2016-08-12 18:20:00

Papa Françesku takon 4 shqiptare në shtëpinë e Bashkësisë “Gjoni XXIII”


Sot pasdite, Papa Françesku shkoi për një vizitë në strukturën romake të Bashkësisë “Papa Gjoni XXIII”, themeluar nga don Oreste Benzi, për t’u takuar me 20 gra të çliruara nga skllavëria e prostitucionit. Takimi u bë në kuadrin e “Të premteve të mëshirës”, zgjedhur nga Ati i Shenjtë për një vepër mëshire gjatë këtij Viti Jubilar.

         Katër prej grave, që biseduan me Papën, ishin nga Shqipëria, gjashtë nga Rumania, shtatë nga Nigeria dhe tre të tjerat nga Tunizia, Italia dhe Ukraina. Mosha mesatare e tyre, rreth 30 vjeç. Të gjitha kanë pësuar dhunime të rënda fizike dhe jetojnë të mbrojtura nga forcat e rendit. Kujtojmë se në fillimit e emigracionit shqiptar drejt Italisë, pas komunizmit, problemi i prostitucionit të shqiptareve dhe sidomos, i shfrytëzimit të tyre të paskrupullt, ishte shumë i ndjeshëm. Tani, me integrimin e bashkësisë shqiptare në indin shoqëror italian, numri i vajzave shqiptare, të detyruara të shesin trupin e tyre në treg, është ulur. Gjithsesi, përsa i përket shfrytëzimit të vajzave nën 18 vjeç, Shqipëria mbetet në vendin e tretë, pas Nigerisë dhe Rumanisë.

Së bashku me 20 gratë, sot, në shtëpinë e Bashkësisë “Papa Gjoni XXIII”, e pritën Papën Françesku edhe përgjegjësi i përgjithshëm i Bashkësisë, Giovanni Paolo Ramonda, asistenti shpirtëror don Aldo, dy veprimtarë, që dalin në rrugë për t’i bindur vajzat të largohen nga prostitucioni, si edhe përgjegjësi i apartamentit në veri të Romës.

         Vizita e sotme e Atit të Shenjtë synon të tërheqë vëmendjen ndaj luftës kundër trafikut të njerëzve, të cilën, më se një herë, Papa e ka quajtur “krim kundër njerëzimit” dhe “plagë në trupin e njerëzimit bashkëkohor, plagë në korpin e Krishtit”.

         Gjesti i sotëm u shtohet veprave të tjera të mëshirës, që zakonisht, Papa i bën në një të premte të zgjedhur prej tij, një herë në muaj. Në janar pati vizituar një shtëpi për të moshuar e për të sëmurë në gjendje vegjetative; në shkurt, një bashkësi për të droguar; në mars, kësaj radhe në të Enjten e Madhe, shkoi në Qendrën e mikpritjes për refugjatët në Castelnuovo di Porto; në prill, vizitoi refugjatët dhe emigrantët e ishullit të Lesbos në Greqi; në qershor, dy bashkësi romake për meshtarë të moshuar e të sëmurë. Të premten, më 29 korrik, Papa Françesku përjetoi “Të premten e tij të mëshirës” me lutjen e heshtur në kampin nazist të Aushvic-Birkenaut, me vizitën në spitalin pediatrik të Krakovit dhe me Udhën e Kryqit së bashku me të rinjtë e DBR-së, ku morën pjesë edhe të rinj irakianë, sirianë e të ardhur nga zona lufte e konflikti.








All the contents on this site are copyrighted ©.