2016-08-07 12:30:00

Fundjava e Papës, Kishës, botës


Kremtimi kryesor papnor i së dielës, lutja e Engjëllit të Tënzot me besimtarët, në Sheshin e Shën Pjetrit. E ngarkuar me kujtime kjo lutje, të cilën një javë më parë Françesku e kremtoi në Krakov, i rrethuar nga turmat pa fund të të rinjve. Ndërsa, pa përfunduar mirë shtegtimin në Poloni, kreu një tjetër, si lajmëtar i paqes, në Porciunkola të Asizit, nën shenjën e Shën Françeskut. Kremtimi kryesor papnor i së dielës, lutja e Engjëllit të Tënzot me besimtarët, në Sheshin e Shën Pjetrit. E ngarkuar me kujtime kjo lutje, të cilën një javë më parë Françesku e kremtoi në Krakov, i rrethuar nga turmat pa fund të të rinjve. Ndërsa, pa përfunduar mirë shtegtimin në Poloni, kreu një tjetër, si lajmëtar i paqes, në Porciunkola të Asizit, nën shenjën e Shën Françeskut. Besimtarëve të shumtë, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa u kujtoi, me fjalët e Ungjillit, se duhet të rrinë gjithnjë zgjuar, në pritje të takimit përfundimtar me Krishtin, gjë që duhet t’i nxisë të gjithë për një jetë të mirë, plot me vepra mëshire. “Shiteni gjithçka keni e jepeni lëmoshë, bëni çanta që nuk vjetërohen, thesar i sigurt në qiell, ku nuk mund të arrijë hajduti, që vjedh; as tenja, që bren”. Ishte ftesë për të mos e mbështetur besimin në gjërat kalimtare, ftesë për vigjilencë, në pritje të fundit: shëlbimit a dënimit të përjetshëm.    

Vatikan: Dje u përkujtua 38-vjetori i vdekjes së të Lumit Pali VI.  Giovanni Battista Enrico Antonio Maria Montini (Concesio, 26. 09. 1897- Castel Gandolfo, 06. 08. 1978), ishte i 262-ti ipeshkëv i Romës e Papë i Kishës katolike, duke nisur nga 21 qershori 1963, deri në vdekje. I Nderuar, nga 20 dhjetori 2012, pasi Papa Benedikti XVI ia njohu virtytet heroike, u lumnua më 19 tetor 2014, nga Papa Françesku.

E po dje, u përkujtua 23-vjetori i botimit të Letrës enciklike të të Lumit Gjon Pali II, “Veritatis Splendor”(6 gusht 1993), kushtuar disa çështjeve themelore të mësimit moral të Kishës. Në qendër të reflektimeve të Papës, relativizmi, argument që në këto vite hyri në diskutimin kulturor e fetar, posaçërisht të shërbesës papnore të Benediktit XVI. Nis me fjalët,  gjithnjë aktuale, si e tërë enciklika: “Drita e së vërtetës shndrit në të gjitha veprat e Krijuesit, në mënyrë të veçantë, në njeriun, të cilin e krijoi sipas shëmbëlltyrës e përngjasimit të vet (krh Zan 1,26); e vërteta e shndrit inteligjencën dhe formon lirinë e njeriut, që në këtë mënyrë udhëhiqet ta njohë e ta dojë Zotin. Prej këndej, psalmisti lutet: “Shndritët përmbi ne, drita jote, o Zot!”. E drita e vërtetë, që shndrit çdo njeri, është Jezu Krishti!

Francë: do t’i kushtohen Francës më 15 gusht, të gjitha Meshët e kremtuara në solemnitetin e Të Ngjiturit të Zojës në Qiell, në kishat franceze. Njoftimin e dha kryeipeshkvi i Marsejës, Georges Pontier, me një notë, ku shkruhet: “Në këtë festë shprese, ftojmë që gjatë meshëve, në lutjen e besimtarëve, të kujtohet ky ndjet”.

Në mesditë këmbanat e të gjitha kishave të Francës do të bien përnjëherësh, pikërisht në mesditë. Tingujt e tyre, që do t’i pushtojnë të gjitha hapësirat, do të jenë shprehje e dëshirës që Zoti ta bekojë këtë vend e ta ndihmojë t’i kapërcejë vështirësitë, që po kalon. Do të bien edhe në Nicë, këmbanat, e edhe në Rouen, atje, ku Kishës katolike iu shtua një martir,  Atë Jacques Hamel.

Për t’u kujtuar se, që më 1638, kur mbreti Luigji XIII ia kushtoi Francën Virgjërës Mari, në festën e Të Ngjiturit të Zojës në Qiell besimtarët i kërkojnë ndërmjetësim Marisë gjithnjë me një ndjet të posaçëm. Vjet u lutën për martirët e Lindjes së Mesme. Sivjet, për martirët e vet! Sepse martirizimi, me këmbët e dhunshme, shkeli edhe mbi tokat franceze.

Në Angola, që sot e deri më 14 gusht, do të vijojnë punimet e Kongresit Eukaristik Kombëtar. Mbahen në kuadrin e Jubileut të misioneve, ky Kongres, organizuar nga Konferenca ipeshkvnore, për të kujtuar 150-vjet histori të Kishës angoliane, që përkojnë me etapën e dytë të ungjillëzimit, i cili zu fill më se pesëqind vjet më parë.                  

Perù: ipeshkvijtë e Perusë, përmes një note, bëjnë thirrje kundër pasigurisë, varfërisë, korrupsionit. Kërkojnë që qeveria t’u përgjigjet me urti, efikasitet e gatishmëri këtyre të këqijave të mëdha, që varen si re të zeza mbi kokën e popullsisë. E - theksojnë me forcë - dhurata e fesë së krishterë, e rrënjosur në identitetin kombëtar, është forca më e madhe, që mund t’i prijë ndryshimit dhe shndërrimit të çdo njeriu.

Në Indonezi ipeshkvijtë dënojnë sulmet kundër tempujve budistë, kryer këto ditë në veri të ishullit Sumatra, nga ekstremistët myslimanë. Sipas agjencisë Ucan, sulmet shpërthyen ngaqë një anëtar i bashkësisë kineze u ankua se e shqetësonte zëri tepër i lartë i hoxhës, kur këndonte në minare. Kaq u desh, që të niste sulmi e të shkatërroheshin disa tempuj të budistëve.

Nga Sudani i Jugut, imzot Kussala, ipeshkëv i Tombura-Yambio e kryetar i Këshillit për Nismat e Paqes në vendin afrikan, i drejton bashkësisë ndërkombëtare thirrjen: “Mos na harroni! Nëse Sudani i Jugut do të lihet mënjanë - shpjegon prelati - vala e refugjatëve, që arrijnë në brigjet e Evropës do të bëhet vërtet e papërballueshme”.

Armenia jeton çaste tensioni. Ndeshjet ndërmjet qeverisë e opozitës shkaktuan këto ditë trazira në jetën e vendit. Gjatë ndeshjeve mbetën të vrarë dy policë e dhjetra civilë. “Problemet të zgjidhen me dialog e jo me dhunë”, bën thirrje Kisha Apostolike armene, kryesuar nga Katolikos Karekini II, i cili përhapi një notë, me ftesën për paqe e pajtim kombëtar. Në notë shprehet edhe dhimbja e thellë për të vrarët e të plagosurit.








All the contents on this site are copyrighted ©.