2016-08-10 14:02:00

Bagnasco: të krishterë të diskriminuar, në emër të tolerancës


“Krishterimi mund të reduktohet në një pakicë të dukshme, por nuk mund të zhduket kurrë”: kështu tha sot kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Italiane, kardinali Angelo Bagnasco, në meshën e kremtuar me rastin e festës së Shën Lorencit, Pajtor i katedrales së Gjenovës. Prelati denoncoi përpjekjet për homologim kulturor nga i ashtuquajturi “mendim unik”. Pikërisht sot, Papa shkruan në Twitter: “Një shoqëri me kultura të ndryshme duhet të kërkojë bashkimin, duke respektuar njëri-tjetrin”.

         Shën Lorenci diakon u dogj më 10 gusht 258 me urdhër të perandorit romak Velariani, i cili përpiqej të forconte bashkimin e Perandorisë përreth kultit pagan. Të krishterët ishin tepër të ndryshëm nga të tjerët, minonin ideologjinë unike të shtetit, prandaj duheshin zhdukur. Kardinali Bagnasco u nis nga kjo premisë historike për të folur mbi persekutimet aktuale të të krishterëve: “Ndërsa vazhdojnë ato klasiket, të cilat i njohim nga një histori, që besonim se e kishim lënë pas – pohoi – sot shtohen forma të holla, por jo më pak mizore; të ligjshme, por jo më pak të padrejta”. “Perëndimi ynë i plakur – vijoi – është ekspert i tyre, i sëmurë siç është nga ideologjitë e veta të dështuara: kontinenti i të drejtave e diskriminon gjithnjë e më shumë krishterimin”, por “asnjë i pushtetshëm i kësaj bote nuk mund ta fitojë përgjithmonë zemrën e njeriut me propagandën e gënjeshtrave, me premtime të rreme e me demokraci sa për sy e faqe”.

         Sot, theksoi me forcë kryeipeshkvi i Gjenovës, “në emër të vlerave si barazia, toleranca, të drejtat, pretendohet të mënjanohet krishterimi e të krijohet një rend botëror pa Zotin, ku ndryshimet, nga njëra anë, ekzaltohen e, nga ana tjetër, shtypen”. Ekziston “vullneti prepotent për t’i bërë të gjithë njësoj, për të kushtëzuar botëkuptimin mbi jetën dhe sjelljet, për të asgjësuar sistematikisht identitetet kulturore”. S’është kjo rruga drejt një Bashkimi Evropian të harmonishëm e solidar, ngriti zërin kardinali Bagnasco, i cili nënvizoi se kështu dëmtohet kontinenti. “Historia na tregon – kujtoi – se kur pushtetarët përqendrohen në mbijetesën e tyre për ambicie personale dhe heqin dorë nga ‘res publica’ (gjëja e popullit), fillon ora e dekadencës”.

         “Kriza e botës – shpjegoi më tej – është para së gjithash, krizë shpirtërore”. “Kontinenti ynë belbëzon para sfidave bashkëkohore, sepse e ka humbur rrugën e ka frikë, sepse nuk e di më kush është, sepse i ka prerë rrënjët e veta kulturore e fetare deri në atë pikë, sa të ndjejë turp për traditat, simbolet e ritet e veta”.

         Duke folur për martirizimin e Shën Lorencit e duke e krahasuar me disa situata të sotme, prelati vuri në dukje se “martir nuk është ai, që e humb jetën, në përpjekjen për t’ua marrë edhe të tjerëve, por ai, i cili e ofron jetën, që të tjerët ta kenë”. Siç na kujton Ungjilli i këtij përkujtimi liturgjik: “Nëse kokrra e grurit vdes, prodhon shumë fryte”, por “frytet e vërteta janë jetë, jo vdekje. Jeta e njeriut është e shenjtë, sepse vjen prej Zotit – përfundoi kardinali Bagnasco – prandaj, duhet respektuar e askush nuk mund t’ia marrë vetvetes apo të tjerëve”.








All the contents on this site are copyrighted ©.