2016-08-03 13:54:00

Françesku: DBR, mozaik vëllazërimi, në një botë në luftë


Dita Botërore e Rinisë dhe vizita në Poloni, ishin në qendër të audiencës së parë të përgjithshme të Papës Françesku, pas ndërprerjes së korriku, mbajtur në Sallën Pali VI. Papa nënvizoi se në një botë  të plagosur  nga lufta e dhuna, të rinjtë e DBR-së dhanë një shenjë shprese, bazuar mbi vëllazërinë. Kujtoi edhe vizitat në Aushvic e në Çestokova e, më pas, kërkoi lutje për të renë romake, që vdiq gjatë rrugës së kthimit nga Krakovi.

“Shenjë profetike”. Papa Françesku e quajti kështu Ditën Botërore të Rinisë  në Krakov.  Shenjë profetike për Evropën e për botën. “Breznia  e e të rinjve, trashëgimtare  e vazhduese  e shtegtimit të nisur nga Shën Gjon Pali II  - pohoi duke u folur shtegtarëve në Sallën Pali VI - iu përgjigj sfidës së sotme, dha  shenjën e shpresës. E kjo shenjë - theksoi - quhet vëllazërim:

“Sepse pikërisht në këtë botë në luftë, duhet vëllazërimi, duhet afërsia, duhet dialogu, duhet miqësia. E kjo është shenja e shpresës, kur ka vëllazërim”.

DBR ishte festë e vëllazërimit, shenjë për botën

Françesku nënvizoi, në vijim, dëshirën e të rinjve të DBR-së për të krijuar ura, për të ndenjur së bashku, për ta jetuar gëzimin e takimit. Edhe një herë - kujtoi me kënaqësi - të rinjtë formuan një mozaik vëllazërimi:
“Një figurë simbolike e Ditëve Botërore të Rinisë është shpalosja  shumëngjyrëshe e flamujve të të rinjve:  në DBR-në flamujtë e kombeve bëhen më të bukur, më të pastër, sikur pastrohen, duke u valëvitur pranë e pranë me flamujtë e kombeve në konflikt. E kjo është e bukur”.

Kujtimi i Suzanës, vdekur gjatë udhës së kthimit

Në Krakov, vijoi Papa, të rinjtë e botës e pranuan mesazhin e Mëshirës, për ta çuar, pastaj, kudo, përmes veprave shpirtërore  e trupore. E ndërmjet tyre ishte edhe vajza romake, Suzana, vdekur nga meningjiti në Vjenë, kur po kthehej nga Krakovi:

“Një kujtim plot dashuri për Suzanën, vashën romake të kësaj dioqeze, që  vdiq në Vjenë,  menjëherë pasi kishte marrë pjesë në DBR. Zoti sigurisht e pranoi në qiell.  Ngushëllime familjarëve e miqve të saj”.

Në Çestokovë, vizita Marisë, vlera të krishtera bazë për Evropën

Papa u kthye me kujtesë edhe tek çaste të tjera kryesore të shtegtimit apostolik në Poloni. Kujtoi posaçërisht vizitën në shenjtëroren mariane të Çestokovës dhe në kampin nazist të shfarosjes Aushvic-Birkenau. Para ikonës së Zojës - kujtoi - mora si dhuratë shikimin e Nënës, që është, në mënyrë të posaçme, Nënë e popullit polak. Vuri, kështu, theksin mbi fenë  e këtij kombi, që e mbështeti në çastet më të vështira të jetës e të historisë së tij:

“Polonia i kujton sot mbarë Evropës se për Kontinentin nuk ka ardhmëri, pa vlerat, që e themeluan, të cilat kanë në qendër vizionin e krishterë për njeriun. Ndërmjet këtyre vlerave, është mëshira, apostuj të së cilës ishin dy bijtë e mëdhenj të tokës polake, Shën Faustina Kowalska e shën Gjon Pali II”.

Në Aushvic, heshtja, më e fuqishme se çdo fjalë

Së fundi, Françesku kujtoi vizitën aq prekëse në Aushvic-Birkenau. Vizita, tha, kishte horizontin e botës, një bote të thirrur për t’iu përgjigjur sfidës së luftës copa-copa, e cila po e kërcënon. Këtu, vijoi, heshtja e madhe e vizitës në Aushvic-Birkenau, foli më shumë se çdo fjalë:

“Në këtë heshtje, dëgjova praninë e të gjithë shpirtrave, që kaluan këndej; ndjeva dhembshurinë, mëshirën e Zotit, që disa nga këta shpirtra ditën ta sjellin edhe në këtë greminë. Në këtë heshtje të madhe, u luta për të gjitha viktimat e dhunës e të luftës”.

Edhe sot bota  vuan nga sëmundja e mizorisë, Zoti na dhëntë paqe!

E po këtu - pohoi - e kuptova më mirë se kurrë vlerën e kujtesës, e jo vetëm si kujtim i ngjarjeve të së kaluarës, por edhe si qortim e përgjegjësi për të sotmen e të nesërmen, që fara e urrejtjes dhe e dhunës të mos lëshojë rrënjë në brazdat e historisë:

“Duke e parë këtë mizori, në këtë kamp përqendrimi, mendova menjëherë për mizoritë e sotme, që i ngjasin: jo aq të përqendruara, si në këtë vend, por kudo nëpër botë; në këtë botë, që është e sëmurë nga mizoria, dhimbja, lufta, urrejtja, trishtimi. Prandaj ju kërkoj gjithnjë të lutemi, që Zoti të na japë paqe”.

Françesku falënderoi, më pas, në italisht e polonisht, të gjithë ata, që u angazhuan për suksesin e DBR-së dhe të vizitës së tij në Poloni, duke nisur nga presidenti Duda e nga kardinali Dziwisz. Nuk harroi të lutej posaçërisht për kardinalin Macharski, vdekur menjëherë pas DBR-së, si dhe për gazetaren Anna Maria Jacobini, që ndërroi jetë papritmas gjatë punës së saj në Krakov.

Në çastin e pëshëndetjeve, Papa kujtoi se nesër kremtohet festa liturgjike e Shën Gjon Maria Vianejt, pajtor i meshtarëve e posaçërisht, i famullitarëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.