2016-08-08 17:55:00

Majlinda Kelmendi i dhuron medaljen e artë Kosovës në Rio 2016


Majlinda Kelmendi shkruan historinë në Lojrat Olimpike Rio 2016. Ajo u bë atletja e parë e Kosovës, që fitoi medaljen e artë në xhudo, duke përfaqësuar ngjyrat e flamurit të vendlindjes. Vërtet, është Olimpiada e parë, ku merr pjesë një skuadër atletësh nga Kosova, që kur Prishtina deklaroi pavarësinë e saj nga Serbia, në vitin 2008.  

         Shumë sportistë janë detyruar të marrin pjesë në garat ndërkombëtare si përfaqësues të Shqipërisë, ose të vendeve të tjera, pasi Kosova u pranua si anëtare e Komitetit Ndërkombëtar Olimpik vetëm në vitin 2014.

        Dy herë kampione e botës, Majlinda Kelmendi përfaqësoi Shqipërinë në Lojrat e Londrës, në vitin 2012, por pa fituar ndonjë medalje. Ndërsa kësaj radhe mbajti flamurin në ceremoninë e hapjes së Lojrave Olimpike, të premten, pasi kishte refuzuar ofertat e shumë vendeve për t’i përfaqësuar. Fitoi si kosovare, një medalje të artë, që siç tha vetë, nuk do ta ndërronte me gjithë arin e botës. “Kam jetuar katër vjet për këtë ditë, për këtë çast, dhe u ndjeva kaq e lumtur atje, mbi podium, kur pashë flamurin tim dhe dëgjova himnin”, u tha gazetarëve. “Nuk ka para në botë, s’ka miliona në botë, që mund të më bëjnë të ndjehem siç ndjehem sot”.

         Dje, nuk kishte atlete serbe të xhudos në garë, gjë që shmangu realizimin e urdhërit të dhënë nga Beogradi për sportistët serbë që të mos hipin në asnjë podium bashkë me kosovarët. Ndërkaq, pavarësisht nga mosnjohja e pavarësisë nga ana e Serbisë, në maj, Kosova u pranua edhe si anëtare e Federatës Ndërkombëtare të Futbollit – FIFA.








All the contents on this site are copyrighted ©.