2016-08-01 11:59:00

Rubrika “Nënë Tereza, Shenjtja e Mëshirës Hyjnore”


“Njoha një shenjtore”. Kështu titullohet libri kushtuar Nënë Terezës, shkruar nga kardinali Angelo Komastri, mëkëmbës i përgjithshëm i Papës për Qytetin e Vatikanit,  botuar në prag të shenjtërimit, nga Shtëpia Botuese e Shën Palit. Hirësia e tij tregon takimet e shumta me Shenjtoren e ardhshme duke i krijuar mundësi lexuesit, të njihet me një mori historish, shkrimesh e uratësh të Nënë Terezës e kushtuar Asaj. Iu lutëm kardinalit Angelo Komastri të na flasë për përvojën e tij të jashtëzakonshme, me që pati fatin e madh të ishte shumë pranë Shenjtores së shqiptarëve e edhe me që zgjodhëm pikërisht librin e tij për të na shoqëruar gjatë gjithë ditëve të gushtit, të cilat na çojnë drejt datës fatlume 4 shtator 2016, kur do të kemi shenjten e parë shqiptare të kohëve moderne, në pritje të 5 nëntorit, pikërisht dy muaj më pas, datë e lumnimit të 38 bijve martirë të trojeve shqiptare, rënë nën thundrën e diktaturës komuniste. Me këtë intervistë fillon rubrika “Njoha një shenjtore” titullohet libri i kardinalit Komastri. “Nënë Tereza, Shenjtja e Mëshirës Hyjnore”- rubrika jonë. Por të dëgjojmë rrëfimin e kardinalit Angelo Komastri:

Përgjigje: - Mendoj se takimi me Nënë Terezën ishte një nga dhuratat e mëdha, që më bëri Zoti. E rrëfej se sa herë e takoja, më ngjallte në zemër një qetësi të pazakontë. Më dukej sikur më zbriste Zoti vetë në shpirt. Një herë më magjepsi mënyra sesi një gazetar e portretizoi me dy fjalë Motrën imcake: “Nënë Tereza është dritare e hapur, e Zoti doli në këtë dritare  e i buzëqeshi botës”. Më pëlqen shumë ky portret, sepse sa herë e takoja kisha pikërisht ndjesinë fizike të afrimit tek Zoti. Ndjeja se Zoti ishte në shpirtin tim. Kur e përshëndeta herën e fundit, në shtëpinë  romake të rrugës Casilina - ishte data 22 maj  1997 - ajo qe e sëmurë e shihej se i kishin mbetur pak forca. Me këtë rast i fola për vuajtjen time të thellë, shkaktuar nga vdekja e nënës. I thashë: “Motër, nëna më la!”. E ajo, e kujtoj akoma, gjegji: “Nëna jote është në qiell. Tani e ke më pranë se kurrë.”, e shtoi “edhe unë po shkoj në qiell. E do të më kesh gjithnjë pranë”. Këto fjalë vijojnë të më japin një ngushëllim të jashtëzakonshëm, sepse kur Nënë Tereza premtonte, e mbante gjithnjë premtimin.

 

Pyetje: - Me shenjtërimin, do ta kemi edhe më pranë. Nga qielli, mund të bëjë për ne më shumë se bëri, në mënyrë të jashtëzakonshme, kur ishte mbi tokë…

Përgjigje: - Nuk ka dyshim. Gjon Pali II pati thënë: “Shenjtorët  në qiell nuk kanë nevojë për duartrokitje. Shenjtorët na kërkojnë vetëm t’i ndjekim”. E Nënë Tereza nuk u lodh kurrë së thëni: “Të jini shenjtorë!”. E kujtoj kur më jepte ndonjë figure. Më shkruante gjithnjë: “Be holy” – “Ji shenjt!”. E të njëjtën gjë na e thotë edhe tani, sepse e vetmja gjë, që vlen, është pikërisht shenjtëria. Për të përdorur fjalët e saj “E vetmja valixhe, që do të marrim me vete, kur të shkojmë në jetën tjetër, do të jetë ajo e  dashurisë së krishterë”. Kujtoj se kur m’i tha këto fjalë, shtoi edhe: “Derisa je në kohë, mbushe, sepse është e vetmja valixhe, që mund të marrësh me vete”.

