2016-08-10 13:01:00

Rubrika “Nënë Tereza, Shenjtja e Mëshirës Hyjnore”. Baba Kolë


Emisioni i 9-të i rubrikës “Nënë Tereza, Shenjtja e Mëshirës Hyjnore”, në përgatitje të shenjërimit të rregulltares shqiptare, marrë nga libri “Njoha një shenjtore” i kardinalit Angelo Komastri, titullohet: “Edhe njerëzit, ashtu si bimët, kanë rrënjët e veta”  e i kushtohet kryesisht babës Kolë.

Massimo Azeglio, vëren kardinali Komastri, autor i librit, që po shfletojmë - shkrimtar shpesh i mprehtë e kundër rrymës - na la një vërejtje të padiskutueshme lidhur me realitetin: “Jemi të gjithë të bërë nga i njëjti  stof, mbi të cilin mbeten përherë gjurmët e para” .

Kështu ndodhi me Shën Gjon Boskon: gjurmët, që i la shembulli i s’ëmës, e formuan dhe e shndërruan në një edukator të shkëlqyer. Ai vetë pati deklaruar: “Pas Zotit, gjithçka ia di për nder nënës sime”.

Shën Gjoni XXIII, njeri mrekullisht i qetë e i aftë për t’u transmetuar qetësi edhe të tjerëve, i pati nga familja gjurmët e para, mbi të cilat u zhvillua personaliteti i tij i qetë.

Ai vetë pati deklaruar ndershmërisht: “Edukata, që merret në familje, lë gjurmët më të thella në jetë. Shumicën e gjërave, që studiova vitet e para ndër libra, i kam harruar… Por mësimin e prindërve të mi e kam ende të gjallë në kujtesë”.

Kjo vlen edhe për Nënë Terezën.

Prindërit e saj ishin kosovarë të kamur. I ati, Kolë Bojaxhija (1873-1918) ishte me origjinë nga Prizrendi, ndërsa e ëma, Drandja, (1889-1972), nga Gjakova. Ata ia ngjitën vajzës emrin Anjeze.

Në shtëpinë e Anjezes, Nënë Terezes së ardhshme, mikpritja ishte rregull e jetohej ditë për ditë. S’kalonte drekë as darkë, pa një mik në sofër. Mysafire e përhershme ishte, sidomos, zonja Markoni. Baba Kolë u thoshte shpesh fëmijëve të vet: “Priteni mirë, me dashuri, sepse është e varfër e njeri pa kurrkend të vetin”.

Kështu ishte Baba Kolë

Nënë Tereza e ardhshme e dëgjonte, e mësonte prej tij. Jo rrallë i ati ua përcillte fëmijëve këtë rregull të guximshme jete: “Kur të uleni në sofër për të ngrënë një kafshatë bukë, t’ju vijë turp nëse nuk është fryt i djersës së ballit tuaj; e nëse është fryt djerse, t’ju vijë turp nëse nuk ua ndani një copë edhe atyre, që nuk e kanë”.

Lazri, vëllai i Nënë Terezës, shkruan: “E kujtoj me gëzim bujarinë e t’im eti… U falte të gjithëve ushqime e para. E këtë e bënte në heshtje të plotë, sepse e kishte për turp të madh të krenohej. Nganjëherë më niste edhe mua për t’u çuar para, petka, ushqime e ndihma të tjera të varfërve të qytetit tonë. E  shpesh më përcillte me fjalët: ‘Duhet të jemi bujarë me të gjithë, ashtu si është Zoti me ne. Zoti na dha shumë, na dha gjithçka. Prandaj edhe ju bëjuni mirë të gjithëve!’”.

Baba Kolë e shkolloi jo vetëm të birin, Lazrin, por edhe të bijat, Anjezen e motrën e saj, Agen. Ai ishte këshilltar komunal në Shkup, ku punoi me përkushtim të madh atdhetar, duke dhënë edhe jetën.

Ishte vjeshta e vitit 1918, në përfundim të Luftës I Botërore kur, së bashku me këshilltarët e tjerë, shkoi në Beograd, ku e priste vdekja. I mbrojti aq me pasion të drejtat e popullit shqiptar, sa i tërboi armiqtë e tij. E ata nuk u mjaftuan ta shikojnë me sy të shtrembër por, gjatë drekës së shtruar për këshilltarët, e helmatisën. Mezi arriti deri në shtëpi, pas udhëtimit më të vështirë e të fundit të jetës së tij prej patrioti. E çuan menjëherë në spital, por çdo përpjekje për t’ia shpëtuar jetën, qe e kotë.

Kështu vdiq “baba i të vorfënve”, siç e quante gjindja e Shkupit, që rrani, i madh e i vogël, për ta përcjellë në banesën e mbrame.

Fjalët e fundit që i tha gruas së tij të dashur, Drandes, ishin testamend feje e dashurie: “Mos u shqetëso, gjithçka ka me shkue si s’ka ma mirë! Sepse gjithçka asht në dorë të Zotit! Drande, të lutem, kujdesu për fëmijët tonë. Qysh sot janë tuejt e të Zotit!”.

Babà i mrekullueshëm, e e mrekullueshme, edhe nëna: “Drandja e ruajti në zemër testamentin e të sho’it dhe e shndërroi në shembull për fëmijët”.

Pas vdekjes së babait, jeta e familjes u bë e vështirë, po nëna nisi të punonte gjithnjë më shumë, që të mos u mungonte asgjë fëmijëve e as të varfërve e të braktisurve, që qenë mësuar të trokisnin në këtë portë, kur ishte gjallë baba Kolë. Kishin pjesë në testamendin e tij!

Në këtë atmosferë pranverore dashurie e mirësie e çili ganxhen e jetës, Gangje Bojaxhija!








All the contents on this site are copyrighted ©.