2016-07-28 11:49:00

Përshëndetja e Papës për të rinjtë, nga dritarja e kryeipeshkvisë


Takimi i fundit i ditës së parë të Papës në Krakov ishte përshëndetja për të rinjtë nga dritarja e kryeipeshkvisë, njëlloj si ç’bënte edhe Gjon Pali II gjatë vizitave të tij. Ati i Shenjtë foli për një të ri polak, 22-vjeçar, që kishte studiuar dizajn grafik dhe e kishte lënë punën, për të shkuar vullnetar në Ditën Botërore të Rinisë. Të gjitha flamuret, imazhet e shenjtorëve pajtorë, çanta e shtegtarit, janë të menduara e të projektuara prej tij. “Pikërisht gjatë kësaj pune – theksoi Papa – gjeti fenë”. Por, në nëntorin e kaluar iu diagnostikua një tumor. Mjekët nuk mundën t’i bëjnë asgjë, as pasi i prenë këmbën. “Ai – tregoi Françesku – donte të arrinte gjallë në vizitën e Papës: kishte një vend të prenotuar në tramin, me të cilin do të udhëtojë Papa. Por vdiq më 2 korrik. Njerëzit ndjehen shumë të prekur: ka bërë mirë për të gjithë ai. Tani – kërkoi Ati i Shenjtë – të gjithë në heshtje, të mendojmë për këtë shok udhe, që ka punuar shumë për këtë ditë e, të gjithë ne, në heshtje, të lutemi me zemër… Ai është i pranishëm ndërmjet nesh”.

         Mos dyshoni për fenë e këtij djaloshi, vijoi më tej Papa. Falenderojmë Zotin, që na jep shembuj të tillë guximi. E duke përsëritur fjalët e njohura të shën Gjon Palit II, ngriti zërin: “Mos kini frikë! Mos kini frikë! Se Zoti është i madh, Zoti është i mirë e të gjithë ne kemi diçka të mirë brenda vetes”.

         E duke i përshëndetur, Ati i Shenjtë u dha takim për sot të rinjve, duke qeshur me ta e duke u thënë të bëjnë zhurmë gjithë natën, sepse kjo është detyra e tyre. Por, i nxiti edhe ta bëjnë të dukshëm gëzimin e tyre të krishterë, gëzimin, që Zoti ua jep, sepse bëjnë pjesë në një bashkësi, e cila ndjek Jezu Krishtin.








All the contents on this site are copyrighted ©.