2016-08-14 13:58:00

Të Ngjiturit e Zojës në qiell, ditë lutjeje në Francë, për atë Hamel


Në Francë, në solemnitetin e Të Ngjiturit të Zojës në Qiell, të gjitha meshët do t’i kushtohen Vendit, që Zoti ta bekojë në këtë çast kaq të vështirë, për shkak të terrorizmit. Këmbanat e të gjitha Kishave do të kumbojnë njëherësh, si në ditët e mëdha të festave, por edhe të rreziqeve. Këtë detyrë ka këmbana: të thërrasë besimtarët në Kishë, të përcjellë të vdekurit në varr, të presë hovin e rrufeve! E nesër, në gjitha kishat e Francës, do të jetë ditë lutjeje, në kujtim të atë Jacques Hamel, therur nga dy ekstremistë islamikë më 26 korrikun e kaluar, ndërsa kremtonte Meshën në famullinë e tij të Seint-Etienne du Rouvray. Për ndjetet e shumta të kësaj dite kaq emocionuese, dëgjuam kryeipeshkvin e Rouen, imzot Dominique Lebrun:

Përgjigje: - 15 gushti në Francë është tradicionalisht ditë lutjeje për Vendin. E sivjet do të lutemi edhe më thellësisht, pas vrasjes së atë Hamel. Ngjitja e Marisë në Qiell është shenjë e fitores së plotë të Jezusit, e jo vetëm fitorja e Tij, por edhe fitorja e mbarë njerëzimit që tashmë është i pranishëm në Marinë. Prej këndej mendoj shumë për atin Hamel, që u bë një me korpin e Krishtit në vdekjen e tij, në vuajtjen e tij. E sot nuk mund të mos shpresoj në fitoren e Francës, falë Marisë.

Pyetje: - Atë Hamel është martir i fesë: të duket krejt e pabesueshme  në Evropë, në Francën e shekullit të 21-të, mendimi se mund të ketë ende martirë feje. Ky është fakt befasues, që të bën të reflektosh. Ju mendoni se mund të fillojë  procesi i shenjtërimit të atë Hamel?

Përgjigje: - Dhuna na befason gjithnjë, ndonëse në Francë ka kohë që flasim për “dëshmi”, edhe me kuptimin e fjalës “martir”. Isha me të rinjtë në Ditën e tyre Botërore. Më folën për vëshirësitë, për dhunën që pësojnë, kur marrin guximin të thonë haptazi se janë katolikë, se nuk janë dakord me profesorët e universiteteve ose se duan të thellojnë një temë, por nuk u lejohet, sepse tepër katolike, pra, tepër fetare. Kështu fjala dhunë e edhe fjala  dëshmi, nuk janë as të reja e as të panjohura në Francë. Përsa i përket procesit të shenjtërimit të atë Hamel, ka kohë. Të gjithë, besoj, e dinë se  ipeshkvi mund ta hapë një proces kanonizimi vetëm pesë vjet pas vdekjes.  Pastaj ndoshta vjen njohja përmes besimtarëve katolikë, domethënë i njihet kështu fama e shenjtërisë. Por ajo që na preku thellë ishte se kryebashkiaku nuk mundi t’i mbante lotët për atë Hamel, atë ditë e edhe më pas. Ai, që është komunist, që deklaron se është ateist. Kështu, do të mbledhim shumë zëra, e pastaj do të shohim, pas pesë vjetësh.

 Pyetje: - Kardinali Jean-Louis Tauran ka nënvizuar urgjencën e dialogut islamo-kristian, dialog të cilin ai e paraqet si ilaçin, ndoshta, më të efektshëm kundër terrorizmit….

Përgjigje: -  Kardinali Jean-Louis Tauran e ka zakon të thotë se jemi “të dënuar”, të dialogojmë, të dënuar të duam! Kjo fjalë “dënim”, merr një domethënie të thellë e të fortë. Merr kuptimin e fjalës dashuri: jemi të dënuar të duam! Atë Jacques “ishte i dënuar”. Nuk hoqi dorë kurrë nga dialogu, që është sjellja kryesore e Zotit përballë njeriut mëkatar. Domethënë, sjellja e Jezusit në Ungjill e, prej këndej, duhet të jetë edhe sjellja jonë themelore, por vetëm nëse ky dialog është i vërtetë, i thelluar.  Prej këndej besoj se pas kësaj, takimet me vëllezërit myslimanë do të bëhen shumë më të thelluara. Sepse nuk mjafton të shkëmbesh vetëm një buzëqeshje, e kaq. Kemi vërtet pika të përbashkëta e edhe pika, që nuk janë të tilla. Si ta zgjidhim këtë? Duhet thelluar vërtet ky dialog! 








All the contents on this site are copyrighted ©.