2016-07-31 14:30:00

Françesku: ndryshojeni botën, me Jezusin!


Besoni në Zotin e do ta ndryshoni botën! Janë fjalët e Papës Françesku në Meshën përfundimtare të DBR-së të Krakovit, kremtuar në Campus Misericordiae, në praninë e 2 milionë të rinjve, sipas mediave polake. Françesku i ftoi të rinjtë të ndërtojnë një botë me paqe e drejtësi.

Jezusi “bën tifo” për ju, gjithnjë. Jezusi ju ngre përsëri në këmbë, sa herë rrëzoheni e ju do, pavarësisht nga ligështitë tuaja. Me Të mund ta ndryshoni botën! Është thirrja e Papës të rinjve në DBR-në e Mëshirës, ngjarje e cila dëshmoi se dashuria e pajtimi mund të fitojnë mbi të keqen, që trondit popujt e botës. 

Françeskun e pret, në Campus Misericordiae, një turmë vigane të rinjsh

Françesku arriti në Campus Misericordiae me papamobil, pak pasi bekoi dy shtëpi, dhuratë e Karitasit, njëra për të varfërit e tjetra, për të moshuarit në vështirësi. Shenjë, kjo, që tregon se mëshira është konkrete, e ndihmon të afërmin, siç u ka thënë shumë herë Papa të rinjve në ngjarjet e DBR-së së Krakovit. Në sfondin e tribunës së madhe, figurja vigane e Jezusit të Mëshirshëm e, pranë tij, dy fytyra: e Faustina Kowalskas dhe e Gjon Palit II, pajtorë të kësaj dite, Shenjtorë të kësaj toke. Entuziazmi i të rinjve u ngjitet edhe kardinajve e ipeshkvijve të pranishëm, e deri presidentit Duda, që këndon e vallëzon bashkë me të rinjtë, ashtu si bëjnë edhe murgeshat e murgjërit. Por jetohen edhe çaste prekëse, si dërgata misionare, kur Papa u dorëzon disa të rinjve llambën, shenjë e dritës së Krishtit.

Zoti na do ashtu si jemi, për të, secili nga ne është i rëndësishëm

 Françesku e shtjelloi homelinë, duke u nisur nga rrëfimi ungjillor i takimit  prekës të Jezusit me Zakeun, kreun e tagrambledhësve. Zakeut - tha Papa - iu desh të kapërcente disa pengesa, që mund të na thoshte diçka edhe ne. Ishte shtatvogël, e prandaj nuk arrinte ta shihte Mësuesin. E ky, shtoi, është tundim që mund ta provojmë edhe ne: mund të mos ndjehemi në lartësinë e duhur, të na duket vetja tepër shtatulët. Por nuk duhet harruar se shtati ynë, është identiteti ynë shpirtëror. Duhet ta ndjejmë veten vërtet bij, të dashur nga Zoti, përndryshe do të jetojmë gjithnjë të pakënaqur, duke e refuzuar vështrimin e Zotit, që pushon mbi ne:

“Zoti na do kështu si jemi, e asnjë mëkat, asnjë e metë, asnjë gabim, nuk e bën të ndërrojë mendim. Për Jezusin - na e tregon Ungjilli - askush nuk është më i ulët se tjetri, askush nuk është i kotë, por të gjithë janë të dëshiruar e të rëndësishëm; ti je i rëndësishëm! E Zoti mbështetet në ty për çka je, jo për çka ke: para syve të Tij nuk vlen fare veshja, që mbart, a celulari, që përdor; nuk i bëhet vonë fare je a s’je njeri, që ndjek modën. Për Të ke rëndësi vetëm ti. Vlera jote, para syve të tij, është e pallogaritshme”.

Mos u dashuroni me trishtimim, Jezusi dëshiron të synoni lart

Kur takon që në jetë shikon poshtë, e jo lart - shtoi Papa - mund të na ndihmojë kjo e vërtetë e madhe:

“Zoti është besnik në dashuri, është i paepur. Zoti ‘bën gjithnjë tifo’ për ne, na pret gjithnjë me shpresë, edhe kur mbyllemi në trishtimin tonë e rrimë duke mërmëruar pafund për padrejtësitë, që na u bënë në të kaluarën. Të pushtohesh nga trishtimi, nuk është gjë e denjë për shtatlartësinë tonë shpirtërore.  Madje është virus, që infekton e bllokon gjithçka, që mbyll çdo portë, që e pengon jetën të ecë përpara, të rifillojë! Po Zoti është dashuronjës i shpresës, deri në kyeneçësi! Ai beson se ne mund të ngrihemi e nuk dorëzohet, sepse nuk mund të na lërë ashtu, si qirinj të shuar, pa dritë, pa gëzim!".

