2016-08-06 15:58:00

Kinë: vdiq ipeshkvi i Xiapu, për 35 vjet në burgje e punë të detyruar


Ndërroi jetë më 30 korrik, në moshën 93 vjeç, imzot Vinçenc Huang Shoucheng, ipeshkëv dioqezan i Xiapu (Funing), në  provincën e Fujian (Kina Kontinentale).

Lindi më 23 korrik 1923, në Kangcuo, pranë Fu’an (Fujian) në gjirin e një familjeje me traditë katolike. Në një vend ku fjala meshtar katolik pasohej shpesh nga fjalët “burg” e “kamp përqendrimi”, zgjodhi rrugën e meshtarisë. Pasi kreu seminarin e vogël të Luojiang, studimet filozofike-teologjike i vijoi pranë seminarit të madh të  Fuzhou. Më 26 qershor 1949 u shugurua meshtar nga administratori apostolik i Funing, imzot Tomë Niu Huiqing.

Pas shugurimit shërbeu si mësues në seminarin e vogël të Funing e edhe si famullitar i Xiapu dhe i disa famullive të tjera, ku kumtoi me gjithë shpirt Ungjillin e Krishtit. Nga 60 vjet meshtarie,  më se 35 i kaloi në burg, në internim, në arrest shtëpiak, duke dhënë një dëshmi heroike feje, besnikërie pa kushte ndaj Pasardhësit të Shën Pjetrit dhe bashkimi të thellë me Kishën universale.

Na kujton një tjetër ipeshkëv me emrin Vinçenc, që u shua në burg, duke kërkuar “Më shumë dritë”, në mes të errësirës, ku ishte kredhur vendi i tij e Kisha e tij: imzot Vinçenc Prennushin, që do të shpallet i Lum më 5 nëntorin e ardhshëm.

E edhe një figurë tjetër madhore të klerit shqiptar, kardinalin e parë, Mikel Koliqi, që e kaloi thuajse gjithë jetën meshtarake në burgje e kampe përqendrimi.

Kështu edhe imzot Vinçenc Huang Shoucheng. Emri i tij na kujton se historia e persekutimit të të krishterëve vijon e se ka ende shumë meshtarë në pranga. E megjithatë, i kushtohen me gjithë shpirt Ungjillit. E tregon trashëgimia, që la pas imzot Vinçenc Huang Shoucheng: “Një dioqezë me 90 mijë katolikë, me më se 60 meshtarë, 200 murgesha e 300 virgjëra të kushtuara, të angazhuara me ungjillëzimin”.








All the contents on this site are copyrighted ©.