2016-08-13 17:07:00

Një viktimë: isha thes plehu e Papa më përqafoi.


Flitet për më se dy milionë e gjysëm italianë, që frekuentojnë prostitutat. Le të besojmë se nuk e dinë që këto gra kanë histori dramatike. E dëshmon këtë një e re nga Evropa Lindore, e shpëtuar nga prostitucioni falë Bashkësisë Gjoni XXIII: “Dje takova Papën” - brohoret.

Përgjigje: - Ishte dhuratë e papërshkrueshme ta shikoja Papën me sytë e mi: sinqerisht, nuk mund as ta besoja. Ishte një rrënqethje gëzimi, një mrekulli. Nuk e kuptoja ishte e vërtetë, apo ëndërr. Po e shikoja Papën nga afër, po i tregoja historinë time një njeriu shenjt, si ai. Isha aq e prekur, sa nuk i besoja asaj, që shikoja e që dëgjoja. Pata hirin e madh t’ia tregoja historinë time e ndjeva se Papa më kuptoi: ndjeva se e dëgjoi me  zemër në dorë historinë time; pashë në sytë e tij një keqardhje të jashtëzakonshme.

Pyetje: - A mund të na e tregoni edhe ne historinë tuaj? Si erdhët në Romë?

Përgjigje: - Erdha se më mashtruan: më premtuan punë, më propozuan të punoj jashtë si ndihmëse në një familje, do të bëja badanten, siç i thonë në Itali. Po ndryshe më thanë, ndryshe më doli. Më çuan në një qytet të panjohur e aty më mbajtën dy javë mbyllur në një apartament, ku më lidhën, më droguan e bënë ç’deshën e si deshën me trupin tim. E pastaj më thanë edhe pse më kishin sjellë aty e ç’punë më priste: prostitutë, jo shërbëtore në një familje. Bëra çmos të lirohem. Bërtita, kërkova ndihmë, por askush nuk m’u përgjigj. Pas dy javësh më mbyllën në një automjet, të lidhur këmbë e kokë, e më lëshuan në një vend kufitar italian. Po atë natë më nxorën në rrugë të madhe, duke më sqaruar mirë e mirë ç’duhej të bëja e ç’më priste, po të kundërshtoja. E kështu natë për natë. Një vit të tërë, e shpërblyer me shkelma e grushte, e jo vetëm me kërcënime, si të isha makinë, që u shërbente për shfrimin e nevojave të tyre fizike e të fantazive të tyre të ndyra. Shkelma nga padronët e dhunë nga klientët: kjo ishte jeta ime. Kur isha në rrugë, nuk e ndjeja më veten as grua e as njeri. Aq më pak vajzë 18 vjeçare. Ëndrrat e mia ishin zhdukur, ardhmëria, rrënuar. Nuk doja më të jetoja, ashtu, pa mundur të hap as gojë për ta ndryshuar këtë jetë. Duhet të bëja atë, që më thoshin, përndryshe më shuanin cigaret mbi trup e luanin me thika mbi lëkurën time. E mbas gjithë kësaj, mund të them se përfundova mirë, sepse në fund u gjendën njerëz, që erdhën e më shpëtuan. Ma kthyen edhe një herë mundësinë të jetoj si njeri, më kthyen dritën. Më dhanë shpresën….

Pyetje: - Ku e gjetët forcën të rebeloheni kundër gjithë këtij tmerri?

Përgjigje: - Forcën ma dhanë vullnetarët, që erdhën për të më krijuar një mundësi, në të cilën në fillim as që besoja, sepse kur të kanë flakur në mes të rrugës, nuk i beson më askujt, as vetvetes: e ndjen veten si thes plehu, të flakur aty… Ndërsa ata, me fjalët e tyre, me fytyrat plot shpresë, më vunë në dorë Rruzaren e u lutën bashkë me mua. Atëherë e kuptova se mund t’u besoja, sepse kishin ardhur të më kërkonin në rrugë të madhe e të më pyesnin sa vuaj, jo sa kushtoj.

Pyetje: - A ka vajza të tjera, që vuajnë në rrugë e detyrohen ta vijojnë këtë jetë tragjike…

Përgjigje: - Ka shumë, shumë, shumë vajza. E të gjitha thonë se janë aty me dëshirën e tyre. Por nuk është kështu. Të vërtetën guxojnë ta tregojnë vetëm kur shpëtojnë nga rruga. Atëherë mund të tregojnë për llogari të kujt punonin, kush i shfrytëzoi, kush i lidhi me zinxhirë, kush ua rrëmbeu lirinë. Nuk guxojnë, sepse vënë në rrezik jo vetëm veten, por edhe familjarët e, disa, edhe fëmijët e tyre të vegjël… e s’ka vajzë, as bijë, as nënë, që mund të heqë dorë nga jeta e familjarëve, për të shpëtuar jetën e vet!

Pyetje: - Si e shikon të ardhmen tënde?

Përgjigje: -  Ardhmërinë time e shikoj pranë këtyre vajzave, sepse unë tashmë dola nga rruga. Papa më tha një gjë: “Nëse ndokush të thotë se Krishti nuk u ngjall, thuaji se ti je dëshmia, që tregon se Ai u ngjall vërtet...Prandaj nëse unë ia arrita të shpëtoj, këtë mund ta bëjnë edhe shumë vajza të tjera. Por duhet bashkëpunim, të gjithë bashkë, duhet besuar e, sidomos, duhet t’u çojmë këtyre vajzave shpresën e humbur, t’u çojmë forcë e t’u krijojmë mundësi: jo duke i pështyrë në fytyrë, jo duke u thënë fjalë të ndyra, por duke u çuar fytyrën e vuajtur e edhe të qeshur të Krishtit, që vjen ta shpëtojë vajzën e varfër nga rruga. 








All the contents on this site are copyrighted ©.