2016-08-14 13:36:00

Engjëlli i Tënzot. Papa: Kisha nuk ka nevojë për burokratë, por për misionarë të apasionuar


Kisha nuk ka nevojë për “burokratë” e as “për të krishterë të akullt a të vakët”, por për “misionarë të apasionuar”, me shpirt të ndezur nga Shpirti Shenjt. Kështu u shpreh Papa në Engjëllin e Tënzot, për ta lutur, në vijim, Zojën e Ngjitur në Qiell, të jetë gjithnjë pranë nesh në gëzimet e vuajtjet tona e, sidomos, të vëllezërve.

I frymëzuar nga Ungjilli i së dielës, Françesku u ndalua posaçërisht tek simboli i zjarrit, përdorur nga Jezusi për t’u treguar  dishepujve qëllimin  e misionit: “Erdha - u thotë atyre - të ndez zjarrin mbi tokë, e sa do të dëshiroja të ishte tashmë i ndezur!”. Është zjarri i Shpirtit Shenjt që vepron në ne nga Pagëzimi, shpjegoi Papa, forcë krijuese, që pastron, rinon e…:

“… djeg çdo mjerim njerëzor, çdo egoizëm, çdo mëkat, na shndërron shpirtërisht, na rilind e na bën të aftë të duam”.

E zjarri i dashurisë hyjnore mund të kallet flakë e ta bëjë të lulëzojë Mbretërinë e Zotit, vetëm duke u nisur nga zemra hyjnore:

“Nuk niset nga koka, niset nga zemra!”.

Prej këndej, ftesa për t’ia hapur plotësisht zemrën veprimit të Shpirtit Shenjt:

“Ai do të na japë guximin e zellin për t’ua kumtuar të  gjithëve Jezusin dhe mesazhin e Tij ngushëllues të mëshirës e të shëlbimit, duke lundruar në detin e hapur, pa frikë”.

Kisha, nënvizoi  Françesku, ka nevojë për ndihmën e Shpirtit Shenjt…:

“…që të mos lejojë ta frenojnë frika e llogaritë e të mos e bëjë zakon të ecë në kufij të sigurt. Këto dy sjellje e bëjnë Kishën funksionale,  ia presin gjithnjë rrezikun”.

Është zjarri i Shpirtit  Shenjt ai, që e ndez zellin apostolik:

“Na ndihmon të kapërcejmë mure e kufij, na bën krijues e na nxit të vihemi në lëvizje, të ecim në rrugë të pashkelura a të parehatshme, duke u dhënë shpresë të gjithë atyre, që i takojmë në udhën tonë”.

Jemi të thirrur - vijoi Françesku - të bëhemi gjithnjë më shumë bashkësi  njerëzish plot mirëkuptim, njerëz me zemër të gjerë e me fytyrë gazmore:

“Sot, më shumë se kurrë, ndjehet nevoja për meshtarë, rregulltarë e besimtarë laikë, me sytë të ngulur tek apostullimi, njerëz që preken e ndalohen para fatkeqësive e varfërive materiale dhe shpirtërore”.

I kujtoi, më pas, Papa, të gjithë ata që i kushtohen kumtimit të Ungjillit në mbarë botën, posaçërisht meshtarët e rregulltarët e shumtë:

“Dëshmia e tyre shembullore na kujton se Kisha nuk ka nevojë për burokratë e funksionarë të censhëm, por për misionarë të pasionuar, të përvëluar nga dëshira për ta çuar kudo fjalën ngushëlluese të Jezusit e hirin e Tij”.

Ky është zjarri i Shpirtit Shenjt:

“Nëse Kisha nuk  e merr këtë zjarr e nuk e lë ta përshkojë, bëhet Kishë e ftohtë ose vetëm e vakët, e paaftë për të dhënë jetë, sepse e përbërë nga të krishterë të ftohtë a të fishkur”.

Më pas, një porosi e Papës për të gjithë:

“Do të na bëjë mirë, sot, të ndalemi pesë minuta e secili nga ne të pyesë: ‘E po, si duket zemra ime? Është e ftohtë? E vakët? Apo është e aftë të ndizet flakë nga ky zjarr?’. Të ndalemi e të mendojmë pesë minuta për këtë. Do të na bëjë mirë të gjithëve”.

Në përfundim, lutja drejtuar Zojës së Bekuar që, me dikimin e Shpirtit Shenjt, të jemi solidarë me gëzimet e vuajtjet e vëllezërve si dhe një lutje tjetër drejtuar Shën Maksimilian Kolbes, në ditën e festës së këtij martiri të dashurisë së krishterë:

 “Na mësoftë ta jetojmë zjarrin e dashurisë për Zotin e për të afërmin!”.

Pas kremtimit të Engjëllit të Tënzot, Françesku përshëndeti posaçërisht të rinjtë, mbledhur rreth tij në Sheshin e Shën Pjetrit, duke rikujtuar temën e DBR-së së Krakovit: “Lum të mëshirshimit, sepse do të gjejnë mëshirë”:

“Përpiquni të falni gjithnjë e kini një zemër plot dhemshuri e  mëshirë”- i porositi, për t’u uruar të gjithëve Solemnitetin e Zojës së Ngjitur në Qiell e javë të gëzuar!








All the contents on this site are copyrighted ©.