2016-08-02 14:40:00

Takim i Ecjes Neokatekumenale: mijëra vetë për Krishtin


Vetëm pak orë pas lutjes dhe meshës së Papës Françesku në Krakov, Campus Misericordiae u gjallërua sërish nga entuziazmi i të rinjve. Më se 150 mijë të rinj të Ecjes Neokatekumenale nga 120 vende të ndryshme, u mblodhën për takimin e tyre vokacional, i cili, si zakonisht, ndjek kremtimet e Ditës Botërore të Rinisë. Shumë prej tyre do të marrin udhën e meshtarisë në një nga 107 seminaret “Redemptoris Mater” të Ecjes, ndërsa, ndër thirrjet femërore, shumë do të zgjedhin përvojën shpirtërore të klauzurës. Dje pasdite, kardinali Sanislaw Dziwisz, kryeipeshkëv i Krakovit, kryesoi takimin, gjatë të cilit foli edhe Kiko Argüello, themelues i Ecjes Neokatekumenale, së bashku me Carmen Hernandez, që u nda kohët e fundit nga jeta. E pikërisht atë kujtoi Kiko:

         “Një nga mrekullitë e Carmen-it është se pati thënë që vitin e ardhshëm duhet të shkojmë në gjithë Evropën. Meshtarët, seminaristët. Në veçanti seminaristët, më pyesin gjithmonë: ‘Kur do të na dërgosh dy nga dy, pa çantë, pa para, për të fjetur rrugëve. Sepse ata, që e kanë kaluar këtë përvojë, na kanë thënë se është mrekulli, se kanë qenë ditët më të bukura të jetës, se e kanë ndjerë Jezu Krishtin brenda vetes, me forcë. Edhe ju doni ta jetoni këtë përvojë? Të flini në rrugë, të rrini katër ditë pa ngrënë, t’ju shajnë, t’ju shtyjnë, por ta ndjeni Jezu Krishtin shumë afër”.

         Sepse vetëm me anë të dëshmisë, shpjegoi Kiko, mund ta transmetojmë Lajmin e Mirë të krishterë:

         “Krishterimi nuk i fiton shpirtrat as me shpatë, as me luftë: propozohet përmes dëshmisë personale. Maksimumi, që mund të themi, është: ‘Po të tregoj jetën time’”.

         Të shumta, temat e prekura nga nismëtari i Ecjes Katekumenale, që nga rëndësia e Papës Pali VI dhe i Enciklikës së tij “Humanae Vitae”, tek roli i fesë dhe i shpresës, të cilat japin siguri në botën e zbrazur nga vlerat, por edhe ekumenizmi, sidomos marrëdhëniet me Kishën Ortodokse. Orë lutjeje dhe entuziazmi, duke kujtuar edhe shën Gjon Palin II, përshëndetjen e të cilit e përsëriti kardinali Dziwisz:

         “Qoftë lëvduar Jezu Krishti. Kështu përshëndeste gjithnjë Gjon Pali II”.

E të rinjtë u nisën nëpër botë pikërisht për të lëvduar Krishtin me jetën e tyre.








All the contents on this site are copyrighted ©.