë në Motrat e Loretos, themeluar nga Mary Ward.








All the contents on this site are copyrighted ©.