2016-08-06 10:30:00

Shenjtorët e javës 7 gusht – 14 gusht


E diel 7 gusht, Kisha katolike kremton të Dielën 19-të gjatë vitit kishtar, e gjithnjë më 7 gusht, kalendari kishtar përkujton shën Sikstin II, papë me shokë, të gjithë martirë, shën Donatin e shën Gaetanin nga Tiene, themelues i Teatinëve. Liturgjia e kësaj së diele na kujton përmasën e pritjes së Zotit si pjesë përbërëse e themelore të jetës së krishterë. Fjala e Zotit na ndihmon ta kuptojmë domethënien e plotë të pritjes së takimit më të rëndësishëm të jetës sonë: takimit me Krishtin, Dhëndrin e njerëzimit.

Të hënën më 8 gusht, kalendari kishtar kujton shën Dominikun (Dedën) e Guzmanit, meshtar, themelues i Urdhrit të Predikatarëve. Liturgjia na kujton se predikimi e lutja karakterizojnë stilin e Jezusit. Kush ka fe, kush ka besim në të dhe ndjek gjurmët e tij, nuk mund të pushtohet nga frika, as në momente e situata të vështira, madje as edhe në ato të pamundura të jetës. Besimi në Zoti është mbështetje e mburojë për njeriun që shpreson në Të.

Të martën më 9 gusht, kalendari kujton shën Terezën Benedikta e Kryqit (Edith Stein), virgjër e martire, shpallur nga Papa Gjon Pali II bashkëpajtore e Evropës, më 1 tetor të vitit 1999. Figurë e jashtëzakonshme, shën Tereza Benedikta e Kryqit ishte rregulltare karmelitane, filozofe e thellë dhe shkrimtare e shkëlqyer.  Shën Tereza Benedikta e Kryqit, u lind në Breslavë, keyeqendra e Slesës së Prusisë, në një familje hebraike të gjermanizuar. Në moshën 14-vjeçare e e braktisi fenë dhe u bë ateiste. Studioi filozofi në Gëtingen, ku u bë ndjekëse e Edmund Huserlit, themelues i shkollës së fenomenologjisë.  Më 1921 përqafoi katolicizmin dhe më 1922 u pagëzua. Më 1932 e thirrën të mbante ligjërata në Institutin pedagogjik të Mynsterit, por nuk mundi të vijonte për shkak të ligjeve raciale. Më 1933 hyri në Karmelin e Këlnit dhe mori emrin Tereza Benedikta e Kryqit. Më 1942 forcat e Gestapos e nxorën me forcë nga kuvendi dhe e mbyllën në kampin e shfarosjes në Aushvic-Birkenau, ku vdiq, në dhomën e gazit, më 9 gusht. 

Të mërkurën më 10 gusht, kalendari kishtar kujton shën Lorencin, diakon e martir. Liturgjia e ditës na kujton fjalët e Jezusit në ungjillin e shën Gjonit (Gjn 12,24-26) ”Atë që më shërben, Ati Qiellor do ta nderojë, pohon”. Shpirti i Zotit sjell lirinë e vërtetë, atë liri që arrihet me mundim në kërkimin e së vërtetës mbi veten tonë e mbi jetën tonë personale, një liri që nuk përjashton ligjet e detyrimet, të cilat burojnë nga përgjigjja, që duhet t’i japim Zotit.

Të enjten më 11 gusht, kalendari kujton shën Kjarën e Asizit, virgjër, e shën Suzanën e shën Tiburcin, martir. Liturgjia e ditës na sjell thirrjen e psalmistit: Shpëtona o Zot, e dhurona jetën e vërtetë. A jemi duke vepruar për ato të mira që prishen e kalojnë, apo punojmë për të shpëtuar atë që është e pavdekshme në ne? Fjala e Zotit na fton t’i përmbahemi udhës ungjillore, udhës që na shpie në plotësinë e jetës

Të premten më 12 gusht, kalendari kujton shën Gjovanën Françeska e Shantalit, rregulltare, si edhe shën Inoçencin XI, papë. Liturgjia e ditës na kujton se ligji i ri i Krishtit i fton të gjithë të jenë plot dashuri e mëshirë, bujari e solidaritet, si kur fitojnë, ashtu edhe kur, për syrin e botës, humbasin. Duhet të galdojmë përherë në Zotin, që na shpëton.

Të shtunën më 13 gusht, kalendari kishtar përkujton shën Poncianin, papë e shën Ipolitin, meshtar, të dy martirë, si edhe shën Gjonin Berkmans, jezuit. Liturgjia e ditës na kujton fjalët e Jezusit  që jehojnë në Ungjill “Lërini fëmijët të vijnë tek unë, duke na kujtuar se vetëm ata që bëhen vërtet të vegjël, pra që ia besojnë veten krejtësisht Hyjit, mund të hyjnë në portat e Mbretërisë së Qiellit.

Të dielën e ardhshme më 14 gusht, Kisha katolike do të kremtojë të Dielën e 20-të gjatë liturgjik. Gjithnjë më 14 gusht, bie edhe përkujtimi liturgjik i shën Maksimilian Kolbes, meshtar e martir, si edhe e shën Euzebit romak. Shën Masimilian Maria Kolbe, shenjt i kohëve të vështira të nazizmit, mbush në këtë ditë 70-vjetorin e martirizimit. E ofroi veten në vend të një babai me familje e fëmijë, për të vdekur me mundime në bunkerin e urisë, ku e hodhën nazistët në Aushvic.








All the contents on this site are copyrighted ©.