Pyetje: - Në libër, kapitujt pasohen nga lutjet e Nënë Terezës, ose nga ato, që i pëlqenin më shumë e i thoshte ditë për ditë…

Përgjigje: - Mund të themi se sekreti i Nënë Terezës është pikërisht lutja. Kur Pérez de Cuéllar (asokohe Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së) e paraqiti para Kombeve të Bashkuara me fjalët  pakëz si tepër të bujshme: “Po ju paraqes gruan më të pushtetshme të Tokës. Ajo  mund të quhet vërtet ‘Kombet e Bashkuara’, sepse ka në zemër  të varfërit e gjithë botës”, Nëna iu përgjigj: “Unë jam thjesht një murgeshë, që lutet”. E shtoi “Duke u lutur, Jezusi më vë në zemër dashurinë. Unë shkoj e ua çoj të varfërve të mbarë botës, të varfërve, që takoj”. Më pas pati guximin të thoshte: “Lutuni edhe ju, e atëherë do të kujtoheni për të varfërit, që i keni aty pranë, ndoshta në përdheset e shtëpisë suaj”.

Pyetje: - Nënë Tereza kishte aftësi  të jashtëzakonshme komunikimi me të gjithë. Ju besoj e kujtoni akoma princeshën Dianë…

Përgjigje: - Po. Nëna e pati pritur me shumë dashuri princeshën Dianë, por jo  aq pse ishte princeshë, sa pse ishte bijë e Zotit. E kur ndokush i bëri vërejtje për këtë pritje, ajo gjegji: “Unë nuk e kam pritur kurrë princeshën Dianë; unë pres gjithnjë të mjerën Dianë”. E kjo është gjë shumë e bukur. Ajo dinte t’u hynte të gjithëve në shpirt, princër e shërbëtorë, të varfër e të pasur, sepse për të ishin bij të Zotit, ashtu siç duhet të jenë për të gjithë.

Pyetje: - Ç’kujtime ju mbeten nga takimet e shumta me Nënë Terezën?

Përgjigje: - Secili takim kishte bukurinë e vet; secili ishte i pasur. Por një më mbeti posaçërisht në kujtesë me gjithë freskinë. Ishte ai, kur i thashë Nënë Terezës: “Pata pritur nga ju të më pyesnit sa herë bëj vepra bamirësie”. E Ajo m’u përgjigj: “Pse, ti beson se unë mund të bëj vepra të tilla? Se do të mund të shkoja tek të varfërit, po të mos lutesha? E, duke u lutur, Jezusi më vë në zemër dashurinë. Unë shkoj e ua çoj të varfërve, që takoj në udhën time”. E shtoi duke më tundur gishtin: “Mos harro se, pa Zotin, jemi tepër të varfër për t’i ndihmuar të varfërit”.

Pyetje: - E lumnuar nga Gjon Pali II, apostull i Mëshirës Hyjnore, po shenjtërohet nga Papa Françesku, në Jubileun e Mëshirës. Mund të themi se është dëshmitarja, ndoshta më e fuqishme, e Mëshirës Hyjnore në kohët tona?

Përgjigje: - Kur një gazetar deshi t’i fotografonte sytë e Nënë Terezës - e unë isha i pranishëm e i thashë: - Pse ngulni këmbë? Ju po e mërzisni Nënën”, gazetari ma ktheu: “Dua t’ia fotografoj sytë: nuk kam parë kurrë sy kaq të lumtur. Dëshiroj ta kap në një farë mënyre sekretin e gëzimit të këtyre syve”. Kujtoj se motra aty pranë ia përktheu fjalët e gazetarit në anglisht. Nëna iu përgjigj: “Sekreti është shumë i thjeshtë: sytë e mi janë të lum, sepse duart e mia terin shumë lot. Bëni edhe ju kështu: kini sy të lum, ashtu si të mitë”.

Kjo intervistë shërben për hapjen e muajit gusht, i fundmi para shenjtërimit të Nënë Terezës. Është e para në radhën e gjatë të shkrimeve të rubrikës së titulluar: “Nënë Tereza Shenjtja e Mëshirës Hyjnore”,  që do t’i kushtojmë, derisa Papa ta lartojë mbi elter e, natyrisht edhe mbas…

Paraprihet nga hyrja e librit, zgjedhur për shok udhe në këtë kohë plot  pritje për mbarë shqiptarët…








All the contents on this site are copyrighted ©.