2016-08-04 16:30:00

Papa Françesku në Porciunkola: bota ka nevojë për faljen


“Dua t’ju çoj të gjithëve në Parajsë!”. Fjalët e Shën Françeskut, që sipas një tradite të lashtë, i Vobekti i Asizit u tha popullit dhe ipeshkvijve, qenë në krye të meditimit të Papës Françesku në Porciunkola, ku shkoi sot si shtegtar mes shtegtarësh, për të marrë, edhe ai, ndjesën e plotë. Një tapet lulesh i gjatë 130 metra, me shkrimin “Françesku, dëshmitar i përvuajtërisë, shembull paqeje dhe mikpritjeje” i uroi mirëseardhjen Atit të Shenjtë.

         Mijëra njerëz, brenda dhe jashtë Bazilikës së Shën Marisë së Engjëjve, ku ndodhet kishëza e vogël, që shënon fillimet e françeskanizmit, ndoqën Atin e Shenjtë, i cili u lut në heshtje në Porciunkola. Pastaj, meditimi mbi fragmentin ungjillor të Mateut (18,21-35) ku Jezusi i thotë Pjetrit se duhet t’i falë fyerjet jo shtatë herë, po shtatëdhjetë herë shtatë. “E pse u dashka të falim dikë, që na ka bërë keq?”, pyeti Papa, për t’u përgjigjur menjëherë: “Sepse ne të parët jemi falur e shumë herë më tepër. Shembëlltyra na thotë pikërisht këtë: ashtu si Zoti na fal, ashtu edhe ne duhet t’i falim ata, që na bëjnë keq”. E kërkojmë përditë këtë, me lutjen e “Atynës”, kur themi: “Na i fal fajet tona, si i falim ne fajtorët tanë!” (Mt 6,12).

         Secili prej nesh, vijoi Papa, mund të jetë ai shërbëtori i shembëlltyrës, që ka një borxh aq të madh, sa nuk mund ta shlyejë kurrë. Edhe ne, kur gjunjëzohemi para meshtarit në rrëfyestore, nuk bëjmë tjetër veçse përsërisim gjestin e shërbëtorit. I kërkojmë Zotit të ketë durim me ne, sepse e dimë mirë se kemi shumë mungesa e bëjmë shumë mëkate. E megjithatë, Zoti nuk lodhet së faluri, nuk lodhet së na dashuri. Hyjit i vjen keq, shpjegoi Papa kuptimin e mëshirës hyjnore, pra, ndjen mëshirë e dhembshuri njëkohësisht: kjo është mëshira e Tij ndaj nesh. “Falja e Zotit – theksoi Ati i Shenjtë – nuk njeh kufi; shkon përtej imagjinatës sonë dhe arrin tek kushdo, që në intimitetin e zemrës, e pranon se ka gabuar dhe dëshiron të kthehet tek Hyji”.

         Problemi lind kur kemi përpara dikë, që na ka bërë keq. Edhe Ungjilli sipas Mateut përshkruan shërbëtorin, i cili, i mëshiruar nga i zoti, nuk tregoi të njëjtën mëshirë për atë, që i kishte borxh diçka të vogël. Shpesh, edhe ne veprojmë kështu, vërejti Papa Françesku: kur u kemi borxh të tjerëve, kërkojmë mëshirë; kur të tjerët na kanë borxh, kërkojmë të na kthehet menjëherë, duke pretenduar drejtësi. Por nuk duhen harruar fjalët e ashpra, me të cilat përfundon shembëlltyra: “Kështu do të bëjë me ju edhe Ati im qiellor, nëse s’e falni me gjithë zemër secili vëllanë tuaj” (Mt 18,35). Pra, nuk duhet të ndalemi vetëm tek drejtësia, pasi nuk është ky propozimi i Atit Qiellor. Dishepujt e Krishtit u mëshiruan në këmbët e Kryqit, vetëm në sajë të dashurisë së Birit të Zotit, e jo të drejtësisë së Tij.

         Duke iu kthyer sërish Parajsës, që shën Françesku e donte për të gjithë e ia kërkonte Zotit për t’u dhuruar të gjithëve jetën e amshuar, gëzimin pa fund, që Jezusi e fitoi për ne përmes vdekjes e ringjalljes, Ati i Shenjtë theksoi se Ndjesa e Asizit vazhdon të “lindë vazhdimisht parajsë” edhe pas tetë shekujsh. “Në këtë Vit Shenjt të Mëshirës bëhet edhe me e qartë se si rruga e faljes mund ta risojë vërtet Kishën dhe botën. …Bota ka nevojë për falje; tepër njerëz jetojnë me mllefe e ushqejnë urrejtje brenda vetes, sepse nuk dinë të falin, duke shkatërruar kështu jetën e tyre dhe të tjetrit, në vend që të kërkojnë gëzimin e qetësisë e të paqes. T’i lutemi shën Françeskut – përfundoi Papa – të ndërhyjë që të mos heqim kurrë dorë nga falja, të jemi shenja të përvuajtura të saj e mjete të mëshirës”.

         Pasi la mënjanë fletët e shkruara, Papa Françesku i ftoi fretërit dhe ipeshkvijtë të shkojnë në rrëfyestore. “Edhe unë do të shkoj”, u tha. Sepse ashtu si në shembëlltyrën e djalit plangprishës, u duhet dëshmuar njerëzve se Zoti është gjithnjë i gatshëm ta presë krahëhapur atë, që ka gabuar, shtatëdhjetë herë shtatë. Pa i thënë “do të ma paguash”, pas çdo mëkati.

         Ç’është tjetër Parajsa, nëse jo ai mister i dashurisë, që na lidh përgjithmonë me Zotin, për ta kundruar pa fund? E ndoshta Shën Françesku, kur i kërkonte Papës Onori III dhuratën e ndjesës së plotë për të gjithë ata, që vinin në Porciunkola, kishte ndërmend këto fjalë të Jezusit për dishepujt: “Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa. Po të mos kishte, a do t’ju thoja:‘Po shkoj t’ju bëj gati vendin’? Kur të shkoj e t’ju përgatis vendin, do të vij prapë e do t’ju marr tek unë, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju” (Gjn 14,2-3).

         Kjo vizitë e Papës, që ngërthehet si margaritar në 800-vjetorin e Ndjesës së Plotë të Asizit dhe në Jubileun e Mëshirës, mund të renditet ndër ato më mediatiket: mëse 200 gazetarë të akredituar nga e gjithë bota. Ndërsa rrjetet shoqërore, me në krye Twitter-in, treguan drejtpërdrejt një ngjarje të destinuar të mbetet në histori.








All the contents on this site are copyrighted ©.