2016-08-05 16:30:00

Pesëmbëdhjetë ditëshi i Zojës së Ngjitur në Qiell, udhë e mëshirës


Të lutemi. Madje ta thithim me të dyja mushkëritë traditën mariane bizantine e atë katolike. Kjo është përvoja shpirtërore e pesëmbëdhjetë ditëshit  të Zojës së Ngjitur në Qiell, periudhë që na përgatit shpirtërisht për 15 gushtin, kulm i verës e kulm i jetës së Nënës së Krishtit që, si e mbajti në prehër të Birin e vdekur, si e pa, pastaj, të gjallë, u ngjit me korp e shpirt atje, ku Ai mbretëron në të djathtën e Atit. Ishte data 15 gusht kur, sipas liturgjisë bizantine, Zoja e Bekuar fjeti e u mbart nga engjëjt në qiell, Në Romë 15-ditëshi përgatitor nis më 1 gusht, posaçërisht në një kishë, ku kremtohet shumë vit për vit. Është Kisha e Shën Marisë në rrugën Lata. Po përgatitje për këtë festë të madhe të fundverës, bëhen në të gjitha kishat katolike. E për këtë na flet, në mikrofonin tonë, mariologu atë Ermanno Toniolo, i Urdhërit të Shërbëtorëve të Marisë:

Përgjigje: - Pesëmbëdhjetëditëshi përgatitor i festës së Zojës të Ngjitur në qiell, mund të themi se nisi para vitit njëmijë, në liturgjinë kostandinopoliane-bizantine, pikërisht për ta kremtuar këtë solemnitet që zu fill qysh në shekullin VI, në Jeruzalem e pastaj u përhap nga perandori Maurizio në të gjithë Perandorinë, duke u bërë solemniteti i Zojës së Ngjitur në Qiell. Të gjithë besimtarët e Kishave lindore: koptët, egjiptianët, etiopët, sirët, maronitët, kaldenjtë, armenët, grekët, të gjithë e jetojnë si festë të madhe. Festa e festave të Marisë: festa shenjte, festa hyjnore. Ka një mori titujsh, pra. Prandaj të gjithë përgatiten seriozisht, ndryshe nga ne, perëndimorët. Agjërojnë e luten fort. Në ritin bizantin quhet “kreshma e vogël e Nënës Zotit”, për t’u përgatitur, kështu, për datën 15 gusht, që është Pashka e Marisë.

Pyetje: - Një pyetje lidhur me gërshetimin, në ditët tona, të teksteve bizantine e atyre lindore... Eshtë mënyrë për ta festuar festën e Marisë duke marrë frymë me të dyja mushkëritë?

Përgjigje: - Para së gjithash, mund të themi se Kisha bizantine, në fillim të shekullit IX, kur nisi të vërë në jetë reformën e pafundme liturgjike, kompozoi edhe një kanun, që u bë popullor. I ashtuquajturi kanun i “Paraclisis”, kompozuar nga murgu Teosteriku, lutje drejtuar Nënës së Zotit për ngushëllim, për ndihmë, për prani në të mira e të vështira. Por ka edhe himne të tjera, si ai i shekullit XIII, kompozuar nga Teodori II Ducas Lascaris. Këto dy kompozime gërshetohen në kremtimin e përnatshëm. Po ne, çfarë bëjmë? Mendësia jonë perëndimore para Zojës së Ngjitur në Qiell është tepër laiciste e nuk na kujton se duhet të përgatitemi edhe ne, 15 ditë, për këtë festë. E atëherë i përfshimë në kremtim tekstet, bashkë me Psalmet, për t’iu lutur me lutje të përbashkëta, Nënës së  Zotit, që të na ndihmojë.

Pyetje: - Udha shpirtërore, e propozuar nga Kisha për kremtimin e këtyre 15 ditëve?

Përgjigje: - Besoj, para së gjithash, udha e mëshirës, për të cilën flet Papa Françesku. T’i kërkojmë mëshirë Asaj, që është e mëshirshme, Nënë e të Mëshirshmit: mëshirë për mëkatet, mëshirë për situatat e rënda që kemi- personale, familjare, shoqërore, ndërkombëtare. ËËshtë përgatitje shprese, e edhe ngushëllimi.

Pyetje: - Në këto ditë u kremtua DBR-ja e Krakovit. Si mund të përfitojnë të rinjtë nga kjo përvojë mariane, për të përforcuar fenë?

Përgjigje: - Ju e dini ç’tha Papa në Krakov! Tha se të rinjtë duhet të përvetësojnë stilin hyjnor të Nënës së Zotit. Ky stil të mëson të mbjellësh çdo ditë shpresë. Papa i porositi të rinjtë të angazhohen çdo ditë pikërisht për të mbjellë shpresën e u tha edhe: “Jini dëshmitarë të shpresës, veprimtarë të ardhshëm të shpresës në botë!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.