2016-08-04 09:00:00

Selia e Shenjtë: stop, barbarive kundër fëmijëve në konflikte


Gjatë debatit për fëmijët e përfshirë në konflikte, zhvilluar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, i ngarkuari me punë pranë Misionit të vëzhguesit të përhershëm të Selisë së Shenjtë, imzot Simon Kassas, nënvizoi se është e nevojshme që palët të ulin armët e të fillojnë dialogun. Në qendër të diskutimit, relacioni i 14-të vjetor i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon.

Jo, shkatërrimit të shkollave e të spitaleve

         Fëmijë-ushtarë, përdorur si kamikaze, shfrytëzuar për qëllime seksuale, ose për operacione të rrezikshme ushtarake. Viti 2014 mbahej si më i shëmtuari përsa i përket kësaj dhune mbi fëmijët, por u tejkalua nga 2015-a, sidomos për mizorinë e dhunimeve. “Kurrë në historinë e sotme, nuk kemi pasur kaq shumë fëmijë, që pësojnë lloj-lloj mizorish kaq të dhunshme”, denoncoi imzot Kassas. Ai kërkoi që bashkësia ndërkombëtare të dënojë fuqishëm edhe shkatërrimin e shkollave e të spitaleve pediatrike, gjë, që është kthyer në strategji lufte, duke mos pyetur aspak për të drejtën humanitare.

Qeveritë duhet të respektojnë impenjimet e marra

         Sipas Selisë së Shenjtë, është e nevojshme që qeveritë të zbatojnë plotësisht impenjimet e marra për t’i dhënë fund rekrutimit të fëmijëve-ushtarë. Edhe në relacionin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së nënvizohej se i duhet dhënë fund sulmeve ajrore dhe përdorimit të bombave me rreze të gjerë veprimi, në zonat e populluara, sepse s’bëjnë tjetër, veçse shtojnë rreziqet e pasojat mbi fëmijët. Gjithashtu, të gjitha vendet përgjegjëse për veprime të tilla duhen dënuar.

Impenjimi i Kishës Katolike

         Imzot Kassas nënvizoi se Kisha Katolike, me strukturat e saj, mundohet të kujdeset për viktimat e dhunës e bashkëpunon edhe me misionet e paqes e me agjencitë e OKB-së. Drama e fëmijëve në konflikte, shtoi ai, duhet t’i bëjë njerëzit ta ndryshojnë zemrën e të ulin armët, për të filluar rrugën e dialogut. Pastaj, duhen ndihmuar familjet e fëmijëve të mbijetuar, të kapërcejnë paragjykimet, sidomos ndaj vajzave, viktima të përdhunimit. Integrimi i tyre në bashkësi, është çështje qendrore.

Relacioni i Ban Ki-moon

         “Njësoj si të jetonin në ferr”, pati thënë fillimisht Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, duke iu referuar shumë fëmijëve – tepër – viktima të turturës, gjymtimit, abuzimeve seksuale. Frontet më të vështira janë Afganistani, Iraku, Somalia, Sudani i Jugut. Por edhe Jemeni, ku në një vit, është katërfishuar numri i të vegjëlve të rekrutuar nga ushtria e nga milicitë lokale, ndërsa është gjashtëfishuar numri i fëmijëve të vrarë, ose të gjymtuar. Për të mos folur, pastaj, për Shtetin Islamik, që i shton radhët pikërisht me të mitur, ose për grupin fundamentalist Boko Haram, në Nigeri, që ka përdorur 21 vajza për shpërthime në vende plot njerëz. E nuk mund të harrohet Siria, ku mijëra fëmijë kanë vdekur që nga fillimi i konfliktit. Relacion i trishtë, me ndonjë rreze drite: gjatë vitit 2015, më se 8 mijë fëmijë janë liruar e shumë vende kanë miratuar ligje, që mbrojnë të vegjlit. Hapa të ndrojtura, por të rëndësishme, në një botë ku rreth 250 milion fëmijë jetojnë në vende konflikti.








All the contents on this site are copyrighted ©.