2016-08-03 14:43:00

Ipeshkvijtë e Umbries i urojnë mirëseardhjen Papës, për vizitë në Porciunkola


“Pak ditë pas gëzimit të Krakovit e pas heshtjes në Aushvic, Papa Françesku kthehet në tokën tonë, për të përkujtuar së bashku me ne ‘Ndjesën e Asizit’”. Fillon kështu deklarata e ipeshkvijve të Umbrias, me të cilën i urojnë mirëseardhjen Atit të Shenjtë, që nesër pasdite do të shkojë në Asizi. “Në faktin që Papa bëhet shtegtar në Porciunkola – pa zhurmë e bujë – shohim një ftesë të fuqishme për t’u bërë lypës të mëshirës së Hyjit dhe për t’ua dhuruar atë vëllezërve, sidomos në një kohë si e jona, në të cilën, nganjëherë, errësira duket se e gllabëron dritën. 

        Papa na kujton se gjestet e vogla të përditshme të mëshirës ndërthurin me indin shoqëror, ato filiza të jetës e të shpresës, që kanë aftësinë për ta kundërshtuar e për ta mundur të keqen. Duke u shtrënguar rreth tij me dashuri prej biri e prej vëllai, ipeshkvijtë e Umbrias i thonë edhe një herë, së bashku me Kishat e tyre: ‘Bekuar qoftë ai, që vjen në emër të Zotit’”. Mesazhi nënshkruhet nga kardinali Gualtiero Bassetti, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Umbre.

         Të shumtë, shtegtarët që po mbërrijnë në Asizi. Brenda Bazilikës së Shën Marisë së Engjëjve, janë parashikuar njëmijë vende ulur. Jashtë saj, edhe 3 mijë vende të tjera, prej të cilave njëmijë ulur. Besimtarët do ta ndjekin Papën përmes dy ekraneve të mëdha. Mëse 200, gazetarët e ardhur nga e gjithë bota, nga Kolumbia, nga Gjermania e s’mund të mos mungonte, Argjentina, përveç korrespondentëve nga mediat më të mëdha ndërkombëtare. Mediat françeskane kanë vënë në lojë të gjitha forcat: që nga faqet e internetit tek rrjetet shoqërore. Qendra Televizive e Vatikanit dhe RAI (Radiotelevizioni italian) do të garantojnë dy orë lidhje të drejtpërdrejtë.

         Në pika të ndryshme të sheshit do të jenë edhe 50 vullnetarë, si edhe shërbimet e ndihmës së shpejtë dhe të asistencës për popullsinë. Gjithashtu, do të shpërndahen falas shishe me ujë, që mund të merren edhe në pika të caktuara në shesh. Përreth Bazilikës e strukturës së Kuvendit të Porciunkolës, gjatë kësaj nate, do të hyjë në fuqi e ashtuquajtura “zonë e kuqe”, me pika hyrjeje të kontrolluara nga policia. Nesër në mëngjes, në Bazilikë mund të shkohet vetëm për lutjet e orës 6.30, të cilat do të pasohen nga mesha e orës 7.00. Kisha do të hapet sërish vetëm për të lejuar hyrjen e besimtarëve, pasdite.








All the contents on this site are copyrighted ©.