2016-08-06 15:36:00

Françesku skuadrës olimpike të refugjatëve: jini britmë vëllazërie e paqeje!


Papa Françesku i shkroi një letër të shkurtër, por shumë të përzemërt, skuadrës së refugjatëve, që merr pjesë në Olimpiadë, falë një nisme të OKB-së. Dje, në një tweet, i uroi të gjithë atletët e pranishëm në Rio-de-Zhanéjro: “Jini gjithnjë lajmëtarë të vëllazërisë e të shpirtit të vërtetë sportiv”. 

Po Françesku deshi t’i drejtohej në mënyrë të posaçme, skuadrës së parë të refugjatëve, që merr pjesë në Lojërat Olimpike, duke i shkruar një letër vërtet prekëse: “Të dashur vëllezër - u shkruan, duke ua kujtuar një për një emrat - dëshiroj t’ju arrijë përshëndetja ime e urimi im, që të keni sukses në Olimpiadë. Uroj - shkruan më tej Papa, që guximi dhe forca juaj shpirtërore të shprehen përmes Lojërave Olimpike, si britmë vëllazërie e paqeje. E që, përmes ju të gjithëve, njerëzimi ta kuptojë se paqja mund të fitohet, ndërsa me luftë gjithçka humbet. Dëshiroj - përfundon Françesku - që dëshmia juaj t’u bëjë mirë të gjithëve. Lutem për ju e edhe unë ju kërkoj të luteni për mua. Zoti ju bekoftë!.

Nënshkruar: “Vëllazërisht, Françesku”.

Në skuadër bëjnë pjesë 10 atletë: 6 burra e 4 gra: janë dy notarë sirianë, dy xhudoka nga Republika Demokratike e Kongos e 6 vrapues nga Etiopia dhe Sudani i Jugut. Të gjithë, të ikur nga dhuna e persekutimet, strehuar në vende të tjera. 18 vjeçarja Yusra Mardini, siriane, refugjate në Lesbo, ka shpëtuar dhjetra njerëz, duke i shtyrë deri në breg me not, kur gomones i qe prishur motori. E kjo ishte gara e saj më prekëse! E fituar!








All the contents on this site are copyrighted ©.