2016-08-04 11:19:00

Rubrika “Nënë Tereza, Shenjtja e Mëshirës Hyjnore”: “Engjëjt gjinden edhe në skëterrën e mjerimit”.


Pier Paolo Pasolini dhe takimi i tij me Nënë Terezën, në emisionin e katërt të rubrikës “Nënë Tereza, Shenjtja e Mëshirës Hyjnore”, rrëfyer në librin “Njoha një shenjtore”, shkruar nga kardinali Anxhelo Komastri.  Për t’u përgatitur shpirtërisht këtë muaj, që na çon tek shenjtërimi.

Pier Paolo Pasolini, që nuk kishte punë me engjëj, kur e takoi Nënë Terezën, qe ndarë prej saj me një britmë, që i delte nga zemra. Pati thënë: “Kjo grua, kur t’i ngul sytë, të shikon në shpirt! Mbi fytyrën e saj të hajthme ka vënë vulën e vet mirësia që të magjeps!”.

Të prek fakti që edhe Pasolini mbeti i magjepsur nga kjo grua e vogël, e çarmatosur dhe çarmatosëse, e aftë për ta përmbytur botën me dashuri, që s’la skaj të tokës pa shkelur. Fakt vërtet prekës.

Në Kalkutë Pasolini, në sa bridhte për të realizuar filmin e tij, pati takuar papritur një grua veshur me sarin e bardhë, që u afrohej kazaneve plot me pleh. Nga kazanet dilte një farë kuitjeje e dëshpruar: gruaja me sarin e bardhë iu afrua, rrëmoi ndërmjet mbeturinave të gjellëve, që qelbeshin e nxori që aty një çamarrok me litarthin kërthizor të lidhur për faqe të zezë. Foshnja kishte  shpëtuar!

Murgesha ishte Nënë Tereza!

Kush vallë e ndezi në zemrën e kësaj gruaje shkëndijën e dashurisë për të varfërit, për të fundmit, për fëmijët e braktisur, për njerëzit, që nuk i do askush? – pati pyetur natyrshëm Pasolini. Ashtu si nuk mund të mos pyesë gjithkush!

Disa vite më pas, mund të shihej duke kaluar ndërmjet të mjeruarve  të braktisur, buzë gropave të hapura të gjirizeve, që i has kudo në lagjet e varfra rreth Kalkutës. Sillej si engjëll i vërtetë në gjirin e mjerimit më të zi.

Një herë, në “Shtëpinë e Zemrës së Papërlyer të Zojës”, në Kalkutë, sollën një burrë kockë e lëkurë, që i ngjiste një krijese sajuar me pergamenë. Ishte mbeturinë njerëzore, mumje që merrte frymë ende, ndonëse në sytë e tij jeta qe shuar qëkur.

Po ishte ende gjallë.

Krimbat lëviznin mbi lëkurën e tij gjysëm të ngrënë, për të depërtuar, më pas, në brendësi. Gratë e palodhshme me sari blu mundoheshin t’ia njomnin buzët e thara me lëng mishi të ngrohtë: po burri nuk ishte më në gjendje të kapërdinte asnjë lloj ushqimi, sepse i qe tharë plotësisht goja.  Ndërsa motrat ia lajnë trupin e zhigatur me baltë e jashtëqitje,  aty afrohet një grua në moshë, me një buzëqeshje plot dashuri e respekt, që burri  nuk e kishte provuar kurrë në jetën e tij.

Është Nënë Tereza, e dërguara e Mëshirës hyjnore.

Nis t’ia heqë krimbat nga plagët, që lëshojnë një duhmë të padurueshme. Një tjetre do t’i kishte rënë të fikët. Por jo asaj. Burri skeletik mrekullohet e pyet me një fije zëri: “Si mund ta durosh erën e qelbur, që del nga trupi im?”.

“Çka ndjej unë, nuk është asgjë, në krahasim me atë, që vuan ti!”.

“Ti sigurisht nuk je prej këtyre anëve. Njerëzit e këtushëm nuk e bëjnë, këtë, që po bën ti. Bekuar qofsh!”.

“Jo, i bekuar je ti, sepse vuan me Jezusin e si Jezusi”.

Këto, fjalët e fundit që dëgjon burri i ngrënë nga krimbat. Ky bekim e shoqëron në qiell, në krahët e Jezusit, ndërsa buzëqeshja e Zojës së Bekuar i zë vendin buzagazit të Shenjtes së Mëshirës Hyjnore.

Ajo nganjëherë i shkëpuste sytë nga mjerimi e shikonte indiferencën e njerëzve të ngopur e, megjithatë, të palumtur, të galdimtarëve të pakënaqur, të të pasurve krejt të varfër, pa pikën e ndjenjave njerëzore. E nga buzët, që kishin puthur vetë mjerimin, i dilte qortimi i natyrshëm: “Duhet të marrë fund kjo indiferencë: në botë po zhduket dashuria…e kjo është varfëria më e rrezikshme, sepse i vret njerëzit në shpirt, ua rrëmben gëzimin e të jetuarit. Kemi nevojë kudo për njerëz, që shpërvjelin mëngët  e nuk kanë frikë t’i ndotin duart me baltë, që përkulen mbi të varfërit, mbi  njerëzit në grahma të vdekjes, mbi ferishtet e flakura në kazanet e plehrave, parë si hedhurina nga bota e pasur, e ngopur, por gjithnjë e pakënaqur.

Dil nga vetvetja, kalo në anën e dashurisë! Eja, të presim, për të të bërë të lumtur. Sepse s’ka ndodhur kurrë në këtë botë që egoisti të jetë i lum. Të siguroj për këtë!”.

Kjo ftesë e Nënë Terezës e ruan tërë forcën e saj e, sidomos, tërë aktualietin dramatik.

Mos ta lëmë të shkojë kot!








All the contents on this site are copyrighted ©.