2016-08-11 14:41:00

Rubrika “Nënë Tereza, Shenjtja e Mëshirës Hyjnore”. Nana Drande


Pas babës Kolë, emisioni i 7-të i rubrikës “Nënë Tereza, Shenjtja e Mëshirës Hyjnore” marrë nga libri “Njoha një shenjtore” i kardinalit Angelo Komastri, na njeh me Nënën Drande.

Nana Drande, siç e kujtuam, ishte nga Gjakova. Edhe ajo, grua e jashtëzakonshme, si i shoqi. Nënë Tereza e përshkruan kështu: “Kur mendoj për nënën time e për t’im atë, më kujtohen gjithnjë orët e muzgut. Atëhere mblidheshim të gjithë bashkë, për t’u lutur. A mund t’ju jap një këshillë? Kthehuni të gjithë bashkë, për t’u lutur në familje, sepse familja, që nuk lutet bashkë, nuk mbahet në këmbë. Jam e bindur se kurrë nuk kemi pasur më shumë nevojë të lutemi, sesa sot. Mendoj se të gjitha trazirat e botës e kanë zanafillën tek koha e paktë që u kushtojmë fëmijëve, tek mungesa e lutjes, tek jeta e përbashkët. Të gjitha krizat e botës, këtu e kanë burimin…Prindërit janë aq të zënë me punë, sa nuk kanë kohë as t’i buzëqeshin njëri-tjerit”.

Nana Drande ishte shpirti, zemra e shtëpisë. Tregonte Nënë Tereza se e ëma, kur e dinte se babai do të kthehej vonë nga puna, ngjitej në dhomën lart e stolisej, për ta pritur sa më këndshëm burrin. Një herë, duke e ditur se i shoqi do të kthehej vonë nga një udhëtim i gjatë, ajo u zhduk papritmas e, kur u kthye, fëmijët panë, të mrekulluar, se ishte veshur nuse. “Nanë - i thanë - çka po ban kështu? Nuk jeni ma të fejuem!”.

E ajo: “Ta dini se unë martohem për ditë me babën tuej”.

E tregonte me emocion të madh, Nënë Tereza, këtë ngjarje, e shtonte “Kur em amë i tha këto fjalë, e ndjeva vedin vajza ma e lume në botë”.

Duke pasur shembullin e një familjeje të tillë, kuptohet menjëherë pse Nënë Tereza e vlerësonte aq shumë familjen dhe e mbronte nga stuhitë shkatërruese të egoizmit e të individualizmit, që fryjnë në kohët tona  e në vendet tona të mirëqenies…çnjerëzore!

Baba i mrekullueshëm, e mrekullueshme edhe nana!

Dranden e vizitonte çdo javë një grua me emrin File, që jepej fort pas verës e, prej këndej, shikohej me përbuzje nga lagjja e deri nga familjarët.

Nënë Drandja, së bashku me Anjezën, shkonte shpesh ta takonte. Ia merrte ndërresat e përjargura nga të vjellat, ia lante e ia kthente të pastra në fund të javës.

Vigania e ardhshme e dashurisë së krishterë, e kujtonte kështu t’ëmën: “Nuk e pashë kurrë duke nisur ndokënd me duar bosh. Çdo ditë e kishim një mysafir në sofër. Në fillim e pyesja Nënën: “E kush janë këta?”. Gjegjej: “Disa janë faresfis, të tjerë jo, gjithsesi tanë janë gjindt tonë”. Kur u rrita, e mora vesh se ishin të varfër, njerëz të cilët e gjenin kafshatën e bukës, që u mungonte, në sofrën e nënës sime”.








All the contents on this site are copyrighted ©.