2016-07-30 18:41:00

Sonte, Mbrëmësorja e lutjes në Campus Misericordiae


Pak orë para Mbrëmësores së DBR-së dhe në prag të Meshës përfundimtare, atë Federico Lombardi, drejtor i Sallës vatikanase të Shtypit,  bën bilancin e parë të takimit rinor të Krakovit:

Përgjigje: - Kisha polake është Kishë e madhe, me traditë të madhe. E populli polak, me histori të madhe. Është popull, që dha shenjtorë të mëdhenj. I fundmi, i shumëdashuri Gjon Pali II. Edhe pse në një kohë tejet të shkurtër, Papa Françesku hyri  në lidhje të thellë me Kishën polake,  nga pak në të gjitha përmasat. I dha asaj kuptimin e dashurisë e të afërsisë,  mesazhin se është Kishë në dalje, Kishë krijuese. Dëshmoi një respekt të madh për traditat, vlerat e krishtera, historinë nga vjen ky popull, nga vjen kjo Kishë e, njëkohësisht - me kujdes, por edhe me vendosmëri - i dha popullit e Kishës polake  mesazhet e tij, të cilat po ia jep edhe mbarë botës: të jetë në dalje, të jetë misionare, të jetë solidare, të jetë dialoguese, të ndërtojë bashkësinë e madhe të kombeve, për një botë me paqe. Prej këndej, besoj se ishte takim i lum, i qetë, shumë konstruktiv e që mund t’i japë Kishës në Poloni, popullit polak, kthjelltësinë dhe gëzimin të vijojë të shkojë përpara, duke ndjerë se ka një Papë, që është në gjurmët, në drejtimin e Gjon Palit II, mesazhet kryesore të të cilit po i çon përpara  e. para së gjithash, kumtimin e mëshirës në botën e sotme, që ka jashtëzakonisht nevojë.

Pyetje: - Tani DBR-ja po i afrohet kremtimeve përfundimtare: ç’ju ka lënë më shumë mbresë nga kjo DBR, që e jetuat nga afër?

Përgjigje: - Çdo DBR kremtohet në rrethana të veçanta, e mund të sjellë edhe mesazhin e vet të veçantë. Të flasim për atë të Parisit: ajo pati dëshmuar gëzimin dhe gjallërinë e fesë, në një botë të shekullarizuar, që nuk e priste, që mbeti e mrekulluar nga gjallëria e fesë e të të rinjve. Ja, pra, është mesazh i ndryshëm… Ky i tanishmi është mesazh guximi, shprese, në një botë të tronditur nga konfliktet e nga frika, e kjo është mjaft e dukshme. Mesazh jashtëzakonisht i çmuar ky. Një gjë të ngjashme e  pamë, për shembull, në Toronto, edhe pas atentateve të 11 shtatorit mbi Kullat Binjake;  kishin kaluar disa muaj, por përshtypja ishte ende tepër e fortë. Prej këndej, edhe ky ishte mesazh shprese. Mund të themi, pra, se çdo Ditë ka kuptimin e vet të veçantë, lidhur me rrethanat e veçanta kur zhvillohet. E para, që u kremtua në Çestokovë, ishte ajo, në të cilën u ndje fort Evropa Lindore, që hapej, që kishte mundësi të merrte frymë me dy mushkëritë: edhe ky, mesazh i ri, jashtëzakonisht i rëndësishëm. Këtu e dimë të gjithë cili është çasti, që po jetojmë. DBR-ja është shenjë e madhe shprese për këtë botë. Është ngjarje e krijuar nga feja, nga kumtimi i Ungjillit, që i mblodhi gjithë këta njerëz, gjithë këto forca të mrekullueshme, që e ngjalli gjithë këtë entuziazëm e këtë shpresë e që i oriention këta të rinj, i bën të vetëdijshëm për forcën, për mundësitë që kanë në udhën e kumtimit të Ungjillit në botën e sotme.  Dje Papa i pyeti të rinjtë nëse gjërat mund të ndryshojnë. “Pooo” - ishte përgjigjja. I nxiti ta përsërisin e ta përsërisin këtë përgjigje, për t’u bërë sa më i vetëdijshëm,  ky milion e gjysëm të rinjsh, që janë këtu, se po ta dëgjojnë Fjalën e Jezusit, po të besojnë në dashurinë e jo në urrejtjen, atëhere po, mund të japin një kontribut të rëndësishëm për këtë botë.  








All the contents on this site are copyrighted ©.