2016-07-31 00:00:00

Shenjtorët e javës 31 korrik – 7 gusht


E Diel 31 korrik, Kisha katolike kremton të Dielën e 18-të gjatë vitit kishtar, gjithnjë  më 31 korrik përkujtohet edhe shën Injaci i Lojolës, meshtar. Protagonisti i madh i reformës katolike të shekullit XVI. Liturgjia e kësaj së diele na flet për lumninë e varfërisë. Nuk është lehtë ta zbatojmë këtë porosi ungjillore në jetën e përditshme, sepse jemi të rrethuar e të zhytur në mendësinë bashkëkohore, e cila ka si themel lumturinë që mbështetët mbi pasjen dhe disponimin e shumë të mirave tokësore. Liturgjia e se dielës na tërheq vëmendjen te dashuria ndaj Zotit e ndaj vëllezërve, si udhë autentike e thesarit ungjillor.

Të hënën më 1 gusht, kalendari kishtar përkujton shën Alfonso Maria de Liguorin, ipeshkëv e doktor i Kishës, themelues i Kongregatës së Shëlbuesit të Shenjtë, shtatë vëllezërit Makabej e të Lumin Pietro Favre, meshtar jezuit. Liturgjia e ditës, duke treguar shëmbëlltyrën e të pasurit, që grumbullonte pasuri veç për vete, na kujton se të mirat e kësaj bote kanë vlerë, por nuk duhet të absolutizohen në dëm të së mirës së vërtetë të njeriut e të familjes. Pasuria, nëse nuk jemi të kujdesshëm, mund të na bëjë skllevër të saj.

Të martën më 2 gusht, kalendari përkujton shën Euzebin nga Verçeli, ipeshkëv e shën Pier Xhulian Ejmard-in, themelues i Sakramentinëve. Në liturgjinë e kësaj dite, buka që Jezusi shumëfishon për të ushqyer turmën, e cila e dëgjon me fe është simbol i asaj që Krishti do t’u japë besimtarëve në Kishën e vet.

Të mërkurën më 3 gusht, kujtohen shën Lidia, dishepulle e shën Palit, shën Asprenati e shën Eufroni. Liturgjia e ditës kujton se Zoti rindërtoi Sionin dhe u duk në gjithë shkëlqimin e vet. Deti, në Bibël, konsiderohet si një fuqi e tmerrshme dhe është simbol i forcave që kërcënojnë botën. Jezusi, jo vetëm e dominon atë, por bën që edhe të tjerët të marrin pjesë në këtë dominim, kur kanë besim në Të.

Të enjten më 4 gusht, bie përkujtimi i famullitarit të shenjtë të Arsit, shën Gjon Maria Vianejt, pajtor i klerit. Liturgjia e ditës na mëson se Zoti na ruan, siç bën bariu me grigjën e vet. Jezusi i respekton etapat e misionit të marrë nga Ati: shpall mbretërinë e Hyjit dhe u jep mision dishepujve tua shpallin atë paganëve. Por kur feja hap zemrën e zgjon lutjen e përvuajtur, të gjitha etapat mund të digjen.

Të premten më 5 gusht, bie përkujtimi i kushtimit të Bazilikës romake të Zojës së Madhe, i shën Emidit, dhe i shën Osvaldit. Liturgjia e ditë na kujton se Jezusi është Mesia, që Zoti e ka dërguar në popullin e vet, është shërbëtori i Hyjit që shkon drejt vdekjes për të plotësuar misionin e tij të shëlbimit.

Të shtunën 6 gusht më gusht, Kisha katolike kremton festën e Shndërrimit të Jezu Krishtit Zot. I rrethuar nga Moisiu e Elia, Jezusi duket si mbret-mesi, profet-shërbëtor, biri i njeriut. Me zërin e vet, Hyji njeh Birin para apostujve, duke i përgatitur kështu të kapërcejnë me fe shkandullin e Mundimeve në Kryq.

Të dielën e ardhshme më 7 gusht, Kisha katolike do të kremtojë të Dielën 19-të gjatë vitit kishtar, e gjithnjë më 7 gusht, kalendari kishtar përkujton shën Sikstin II, papë me shokë, të gjithë martirë, shën Donatin e shën Gaetanin nga Tiene, themelues i Teatinëve. Liturgjia e kësaj së diele na kujton përmasën e pritjes së Zotit si pjesë përbërëse e themelore të jetës së krishterë. Fjala e Zotit na ndihmon ta kuptojmë domethënien e plotë që ka pritja e takimit më të rëndësishëm të jetës sonë: takimi me Krishtin, Dhëndrin e njerëzimit.








All the contents on this site are copyrighted ©.