2016-07-31 12:18:00

Françesku: do të kremtohet në Panama, më 2019, Dita e 32-të Botërore e Rinisë


Një brohori e fuqishme pasoi fjalët e Papës Françesku, në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot:

 “Ju njoftoj me gëzim se Dita e ardhshme Botërore e Rinisë  - pas dy Ditëve në nivel dioqezan - do të kremtohet më 2019, në Panama”.

Ky kumtim gazmor vinte pas kremtimeve të fundit të DBR-së, Meshës përfundimtare dhe lutjes së Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Campus Misericordiæ.

Papa i falënderoi të gjithë ata, që u përpoqën për realizimin e suksesshëm të kësaj Dite, duke nisur nga kardinajtë Dziwisz e Rylko, për të përfunduar, natyrisht, tek protagonistët e festës së madhe botërore, të rinjtë. E mbushët Krakovin përplot me entuziazmin ngjitës të fesë suaj - u tha Papa - me bindjen se Shën Gjon Pali II i ndjek nga Qielli e i ndihmon ta çojnë kudo gëzimin e Ungjillit:

“Këto ditë provuam bukurinë e vëllazërisë universale në Krishtin, qendër e shpresë e jetës sonë. Dëgjuam zërin e Tij, zërin e Bariut të mirë, që është i gjallë mes nesh. Ai i foli zemrës së secilit prej jush; ju përtëriu me dashurinë e tij, ju shndriti me dritën e faljes e forcën e hirit. Ju bëri ta provoni realitetin e lutjes. Ishte “oksigjenim” shpirtëror, që të mund të jetoni e të ecni në mëshirë, kur të ktheheni në vendet tuaja, në bashkësitë tuaja”.

Më pas Papa i solli sytë kah ikona e Virgjërës Mari, nderuar nga Gjon Pali II në Shenjtëroren e Kalvaries e iu lut që përvoja e Krakovit  të  japë fryte të begata e që dhurata e marrë këtu, të mos humbasë, por të ruhet në zemra, përmes veprimit të Shpirtit Shenjt:

“Kështu secili prej jush, me kufizimet e brishtësitë e veta, të jetë dëshmitar i Krishtit në vendin ku jeton, në famulli, në shoqata, grupe, mjedise studimi, pune, shërbimi, dëfrimi, kudo që Provania do t’i drejtojë hapat tuaj”.

Provania na paraprin gjithnjë - shtoi Papa - e në përfundim, njoftimi i madh, të cilin ne e kujtuam në fillim, i shoqëruar me brohoritjen, që u dëgjua larg, deri në Amerikën qendrore, ku do të mbahet dita e ardhshme. "Mirupafshim në Panama!":

“Me ndërmjetësimin e Marisë, t’i lutemi Shpirtit Shenjt ta ndriçojë e ta mbështesë udhën e të rinjve në Kishë e në botë, që të jenë dishepuj e dëshmitarë të Mëshirës së Zotit”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.