2016-08-14 12:30:00

Besimtarët rreth Papës, të prekur nga gjuha me të cilën u flet


Njerëz të ardhur nga mbarë bota mbushin Sallën e Palit VI, në Vatikan, të mërkurave, për audiencën e përgjithshme, e Sheshin e Shën Pjetrit, të dielave në orën e Engjëllit të Tënzot, edhe tani, kur dielli e djeg e e përvëlon. Rrinë me sytë drejtuar nga Krishti i Ngjallur në Sallën Nervi e nga Dritarja e Engjëllit, të dielave, për të dëgjuar katekizmin e Françeskut e për të marrë bekimin e tij, hir për gjithë javën, në punë, në udhëtim, në pushim. Janë me mijëra. Të ardhur nga Ishujt afrikanë Mauritius, nga Indonezia, nga SHBA-të, Meksika e vende Jugamerikane si Brazili, Argjentina, Peruja…. E natyrisht, nga mbarë Evropa, domethënë edhe nga Shqipëria, që është në Kontinentin e Vjetër, edhe pse nuk ka hyrë ende në Evropë. Një vorbull fytyrash, ngjyrash lëkure, gjuhësh. Duke dëgjuar me me gojë hapur fjalët e Françeskut, Fjalë të vetë Zotit!

Me mikrofonin tonë, në Sallën Pali VI të mërkurën e kaluar, në Sheshin e Shën Pjetrit sot, mblodhëm disa komente të besimtarëve e shtegtarëve ardhur për të dëgjuar Papën:

Përgjigje: - Fjalët më të rëndësishme të Atit të Shenjtë, të cilat më prekën më shumë, janë ato, që i përdori për të treguar një anekdotë lidhur me një ipeshkëv. Për Jubileun, prelati hapi dy Porta në katedralen e tij: e para, e hyrjes, ku fitohet mëshira; e dyta, e daljes, që shërben për ta çuar mëshirën jashtë, mes njerëzve, në botë.

Përgjigje: - Vepra më  e madhe e mëshirës është ajo, që kalon nga zemra  tek duart! Mendoj se me këto fjalë Papa ia doli ta përmbledhë gjithçka mund të thuhet për mëshirën. Ne jemi nga dioqeza e Padovës. Zakonisht gjatë verës bëjmë një kamp-familje e endemi kështu nëpër botën e madhe. Po sivjet erdhëm në Romë, për Jubileun. Zgjodhëm Romën për pushimet tona e sa të jemi këtu, do ta ndjekim Papën. Se ju e dini, s’ka njeri që vjen në Romë e nuk dëshiron ta takojë të paktën një herë Papën e Romës! Ishim, prandaj, të mërkurën, në Sallën e Palit VI, e sot jemi këtu, në Sheshin e Shën Pjetrit, për t’u lutur me Françeskun, për ta marrë në duart tona e për t’ia çuar botës atë mëshirë, të cilën ai e predikon me fjalë që nuk harrohen kurrë!

Përgjigje: - Mua më prek ajo, që thotë Papa për mëshirën: thotë se nuk duhet ta mbajmë për vete, por t’ua çojmë të tjerëve, posaçërisht atyre që vuajnë, që t’i bëjmë të ndjehen pakëz më mirë. Sepse ndjehesh mirë, kur e ke dikë pranë, plot me dhembshuri, dashuri, mëshirë.

Përgjigje:- Më prek konkretësia e shprehjes së kalimit nga zemra - në duar: Papa e përsërit vazhdimisht e edhe sot tha se nuk duhen shumë fjalë, por shumë vepra, shumë fakte. Duhen shpërvjelur mëngët, duhet bërë, jo thënë. Prej këndej jemi këtu, në shesh, sepse kështu e ndjejmë edhe më konkretisht detyrën për ta jetuar këtë Jubile, duke bërë sa më mirë të mundemi vepra mëshire, ditë për ditë mundësisht.

Përgjigje: - Unë i mbaj shënim shprehjet e Papës, që më pëlqejnë më shumë. Janë si lutje. Për shembull, ftesa për ta vlerësuar lëmoshën, parë si vepër mëshire, për të mos e mbështetur shpresën mbi të mirat kalimtare, për t’i përdorur sendet pa u kapur fort pas tyre e pa egoizëm, por sipas logjikës së Zotit, logjikës së vëmendjes për të tjerët, logjikës së dashurisë. “Ne mund të kemi shumë gjëra, më kujtoi Papa - të jemi shumë të dhënë pas parasë, mund të kemi shumë… Por, pastaj, në fund të fundit, nuk mund të marrim asgjë me vete! Mos e harroni se qefini nuk ka xhepa. Kjo shprehje më mbeti në mend.

 Përgjigje: - Kurse unë kam shënuar çka tha Papa më 25 korrik, gjatë Lutjes së Engjëllit të Tënzot, në prag të nisjes për ditën e Rinisë së Krakovit: “Lutja është mjeti i parë e kryesor i ‘punës’, në duart tona! Të ngulim këmbë me Zotin, nuk do të thotë ta bindim, por të forcojmë fenë tonë e durimin tonë, domethënë, aftësinë tonë për të luftuar së bashku me Zotin për gjëra vërtet të rëndësishme e të nevojshme. Në lutje jemi dy vetë: Zoti e unë, në luftë të përbashkët për gjëra, që meritojnë të mbrohen”.








All the contents on this site are copyrighted ©.