Solemniteti i të ngjiturit të Zojës në Qiell. Të nxitojmë vetëm për të ndjekur
Zotin.
Vigjëra Mari është ylli, që na prin drejt Birit të saj Jezusit, dielli që lindi përmbi
errësirën e historisë e na jep shpresën për të cilën kemi nevojë. E siç e dimë nga
përvoja e përditshme, e gjithë jeta është luftë ndërmjet dragoit e gruas, ndërmjet
së mirës e së keqes. Virgjëra Mari na siguron se Hyji fitoi, se vdekja u mund përgjithmonë.
Këtë thekson liturgjia e Fjalës së Zotit në Meshën, që kremtohet në solemnitetin e
‘Të Ngjiturit të së Lumes Mari në Qiell’. Ungjilli i kësaj së kremte, na propozon
‘Magnificat’ - Himnin e 'Madhërimit' dhe nxitimin e Virgjërës Mari tek Elizabeta,
duke na shpjeguar se e gjithë jeta duhet të jetë një ky nxitim i shenjtë, me vetëdijen
se Zoti zë e duhet të zë gjithnjë vendin e parë në jetën e çdo njeriu e se asgjë tjetër
nuk duhet të na bëjë të nxitojmë në rrugët e jetës.
Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj feste, përqendrohet kryesisht tek solemniteti
i ‘Të Ngjiturit të Zojës në Qiell’, që kurorëzon ciklin e kremtimeve të mëdha liturgjike,
në të cilat kundrojmë rolin e Virgjërës Mari në historinë e shëlbimit. Zënia pa mëkat,
Lajmërimi, Amësia Hyjnore e të Ngjiturit në Qiell janë etapat kryesore, të lidhura
ngushtë ndërmjet tyre, me të cilat Kisha larton e këndon fatin e lum të Nënës së Zotit.
E në këtë fat mund të lexojmë edhe historinë tonë personale e atë të mbarë njerëzimit.
Misteri i të Zënit pa mëkat të Marisë, të kujton faqen e parë të jetës njerëzore,
duke na treguar se, në planin hyjnor të krijimit, njeriu duhet të kishte pastërtinë
e bukurinë e Zojës së Papërlyer. Ky plan, i rrezikuar, por jo i rrënuar nga mëkati,
përmes mishërimit të Birit të Zotit, Jezu Krishtit u realizua plotësisht në Marinë,
gjë që i krijoi përsëri njeriut mundësinë për ta pranuar lirisht në fe. Së fundi,
në të ngjiturit e Marisë në qiell kundrojmë cakun ku duhet të arrijmë në mbarim të
shtegtimit tonë mbi tokë, duke ndjekur Krishtin e duke iu bindur fjalës së tij.
Më tej faqja ungjillore e festës nga Shën Luka, na përshkruan sesi Maria u nis me
nxitim në krahinën malore, për të vizituar Elizabetën. Me shtegtimin e saj plot bindje
na tregon se duhet të përshkojmë ngutshëm një udhë të re në jetën sonë, duke e lënë
vetën plotësisht në dorën e Zotit. Shën Ambrozin, duke komentuar nxitimin e Marisë,
pohon: “Hiri i Shpirtit Shenjt nuk pranon ngadalësi. Jeta e Zojës udhëhiqet nga një
Tjetër, modelohet nga Shpirti Shenjt, përshkohet nga ngjarje e takime, si ai me Elizabetën
por, mbi të gjitha, nga lidhja krejtësisht e posaçme me Birin e saj, Jezus. Është
shtegtim në të cilin Maria shikon në të gjitha ngjarjet e jetës planin e thellë e
të mistershëm të Hyjit Atë për shpëtimin e botës”.
Në sa e ndjek Jezusin nga Betlehemi në Egjipt, në jetën e mënjanuar e në atë publike,
deri tek këmbët e Kryqit, Maria jeton ngjitjen e saj të vazhdueshme drejt Hyjit me
frymën e Magnificat (himnin e Madhërimit), duke u bashkuar plotësisht, edhe në çastin
e vuajtjes, me planin e dashurisë së Zotit, aq sa të bëhet paradigmë për fenë e Kishës.
Më tej, liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj feste na kujton se jeta e çdo njeriu ka
një cak të mirëpërcaktuar: Ngjitja e Zojës në qiell na kujton se jeta e Marisë, ashtu
si jeta e çdo të krishteri, është shtegtim pas Krishtit, që ka një cak tejet të përcaktuar,
një ardhmëri të qartë: fitoren përfundimtare mbi mëkatin e mbi vdekjen dhe bashkimin
e plotë me Hyjin.
Por ndërsa ne nuk jemi të bashkuar ende përsosurisht me Krishtin, Virgjëra Mari hyri
plotësisht në bashkim me Hyjin, me Birin e vet.
Jeta e njeriut mbi tokë - pohojnë leximet biblike të kësaj feste – është shtegtim
që vijon në frymën e tensionit të luftës ndërmjet dragoit e gruas, ndërmjet së mirës
e së keqes. Është si udhëtim në një det shpesh herë tepër të trazuar: Maria është
ylli, që na prin drejt Birit të saj Jezusit, diell që lindi përmbi errësirën e historisë,
për të na dhënë shpresën se do të fitojmë, se nuk do t’i nënshtrohemi përgjithnjë
së keqes e mëkatit, në pritje të qiellit të ri e tokës së re.
Së fundi, me Shën Bernardin, këngëtarin mistik të Marisë, jemi të ftuar si besimtarë
t’i drejtohen Nënës së Zotit me fjalët: “Të lutemi, o e Lume, për hirin që gjete,
për privilegjet që meritove, për Mëshirën që linde! Na e nxirr hirin që Ai, i cili
nëpër ty u denjua të merrte pjesë në mjerimin e në gjymtimin tonë, falë lutjes sate,
të na bëjë pjesëmarrës në lumninë e tij të amshuar, Jezu Krishti, Biri yt, Zoti ynë,
i cili është mbi gjithçka, Hyj i bekuar në shekuj të shekujve. Amen!
All the contents on this site are copyrighted ©. |