2016-08-05 13:44:00

Atë Durighetto: rrëfimet jashtë programit, vezullim i Shpirtit Shenjt


Ishte e shkurtër, vizita e djeshme e Papës në Porciunkola, vetëm prej pak orësh, por e ngarkuar me ngjarje e, sidomos, me mbresa. Që nga prania Françeskut, tek fjalët e tek gjestet. E një nga gjestet, që do të mbetet në kujtesë, është ai kur Françesku vuri stolën e nisi të rrëfejë disa pendestarë, duke theksuar kështu, mëshirën e Zotit, pikërisht në Vitin e Mëshirës. Për këtë vizitë, ndjekur nga afër, me emocione të thella, flet, në mikrofonin tonë, atë Claudio Durighetto, provincial i Fretërve të Vegjël të Umbrias:

Përgjigje: - Ishte pikërisht, nga njëra anë, gati elektrizuese prania  shpirtërisht tepër e fortë e Papës, e nga ana tjetër, paqja që na dikoi në shpirit aq, sa na u duk se po preknim Parrizin, si në heshtje, ashtu në lutje. Në atë kohë, kur Papa u përhumb në uratë, në Porciunkola, e kështu edhe në të gjitha çastet e tjera.

Pyetje: - Ç’mesazh mund t’u japë besimtarëve ky çast kaq i rëndësishëm?

Përgjigje: - Se duhet të rinisemi nga Zoti, duhet të rinisemi nga dashuria  e se vetëm duke e njohur Zotin në lutje, në heshtje, mund ta provojmë mëshirën, për të jetuar, pastaj, me mëshirë.

Pyetje: - Papa pati edhe një veprimtari jashtë programi: rrëfei papritmas disa njerëz…

Përgjigje: - M’u duk si të ishte vezullim i Shpirtit Shenjt, që e shndërroi  vizitën në diçka të jashtëzakonshme. Papa foli për mëshirën, foli për faljen e pastaj tha: të fillojmë menjëherë. Të nisim nga Papa, nga ipeshkvijtë, nga priftërinjtë, që rrëfehen e vihen në dispozcon për të rrëfyer. Ishte një mobilizim i improvizuar, balsam i vërtetë, gjë e jashtëzakonshme.

Pyetje: - Ç’tregon, sipas jush, ky gjest i thjeshtë i Papës?

Përgjigje: - Që ndjesa, ashtu si e mendoi Shën Françesku, nuk është si të lahesh me sfungjer, nuk është gjë e lehtë, magjike. Që të pastron zdralën e shpirtit: ndjesa është pjesë e udhës së kthimit tek Zotit, e kalimit nga njeriu i vjetër, tek njeriu i ri. E kjo bëhet në udhën drejt Porciunkolës, në udhën shpirtërore të lutjes, udhë pendese e kthese të madhe kah Zoti, me përvujtëri e vërtetësi, para Zotit e para vetes, duke lypur falje për mëkatet, si mëkatarë e nevojtarë të mëshirës. Kjo krijon më shumë përvujtëri në marrëdhëniet me të tjerët e edhe mundësinë të lidhim marrëdhënie të reja.

Pyetje: - Papa kujtoi edhe vështirësinë që ka njeriu për të falur e tha: “Këtu, në Porciunkola, ndjehet me të vërtetë mëshira e Zotit”…

Përgjigje: - Biografi i parë i Shën Françeskut, Tommaso da Celano, flet për përvojën, mund ta quajmë mistike, të Françeskut në Porciunkola. Françesku e ndjente veten të shtypur e të trishtuar e mëkati gati po ia zinte frymën. Në Porciunkola provoi mëshirën e Zotit, ndjeu se Zoti e kishte falur, ia kishte rikthyer hirin e jashtëzakonshëm. E pikërisht këtë përvojë mistike Françesku deshi ta provonin të gjithë përmes ndjesës, në analogji me Këngën e Krijesave, lindur nga një përvojë e ngjashme, në një çast pakënaqësie të thellë, në Shën Damian. Po Shën Françesku ishte i sigurt se Zoti po i fliste e po i thoshte: “Do të jesh shumë shpejt në Mbretërinë time, do të shpëtosh, do të jesh me mua në Mbretërinë time”. E kjo e bëri të shpërthejë në gëzimin e Këngës, që e këndojnë të gjitha krijesat, me Krijuesin!








All the contents on this site are copyrighted ©.