2016-07-29 19:47:00

Udha e Kryqit, Stacioni XI: Motrat e Nënë Terezës


Stacioni XI: Jezusi gozhdohet në kryq, duke na kujtuar se duhet t’i mbartim me durim njerëzit e mërzitshëm. I prijnë Motrat e Nënë Terezës, për të cilat nuk janë të nevojshme komentet.

V. Të adhurojmë, o Krisht e të bekojmë!

R. Se me shenjtin Kryqin tënd shpërbleve botën mbarë!

Nga Veprat e Apostujve:

“Kur i dëgjuan këto fjalë, griheshin në zemrat e tyre dhe kërcëllonin  dhëmbët kundër tij. Por Shtjefni, plot me Shpirtin Shenjt, i drejtoi sytë kah qielli, pa lavdinë e Hyjit e Jezusin duke qëndruar në të djathtën e Hyjit…Atëherë ra në gjunjë dhe bërtiti me zë të fortë: “O Zot, mos ua merr këtë për mëkat!” Posa i tha këto fjalë, ndërroi jetë”. (Vap. 54-55.60)

O Zot Jezus, po të bekoj, që u dhe gjithë këtë pushtet njerëzve! Pushtet, që është durim, jo aq përballë vuajtjes, sa kundër autorëve të saj. Edhe kundër persektuesve. Durim nuk do të thotë vetëm të shtrëngosh dhëmbët. Nuk është apati. As qetësi stoike, me një ndjesi epërsie mbi ata, që bëjnë keq. Është durimi i Shtjefnit, durimi i martirëve para martirizuesve. Është dëshmia e fortë. Heshtja, plot me paqe, ndërprerë vetëm nga lutja drejtuar Atit për t’i falur fajtorët. Është fjalë e fortë e vepër e mëshirës.

Durimi i Shtjefnit i ngjet durimit tënd, o Zot, fjalët e tij janë pasyrim i Tuajave: Atë, fali, se nuk dinë çka bëjnë! Por edhe në çastin e martirizimit, Shtjefni çoi sytë kah qielli e të pa Ty! Të kishte para syve Ty, jo dhimbjen e vet, as tërbimin e kundërshtarëve. Ky vegim e rrëmbeu dhe e shndërroi. U bë i ngjashëm me Ty. Përmbushi premtimin e Shkrimit Shenjt: “E dimë se, kur do të duket, do të jemi të ngjashëm me Të, sepse do ta shikojmë, ashtu si është”. Pikërisht kështu! Ti iu dëftove atij, e ai u bë i ngjashëm me Ty.

Jezu Krisht, durimtar e mëshirmadh, na lerë të të admirojmë me fenë e Shtjefnit. Na e jep hirin ta zbulojmë durimin, si akt i madh mëshire! Na e vërë gishtin tënd mbi buzë, kur jemi duke shpërthyer nga hidhërimi e mllefi, kur ngarkohemi me akuza e dëshirë për të sulmuar. Na mëso të lutemi për armiqtë. Të mos i kundërvihemi së keqes! T’i kthejmë edhe faqen tjetër. T’i japim edhe këmishën, atij që dëshiron të na rrëmbejë mantelin. Të bëjmë dymijë hapa, me atë që na detyron të bëjmë njëmijë. Të mos e lejojmë të keqen të ngadhënjejë, por ta mundim me të mirë. Qengj i butë, i zvarritur në kasaphanë, si dele e heshtur në duar të qethësve, na e trego durimin tënd. Ti që jeton e sundon në shekuj të shekujve. Amen.  








All the contents on this site are copyrighted ©.