Dogma e Të ngjiturit të Zojës në qiell!
“Ne shqiptojmë, deklarojmë e përcaktojmë se Nëna e Papërlyer e Zotit, Maria
gjithmonë Virgjër, si kreu shtegtimin tokësor, u pranua në qiell me shpirt e me trup”.
Një shpërthim i jashtëzakonshëm gëzimi pason fjalët e Papës Piu XII. Ditën e 1 nëntorit
1950, turma ngarendi në Sheshin e Shën Pjetrit, në Romë. Vetëm ipeshkvijtë e ardhur
për këtë ditë nga të katër anët e botës, janë shtatëqind e njëzet e dy. Është vërtetë
një rast tejet i posaçëm, sepse sot Kisha shpall një dogmë të re, dogmën e Të ngjiturit
të Zojës në qiell me trup e me shpirt. Që sot e tutje do të jetë një e vërtetë e pranuar
e nuk mund të vihet më në diskutim: Maria u ngjit në qiell me trup e me shpirt. Në
të vërtetë të krishterët e mbarë botës besojnë prej kohe në këtë mrekulli. Për ta
Maria, që e mbajti në kraharor Jezusin, që e ushqeu, që e shtrëngoi ndër krahë, nuk
mund të ndahej nga i Biri. Për besimtarët është logjike, është normale. Jeta e saj,
e filluar në mënyrë të jashtëzakonshme, me lindjen pa mëkat, duhej edhe të përfundonte
në mënyrë të jashtëzakonshme.
Papa Piu XII e di mirë se të krishterët besojnë ngultas në Të ngjiturit e Marisë në
qiell. E di edhe se shenjtorët më të mëdhenj, prej shekujsh, shkruajnë për këtë ngjitje
të mrekullueshme. Po kjo nuk mjafton për të shpallur një dogmë. Është fjala për një
akt tepër të rëndësishëm, që nuk mund të vendoset lehtë, sepse sapo të shpallet dogma,
bëhet e vërtetë absolute për të gjithë të krishterët, pjesë përbërëse e fesë së tyre
e nuk mund ta vënë më në dyshim. Prandaj Papa, para se të vendosë, u drejton një letër
të gjithë ipeshkvijve të botës, duke kërkuar edhe mendimin e tyre. Rezultatet flasin
vetë: 94% e ipeshkvijve të mbarë botës i përgjigjen menjëherë kërkesës së Papës e,
ndërmjet tyre, njëmijë e njëqind e gjashtëdhjetë e nëntë e miratojnë dogmën; gjashtëmbëdhjetë
e pranojnë Të ngjiturit e Zojës në qiell, por janë të pasigurt në se duhet bërë dogmë;
gjashtë mendojnë se ndoshta nuk është e nevojshme që Të ngjiturit e Zojës së Bekuar
në qiell të bëhet e vërtetë e zbuluar. Papa Piu XII mori përgjigjen që priste dhe
e shpalli dogmën e të Ngjiturit të Zojës në qiell me shpirt e me trup.
All the contents on this site are copyrighted ©. |