Jo, dopingut të suksesit me çdo kusht. Vetëm Jezusi jep jetë të vërtetë

Pengesa e dytë për Zakeun është turpi. Duhet ta mundë këtë turp, që e paralizon. E mund të fitojë mbi të vetëm me dashuri, sepse kur njeriu dashurohet, bën gjëra që nuk janë parë kurrë në këtë botë. Para Jezusit - theksoi Françesku - nuk mud të rrihet ulur, në pritje, me duar kryq. Atij, që na dhuron jetën, nuk mund t’i përgjigjesh me një mendim çfaretdo a me një mesazh të thjeshtë:

“Të dashur të rinj, nuk duhet të turpëroheni t’i çoni të gjitha, posaçërisht ligështitë, mundimet, mëkatet, në Rrëfim: Ai do të dijë t’ju befasojë me faljen e Tij, me paqen e Tij. Mos kini frikë t’i thoni “po’ me gjithë zemër, t’i përgjigjeni bujarisht, ta ndiqni. Mos lejoni t’ju anestetizohet shpirti, por kërkoni shtigjet e dashurisë së bukur, që kërkon edhe  flijime. E sidomos,  një “jo” të fuqishme dopingut të suksesit me çdo kusht e drogës së mendimit vetëm për vete e për rehatitë  vetjake".

Mos u ndalni, besoni në humanizmin e ri, që nuk mund ta pranojë urrejtjen!

Pengesa e tretë, që iu desh të kapërcejë Zakeut, ishte “turma mërmëritëse”. Mund t’ju pengojnë - vijoi Papa - duke u përpjekur t’ju bëjnë të besoni se Zoti rri larg nesh, mund edhe të qeshin me ju, sepse besoni në forcën e butë e të përvujtë të mëshirës. Në këto situata - inkurajoi Papa - mos kini druajtje, por mendoni fjalët, që u thanë këto ditë:

“Lum të mëshirshmit, sepse do të gjejnë Mëshirë. Mund t’ju gjykojnë si ëndrrimtarë, sepse besoni në një humanizëm të ri, që nuk e pranon urrejtjen ndërmjet popujve, nuk i shikon kufijtë ndërmjet vendeve si mure  e i ruan traditat e veta pa egoizëm e pa mllefe”.

Mos e humbisni guximin! Me buzagazin tuaj e me krahët tuaj të hapur, predikojeni shpresën e jini bekim për familjen e vetme njerëzore, që e paraqitni kaq mrekullisht në këtë log:

“Syri i Jezusit - siguroi Papa - shkon përtej të metave, syri i Tij shikon njeriun, nuk ndalet tek e keqja e së kaluarës, por kërkon udhën e uniteit, të bashkimit, në mes të të gjithëve, nuk ndalohet tek dukja, por shikon zemrën”.

 Prej këndej, nxitja e Françeskut për ta ruajtur zemrën të pastër e për të luftuar paqësisht për ndershmëri e drejtësi:

“Mos u ndaloni në sipërfaqe të sendeve e mos u besoni liturgjive të mendësisë së botës, që vlerëson vetëm pamjen, që kërkon t’i bëjë makijazh deri shpirtit, për t’u dukur më e mirë. Zgjidhni me kujdes çka është më e qëndrueshme, një zemër, që e sheh të mirën dhe e përcjell pa u lodhur. E gëzimin, që e morët falas nga Zoti, falas edhe dhurojeni, sepse shumëkush e pret këtë nga ju”.

Besojini Zotit e çojeni në shtëpitë tuaja çka jetuat në DBR

DBR-ja fillon sot e vijon nesër, në shtëpi, sepse atje - nënvizoi - Jezusi dëshiron t’i takojë djemtë tani e tutje. Zoti - tha akoma Papa - shpreson që ndërmjet të gjitha kontakteve e chat-eve të çdo dite, vendin e parë ta zërë filli i artë i lutjes! E sa shumë dëshiron që Fjala e Tij t’i flasë çdo dite të jetës sate, që Ungjilli të bëhet yti e të ta drejtojë lundrimin gjatë gjithë jetës:

“Besojini kujtimit të Zotit, kujtimi i Tij nuk është disk i ngurtë, që i regjistron e i arkivon të gjitha të dhënat tona, por zemër e butë e plot me dhembshuri, që galdon, kur e shlyen përfundimisht çdo gjurmë të së keqes. Të provojmë edhe ne, tani, ta imitojmë kujtesën besnike të Zotit e ta ruajmë mirë atë, që e morëm këto ditë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.